Juristi Romeo Kara dhe ish-drejtues i Albpetrolit, Pajtim Sula shprehen të bindur se, ish-kryeministri Sali Berisha ka pasur kontakte me rusët e Gazprom për të hedhur në erë gazsjellësin e TAP në Shqipëri.
Këtë të enjte teksa ndodhej në oborrin e Parlamentit, ish-kryeministri Berisha zbuloi se kompania ruse e Gazprom që është një kompani vasale e presidenti rus, Vladimir Putin e kishte kontaktuar atë dhe i kishte kërkuar që qeveria shqiptare e drejtuar prej tij në vitet 2005-2013 që të mos lejonin ndërtimin e gazsjellësit TAP në Shqipëri, përmes së cilës Europa Perëndimore do të furnizohet me gaz nga azerët e Azerbajxhanit, duke shmangur kështu varësinë nga gaz rus.
Por dje sa i takon kësaj deklarate të fortë që Sali Berisha e ka shitur si ofertë që Gazprom ia bëri atij dhe që ky e refuzoi në kohën kur drejtonte ekzekutivin, janë prononcuar juristi Romeo Kara dhe ish-drejtues i Albpetrolit, Pajtim Sula.
Fillimisht ka qenë juristi Kara, i cili gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, theksoi se nisur nga deklaratat e Berishës, ai beson se ka pasur një tentativë korruptive mes ish-kryeministrit dhe ruseve të Gazprom. Madje sipas tij, fakti që ambasada ruse në Tiranë reagoi kundër Berishës, tregon qartë që kjo ndodhi ka ekzistuar.
“Që në fillim konstatova një gafë të tij duke vetëpranuar se ai ka pasur një ofertë për korrupsion dhe se ai nuk e ka denoncuar atë siç edhe e parashikon kodi ynë penal. Pra, Sali Berisha me gojën e tij pranon se ka kryer veprën penale të moskallëzimit të krimit të korrupsionit. Interesante është se në vazhdën e këtij zbulimi berishian ka kundërreaguar media dhe ambasada ruse duke ia kthyer në bumerang Berishës këtë prononcim infantil te tij”, deklaroi ai.
Juristi Kara: Berisha “peng” i Moskës
Më tej juristi Romeo Kara shprehet se, një nga arsyet pse Sali Berisha është shpallur “non grata” është fakti se ai është bashkëpunëtor i Rusisë, referuar dhe deklaratës që ai bëri se kishte pasur një ofertë nga Gazprom për të hedhur në erë ndërtimin e gazsjellësit TAP dhe për faktin se është i korruptuar.
Sipas tij, Berisha duhet të hetohet nga SPAK. “Sali Berisha vetë me gojën e tij ka pranuar publikisht të paktën dy herë se ka pasur ndërhyrje të paligjshme nga miq të tij për të shmangur ndërtimin e gazsjellësit TAP në këmbim të një shume të madhe parash. Vetë Berisha e pranon se paska pasur miq të tillë sekserë si edhe më pak që kanë interferuar në qeverisjen e vendit dhe që e kanë kthyer atë qeverisje në zgjatim të interesave familjare të tij dhe miqve të tij.
Pikërisht për këtë lloj korrupsioni ai është shpallur non grata, por me sa shoh Berishës i ka dalë vetja nga kontrolli dhe po kërkon ta mbulojë korrupsionin me korrupsion. Besoj se në një vend normal, ai do të ishte trajtuar nga media si një turp dhe nga drejtësia si një rast urgjent për t’u investiguar. Prokuroria mund të hapë edhe çështje kryesisht dhe ky është pikërisht rasti i duhur me strukturën e SPAK-ut te tregoje se ekziston”, nënvizoi Kara.
Reagon ish-drejtori i Albpetrol
Ish-drejtori i Albpetrol, Pajtim Sula e ka nxjerrë zbuluar Sali Berishën. Ai ka lënë dje një shënim në rrjetet sociale, të cilën gazetës ja ka vënë në dispozicion juristi Romeo Kara, teksa mes të tjerash shkruan se aferat e Berishës me rusët kanë ekzistuar dhe përfaqësuesit e Gazprom i ka pritur ai në zyrë me porosi të ish-kryeministrit, por që më pas pazari dështoi se përfaqësuesit e Gazprom dhanë ofertë qesharake, ndërkohë që ishin në dijeni se amerikanët po e monitoronin fuqishëm ish-kryeministrin.
“Ajo që e plotëson këtë është komenti që ka bëre në një status timin, ish-drejtuesi i Albpetrolit, Pajtim Sula i cili deklaron se: “Që Berisha mbante kontakt me Gazpromin kjo është shume e saktë! Me porosi të Berishës, unë kam pritur në zyrë (Albpetrol) përfaqësuesit e Gazprom për privatizimin e Albpetrolit!
Bile dhanë dhe një ofertë qesharake zyrtarisht, pasi e kuptuan që nuk çanë dot, pasi Amerikanet e dinin që Berisha po punonte me Rusët! Etj”! Kur kemi kryqëzim të tillë faktesh dhe deklaratash besoj se kjo do ta ndihmojë prokurorinë”, shkruan ish-drejtori i Albpetrol, Pajtim Sula, zbulon juristi Romeo Kara për gazetën “SOT”.