Nuk kanë fund telashet për ish-kryebashkiakët e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Edhe pse ka kaluar më shumë se një vit nga dita kur ata iu dorëzuan zyrat e bashkive rivalëve të Partisë Socialiste, këta të fundit kanë hapur dosjet e zullumeve të kryera gjatë kohës kur këto bashki drejtoheshin nga PD dhe LSI.
Ditën e djeshme kryebashkiaku socialist i Kamzës, Rakip Suli paditi në Prokurorinë Speciale Antikorrupsion ish-kreun e bashkisë, demokratin Xhelal Mziu. Sipas asaj që zoti Suli shkruan në padi, ish-kryebashkiaku Mziu ka abuzuar me lejen e miratuar për ndërtimin e thertores në zonën e Laknasit.
“Me anë të veprimeve të kryera dhe mosveprimeve të realizuara ish-kryetari i Bashkisë Kamëz Xhelal Mziu, ka favorizuar në mënyrë të paligjshme subjektin privat, i cili është pajisur me leje zhvillimi dhe ndërtimi për ndërtimin e një kompleksi blegtoral dhe stabiliment therje në bregun e lumit në Laknas pa marrë miratimin zyrtarë nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore siç dhe është kërkesa ligjore por ka patur zyrtarisht në mënyrë të përsëritur refuzimin e dhënies së autorizimit për të kryer investim privat në këtë territor.
Në mënyrë të përsëritur është refuzuar kjo leje për shkak të përgjigjes negative nga institucioni i Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe ish Kryetari i Bashkisë, pa e patur këtë autorizim jepet Leje zhvillimi dhe ndërtimi në mënyrë të paligjshme dhe abuzive”, thuhet në dokumentin e dorëzuar nga Rakip Suli në Prokurorinë e Posaçme.
Ish-kryebashkiakët e PD dhe LSI në SPAK
Kjo padi e Sulit është e treta ndaj ish-kryebashkiakut Mziu që depozitohet në SPAK. Në vitin 2019, Suli e paditi Mziun për dhënien e lejeve të ndërtimit pa kriter madje në zona që janë përcaktuar si Park Kombëtar, por edhe në shtratin e lumit që ishte përcaktuar për t’u lidhur me liqenin e Tiranës.
Ndërkohë ish-kreu i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu i ka mohuar këto akuza. Në një reagim në rrjetet sociale, Mziu shkruante pak muaj më parë se leja për të cilin flet Suli, i është refuzuar kompanisë dy herë, por pasi i plotësonte kushtet është lejuar që të bëhej ndërtimi. Madje, ish-kreu i Kamzës theksoi se këto akuza vijnë nga padituria e Sulit për të njohur ligjin.
Mirëpo rasti “Mziu”, nuk është i vetmi, pasi më herët edhe disa ish-kryebashkiakët të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë përfunduar në SPAK. Disa muaj më parë është kallëzuar penalisht ish-kryetarja e Bashkisë Prrenjas nga radhët e LSI-së, Miranda Rira. Kallëzimi ndaj saj është depozituar nga kryetari aktual i Bashkisë së Prrenjasit, Nuri Belba, ndërsa akuza që rëndon mbi të është ajo e shpërdorimit të detyrës. Më pas të njëjtin fati ka pasur edhe ish-kryebashkiakja e Gjirokastrës, Zamira Rama.
Në dhjetor të vitit që lamë pas Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka përfunduar hetimet në ngarkim të ish-kryebashkiakes së Gjirokastrës që vinte nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Zamira Rami dhe ka çuar në GJKKO çështjen, për shkak se gjatë kohës që ajo ishte në detyrë prishi disa objekte private, duke i shkaktuar dëm rreth 6 mln lekë shtetit. Ndërkohë nga ana tjetër, pak kohë më parë doli në media se SPAK po hetonte edhe dosjen e ish-kryebashkiakut demokrat të Tropojës, Besnik Dushaj.
Ndaj këtij të fundit kryebashkiaku socialist i Tropojës, Rexhë Byberi depozitoi në janar të vitit 2021 një padi ndaj paraardhësit të tij dhe 7 punonjësve për disa akuza si “Shpërdorim detyre”, “Shkelje të barazisë me tendera” dhe “Shkatërrim të pronës publike”. /RIGELS SELIMAN