“Trafik” në SPAK ishte tema e kësaj të marte në Quo Vadis në Vizion Plus, moderuar nga Pranvera Borakaj.
Ish-prokurori Ervin Karanxha tha se Ols Dado është bërë prokuror me ndihmën e Ina Ramës, pasi kanë pasur njohje me njëri-tjetrin.
Karanxha u shpreh se SPAK duhet të nisë hetimet për ish-prokuroren e përgjithshme, pasi ka shkelur ligjin.
Sa i përket çështjes Veliaj-Ols Dado, Ervin Karanxha deklaroi se kryebashkiaku duhet të ndjekë rrugën ligjore e jo të merret me mediat.
Pjesë nga biseda:
Karanxha: Marrim reagimet e Veliajt, çdo ditë të merresh me prokurorin nuk është shumë normale. Duhet të ishin nisur që në momentet e para dhe të ishte bërë zëvëndësim prokurorit. Kur u zgjodh prokuror Ols Dado, ka pasur 2 vite vjetërsi në punë, ndërkohë njihet me 3 vite, për shkak Është bërë prokuror në kundërshtim me ligjin. Ligji i 2001 e ndalonte. Ky bëhet prokuror në kundërshtim me ligjin. Ky njeri është futur nga një njeri që ia ka bërë për nder, por nesër ky njeri mund ta përdorë.
Borakaj: Kush ja ka bërë nderin?
Karanxha: Nderin ja ka bërë ish-prokurorja e përgjithshme Ina Rama. Këta dalin se kanë qenë në shkollë bashkë dhe kanë njohje, dhe kjo është një tjetër shkelje e ligjit, ligji për konfliktin e interesit. Ky njeri është futur në sistemin e drejtësisë, kriteri kryesor është shkolla e Magjistraturës. Është e çuditshme dhe mendoj se Ina Rama e ka sjellë atë këtu. Kalon vetingun dhe futet në SPAK. Këtu ka një dështim të plotë, sepse ka kaluar të gjitha filtrat.
Borakaj: Po në raport me rastin Veliaj?
Karanxha: Veliaj duhet të ndjekë rrugën ligjore, nuk mund të merresh ti me mediat, të përdorësh mediat ndaj prokurorit. Janë shkelur 2 ligje, ligji organik dhe ligji për konfliktin e interesit. SPAK duhet të nisë një hetim ndaj ish-prokurores Ina Rama, sepse prokuroria nuk është pronë private të fusim kë duam ne.