Fijet e trafikut të drogës kanë mbërthyer Ministrinë e Brendshme, ndërsa krimi i organizuar ka rekrutuar një numër të madh efektivësh policie, duke i përdorur si shoqërues, për informacion dhe për ekzekutimin e rivalëve.
Ministri Blendi Çuçi rezulton ortak me kryetrafikantin Roland Ziu në grabitjen e pronave publike në bregdet. Por, ministri Çuçi edhe këshilltarët i ka zgjedhur në fushën e trafikut të drogës.
Bëhet fjalë për Aranit Arapin, ish drejtor i Policisë së Gjirokastrës, i lakur dhe i hetuar si garantues i parcelave të hashashit, korrjes, tharjes dhe trafikimit, në Sarandë, Gjirokastër, Përmet, Tepelenë etj.
Që nga 15 janari i vitit 2021, Arapi mban pozicionin e Këshilltarit të Ministrit të Brendshëm, për rendin dhe sigurinë publike.
Arapi njihet ndër drejtuesit e rrallë të policisë, i cili para vitit 2017, kishte parcelat e tij të drogës. Nëse drejtuesit e tjerë dilnin garant se parcelat nuk do të prekeshin në këmbim të pagesave nga kultivuesut dhe trafikantët, ish kryepolici Arapi ishte aksioner në parcela bashkë me kokat e drogës në Sarandë, Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet.
Në prill të vitit 2017, në fshatin Pagri të Përmetit, në një magazinë u gjetën 12 tonë hashash. Pjesa më e madhe e drogës ishte në proces tharjeje, ndërsa pjesa tjetër ishte e paketuar dhe gati për transport.
Nga hetimet u ngritën dyshime të forta se Arapi ishte garant i magazinës me hashash, planifikuar që të rafikohej për në Itali nga grupi i Habilajve.
Në një njoftim për mediat, Policia e Shtetit, tha ndër të tjera se “Njëkohësisht me veprimet proceduriale, në lidhje me rastin e konstatuar pas zbulimit të sasisë me bimë narkotike, me urdhër të Drejtorit të Policisë së Shtetit, Drejtoria e Standarteve Profesionale ka filluar procedimin disiplinor për punonjësit e Policisë në strukturat vendore të Drejtorisë së Policisë Gjirokastër si dhe të Komisariatit të Policisë Përmet.
\Sipas detyrave të përcaktuara në Planin e Veprimit, duhej ushtruar kontroll në sera diellore, tunele të braktisura, ish-magazina të Rezervave shtetërore dhe çdo ambient tjetër të mundshëm për përdorim nga grupet kriminale. Pavarësisht hartimit të planeve të veprimit si dhe ngritjes së grupeve të kontrollit, nga strukturat e Komisariatit të Policisë Përmet dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër nuk janë ushtruar kontrolle në të gjitha ambientet e përcaktuara, përfshirë edhe magazinat në fshatin Pagri.
Nga analiza e bërë në Drejtorinë e Policisë Shtetit mbi këtë çeshtje, u konstatuan një sërë shkeljesh të karakterit administrativ dhe disiplinor nga punonjës të strukturave të policisë në Komisariatin e Policisë Përmet dhe Drejtorinë e Policisë Vendore Gjirokastër, për të cilët në bazë për zbatim të Ligjit për ‘Policinë e Shtetit’ si dhe Rregulloren e Policisë, me Urdhër të Drejtorit të Policisë së Shtetit u morën masat disiplinore: Drejtues i Parë Aranit Arapi, me detyrë Drejtor në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, për shkelje të Rregullores së Policisë së Shtetit – filloi procedimi disiplinor“.
Nuk dihet fundi i këtij procedimi disiplinor, ndërsa për drogën u arrestuan vetëm disa banorë të fshatit Pargi. Ish prokurori Besim Hajdarmataj dyshohet se ka marrë pjesë sfumimin dhe sabotimin e dosjes, për të shpëtuar kokat e trafikut të drogës.
Ata që bënë miliona euro me hashash gjatë viteve 2015, 2016 dhe 2017 janë të lirë dhe po pastrojnë paratë e drogës në ndërtim.
Nga ana tjetër, më vend që sot të ishte prapa hekurave dhe t’i ishte sekuestruar pasuria që ka kamufluar në emra të tjerë, Aranit Arapi këshillon ministrin Çuçi për rendin dhe sigurinë.
Më mirë të emërojnë Klement Balilin ministër dhe drejtor policie!