Ish deputeti i Partisë Socialiste në Vlorë, Fatmir Toçi ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Ai prej 5 ditësh ka qenë i vetëkarantinuar në shtëpinë e tij, bashkë me familjarët edhe pse këta të fundit kanë rezultuar negativ pas bërjes së tamponit.
Ditën e sotme Taçi është shtruar në spital dhe përmes një statusi në facebook u bën thirrje kolegëve dhe personave që kanë kontaktuar me të ditët e fundit të bëjnë testin. Ai gjithashtu iu drejtohet të gjithë atyre që nuk besojnë tek pandemia, se COVID-19 nuk është thjesht një lojë dhe as ekzagjerim i situatës dhe të mos e marrë askush me mendje lehtësi.
Statusi i plotë i Fatmir Toçit
Dua të njoftoj miqtë e mi, të afërmit dhe të njohurit e shumtë se pas disa hamendjesh e dyshimesh për shkak të një gjendje dobësie shëndetësore vendosa të bëj provën e tamponit nëse kjo vinte nga prekja e sëmundjes së shekullit, Covid-19. Dhe rezultova pozitiv.
Pas kësaj, unë dhe familjarët e mi, edhe pse ata nuk rezultuan si unë të prekur, iu nënshtruam vetëkarantinimit, për të mbrojtur jetët tona dhe të të tjerëve, por dhe në zbatim të ligjit, transparencës e në emër të moralit qytetar.
Sot, 5 ditë pas jetës në karantinë i izoluar në shtëpi, vendosa t’u drejtohem institucioneve të specializuara të kujdesit shëndetësor për ta ndjekur gjendjen time shëndetësore, me besimin e plotë në kujdesin dhe aftësitë e tyre profesionale e humane.
U bëj thirrje të gjithë atyre njerëzve që puna, shoqëria apo rastësia i ka bërë të kontaktojnë me mua këtë javën e fundit, të shkojnë e të bëjnë me domosdo provën e tamponit, për t’u siguruar se janë negativ, për të mbrojtur veten, familjet e tyre, të afërmit dhe gjithë shoqërinë tonë!
Duke besuar në mirëkuptimin dhe vlerësimin e këtij njoftimi jo të këndshëm, ju ftoj të bëni të gjitha përpjekjet për vlerësimin dhe zbatimin e masave me rreptësi dhe rigorozitet për t’u mbrojtur nga kjo flamë, sepse unë që po e provoj ju garantoj se nuk është thjesht një lojë dhe as ekzagjerim i situatës, siç thuhet jo rrallë me mendjelehtësi të çuditshme dhe naive.
Lutem për ju të gjithë, miqtë e mi, që të mos ta provoni këtë situatë, por çdo gjë varet nga secili prej jush!