Ish-bos i mafias në Amerikë ka ndërruar jetë në burg. Francis Salemme, i cili njihej edhe si “Cadillac Frank”, vdiq të martën në moshën 89-vjeçare. Ai ishte i njohur pasi drejtoi familjen e krimit Patriarca, e cila njihej gjithashtu si mafia e New England në fillim të viteve 1990.
Salemme është dënuar për disa krime të ndryshme. Në vitin 2018, ai u dënua me burgim të përjetshëm pas vrasjes së pronarit të një klubi nate në vitin 1993. Salemme u dënua pasi në vitin 2016 u gjetën disa mbetje të viktimës së tij.
Në vitet 1960, Saleme ka marrë pjesë në disa përplasje mes bandave në Boston. Fillimisht ai kaloi 16 vite në burg sepse u përpoq të vriste avokatin John Fitzgerald duke i shpërthyer makinën në vitin 1968. Fitzgerald humbi një këmbë, por mbijetoi.
Më vonë Salemme u dënua për shantazh së bashku me gangsterin e njohur nga Bostoni, James “Whitey” Bulger. Mirëpo në këtë çështje u zbulua se shoku i ngushtë i Bulger dhe Saleme, kishte punuar në mënyrë sekrete si informator i FBI-së.
Salemme u lirua në fillim të vitit 2003 pasi shërbeu si informator dhe ndihmoi prokurorët të dënonin një agjent të korruptuar të FBI-së. Avokati i tij, Steven Boozarg, i tha Associated Press se Salemme-s “i vinte keq për shumë gjëra që kishte bërë në jetën e tij, veçanërisht për efektet që kishte në familjen e tij të ngushtë dhe familjet e të tjerëve”