Ish- depuiteti Halit Valteri, i cili së fundmi ka bërë një kallëzim në SPAK për presidentin aktual Ilir Meta, ishte i ftuar ditën e sotme në emisionin “Top Talk” në Top Channel.
Valteri deklaroi se këtë kallëzim e ka bërë pasi siguroi disa dokumenta zyrtare, ndërsa shtoi se po e bën për të mirën e vendit.
Më tej Valteri shtoi se ky nuk do të jetë denoncimi i fundit, dhe paralajmëroi se në javët në vijim do të denoncojë edhe një deputet aktual, i cili në të shkuarën ka qenë ministër, duke mos e bërë të ditur identitetin e tij.
Valteri u shpreh se Meta është e keqja e këtij vendi dhe e ka lënë vendin tona 100 vite pas me sistemin që ka krijuar.
“Të isha për tu përdorur politikisht, mund të isha përdorur kohë më parë, për Metën jo si person, por si figurë politike kam një antipati, është e keqja e këtij vendi dhe me sistemin dhe partinë korporatë që ka krijuar e ka lënë 100 vite pas vendin tonë.
Është një nga shkaktarët që kudo ku ka shkuar e ka shfrytëzuar vetëm për të vjedhur e për të shkatërruar vendin. Është i vetmi politikan që ka jetuar kaq gjatë dhe sot hiqet si burrë i mirë dhe si baba i kombit. Është mendimi im personal.
Koha kur im atë dhe familja ime privoheshin nga e drejta e fjalës ka marrë fund në 1990, është i lirë të marrë nisma ligjore”, tha ai.
I pyetur përse vendosi të kallëzojë Metën në SPAK në fund të mandatit, ai tha:
“Kjo është më shumë rastësi, nuk është arsyeja që po largohet nga posti i tij. Arsyeja është se jam kontaktuar nga një koleg i juaji austriak dy javët e fundit, që më ka nisur me e-mail disa dokumenta për presidentin e vendit tim. Isha skeptik tek kjo pjesa se mendova mos është një “Gjueti shtrigash”, por ai mi dërgoi se isha i vetmi person që isha marrë duke denoncuar këtë pjesë dhe kur pashë materialet thashë pse jo ti bëj një shërbim vendit tim.
Unë nuk e kam për herë të parë denoncimin dhe ky nuk do të jetë i fundit. Javën që vjen kam një denoncim tjetër për një zyrtar tjetër. Janë tre dosje që po hetohen dhe ka materiale dhe shpresoj që drejtësia të vihet në punë e të mos lihet në pluhurin e harresës. Ky person është një deputet aktualisht dhe një ish-ministër.
Bashkë me kallëzimin për presidentin, ai ka bashkëlidhur edhe një kallëzim për Kryemadhin dhe Tavon. I pyetur se çfarë rolesh kanë secili nga ata, Valteri tha:
“Për Kryemadhin si kryetare e LSI-së, që duhej të kishte transparencë me fondet, flitet për 900 mijë euro dhe jo vetëm kaq.
Tavo si pikë takimi, financues pasi ka krijuar të gjithë skemën. Shpresoj të merren në pyetje”.