Kravatat që mbanin firmën e dizenjimit të kryeministrit Edi Rama tërhoqën vëmendje të gjerë nga qytetarë të shumtë. Ne shkuam në dyqanin, ku këto kravata ishin vendosur në vitrinë, teksa zbuluam se ato në fakt nuk ishin në shitje. Janë 4 modele, të cilat janë prodhuar me teknologjinë më të fundit 3D e që kanë tërhequr jo pak vëmendje.
Lajla Përnaska: Modelistët tanë kanë pasur një atraksion nga kombinimi i ngjyrave të zotit Rama dhe fakti që pasi janë aplikuar dhe integruar në modelim 3D kanë dalë produkte shumë interesante, tregon se ky kombinim ngjyrash është ai i duhuri për të nxjerrë një produkt në 3D.
Ajo vlerëson shumë artin e kryeministrit, ndaj dhe kompania që ajo drejton ka zgjedhur që të testojë produktet e saj.
Lajla Përnaska: Ka dalë një gjë shumë interesante dhe shumë e veçantë, por janë dhe produkte të ekspozuara dhe asnjëherë nuk kanë qenë dhe nuk janë deri sot në shitje. Nuk bëhet fjalë për një marrëveshje shitjeje deri në këto momente që flasim.
Çmimet e një kravate të tillë për tregun shqiptar justifikohen me teknologjinë dhe punimin e tyre.
Fjord Pernaska: Për kravatat është fillimi me 77 euro të versionin tonë bazik. Përsa i përket kategorive të ndryshme të tjera të kravatave që kemi, kemi kategorinë mat, glos dhe 3D luks, nga 139-199 euro.
Kjo është vetëm faza e parë e një bashkëpunimi të mundshëm mes shtëpisë së modës “Onus” dhe kryeministrit Edi Rama, por e ardhmja ende është në “mjergull”.
Fjord Pernaska: Mbetet për t’u parë. Mbase, mbase jo nuk i dihet.
Por, për gjithë debatin edhe politik të ditëve të fundit, Lajla Përnaska përgjigjet në këtë mënyrë.
Lajla Pernaska: Unë nuk gjej dot ndonjë arsye denoncimi, sepse realiteti është ky që po shpalosim. Ne jemi në një aktivitet biznesi. / INtv