Ish-prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla rrezikon të bëhet i pari personazh publik që mund të përballet me drejtësinë. Pak ditë më parë prokuroria vuri në sekuestro pronat e Adriatik Llallës, ndërsa në qarqet politike dhe ato të drejtësisë është folur për një urdhër arresti ndaj tij. Fakti që u sekuestruan rreth 22 mijë metra katror tokë dhe një apartament do të thotë se prokuroria ka prova të forta që vërtetojnë përfshirjen e Llallës në pastrim parash. Por pyetja është pse nuk po arrestohet Adriatik Llalla?
Ditët e fundit kanë filluar të qarkullojnë zëra se organi i akuzës po përgatitej për ndalimin e ish-kryeprokurorit, por operacioni i tij mund të jetë dekonsipruar. Adriatik Llalla që pasi dorëzoi detyrën ka ikur jashtë vendit dhe askush nuk e di ku ndodhet ai. Një tjetër pyetje që shtrohet është se a ndërhynë persona politikë që Llalla të qëndrojë jashtë vendit?
Dihet që pas ish-prokurorit të Përgjithshëm, fshihen shumë personazhe publikë, të cilëve Llalla u mbylli dosjet dhe i mbajti larg burgut. Kjo do të thotë se nëse Adriatik Llalla bie, pas tij mund ta kenë radhën shumë emra të njohur. Megjithatë, se çfarë do të ndodhë më konkretisht le të presim ditët në vijim. Vetë “Deutche Ëelle” pak ditë më parë dha sinjale se Llalla mund të arrestohet dhe ai do ulë siparin e goditjeve në nivele të larta. Pranë gjykatave e prokurorive prej javësh është folur se prokuroria po teton të arrestojë Llallën, por ai nuk gjendet.
Edhe kur u mbajt seanca në kuadër të vetingut në Kolegjin e Apelimit, Llalla i befasoi që të gjithë. Ai dërgoi një letër nga Turqia, ku autorizonte avokatin e tij që të merrej me këtë çështje. Duket se Llalla trembet nga diçka, pasi familjen e ka nxjerr jashtë vendit dhe po ashtu ai nuk shkel në territorin shqiptar. Ka zëra që thuhet se ai mund të ketë kërkuar dhe azil politik jashtë vendit, por nuk dihet zyrtarisht. Të gjitha këto shtojnë bindjet se operacionin për prangosjen e tij mund të jetë dekonspiruar.
Hetimet për Llallën
Prokuroria ka vendosur pak ditë më parë në sekuestro pasurinë e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Mirëpo me kalimin e dosjes nga Prokuroria e Durrësit në atë të Krimeve të Rënda, hetimet për të janë thelluar dhe ish-kreu i organit të akuzës rezulton se ka kryer pastrim parash në vlera shumë të mëdha.
Sipas verifikimeve të kryera nga policia dhe Krimet e Rënda është vënë re se një apartament dhe rreth 22 mijë metër katrorë tokë, mund të jenë vënë nga para të vëna nga korrupsioni. Për këtë arsye prokuroria i është drejtuar me një shkresë gjykatës, e cila ka pranuar të vërë në sekuestro preventive pasurinë e ish-kryeprokurorit.
Në këtë mënyrë, është bërë sekuestrimi i një apartamenti banimi, me sipërfaqe 67.2 m², ndodhur në Durrës. Po ashtu në sekuestro janë vënë: tokë arë, me sipërfaqe 4.500 m², ndodhur në Tiranë; tokë arë, me sipërfaqe 12.300 m², ndodhur në Tiranë; tokë arë, me sipërfaqe 3000 m², ndodhur në Tiranë; tokë arë, me sipërfaqe 2250 m², ndodhur në Tiranë.
Pas vendimit të gjykatës, pak ditë më parë policia ka zbatuar urdhrin dhe të gjitha pronat e ish-kryeprokurorit janë vënë në sekuestro preventive. Sipas organit të akuzës vlera e tyre është afro 1 miliard lekë të vjetra./ Rigels SELIMAN