Pikëpyetje të shumta ngrihen lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur pak pas mesnate në kryeqytet, ku 25-vjeçari Klodjan Raxha u qëllua për vdekje nga një efektiv policie në rrugën “Dritan Hoxha”.
Policia tha fillimisht se i riu kishte kryer veprime të dyshimta dhe se nuk kishte pranuar të bashkëpunonte, duke sjellë kështu dhe hapjen e zjarrit.
Më tej, u tha se zona nuk kishte ndricim të mirë, gje e cila kishte vështirësuar punën e efektivëve, ku një prej tyre e ka qëlluar me dy plumba, të cilët qëlluan fatalë për të riun.
Në një njoftim të dytë, policia shtoi se i riu kishte me vete një armë zjarri, pistoletë dhe krëhër me fishekë, deklarata këto që hidhen poshtë nga familjarët dhe fqinjës.
Së pari, xhaxhai i të ndierit, shprehet se ai nuk kishte armë por dy kokrra hurma në duar, dhe më pas është fqinja ajo që hedh poshtë deklaratën e policisë duke thënë se zona ka ndricim.
Por, edhe nëse viktima të ketë qenë i armatosur, Policia nuk bën të ditur që i riu e ka përdorur atë, duke ngritur dyshime në lidhje me të drejtën e përdorimit të armës nga ana e efektivit.
Gjithashtu janë mësuar edhe lëvizjet që i riu ka bërë para se të qëllohej nga polici vetëm pak metra larg banesës së tij.
25-vjeçari deri në orën 23:00 kishte qenë në një lokal në zonën e “Don Boskos” dhe më pas teksa kthehej për në banesë i është bërë shenjë nga patrulla e policisë që të ndalonte.
Ai nuk ka ndaluar dhe është futur në disa rrugica për të shmangur policët, por 100 metra larg banesës së tij, ai është qëlluar.
Ndërkohë, kamera e një servisi në zonën ku u ekzekutua me armë zjarri Klodjan Rasha pas mesnatës së djeshme mund të hedhë në dritë në lidhje me këtë ngjarje.