Antagonizmi politik i Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian mund të ketë pasja afatgjata për Prishtinën dhe Beogradin, thotë ish-ambasadori amerikan në Serbi, Michael Kirby.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës mbi tensionet në veri të Kosovës, zoti Kirby tha se nuk është i befasuar nga kriza në komunat veriore të Kosovës.
Ai tha se për shkak të angazhimit të tyre në konfliktin mes Ukrainës dhe Rusisë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk kanë durim institucional për t’u marrë pafundësisht me manovrat e pasinqerta të Prishtinës dhe Beogradit.
Zëri i Amerikës: Si e komentoni krizën në veri të Kosovës?
Michael Kirby: Me keqardhje them se nuk jam i befasuar nga kriza. Kur partitë serbe vendosën të bojkotonin zgjedhjet e fundit, ishte e qartë se disa njerëz do të votonin. Në të vërtetë, më pak se 4% e elektoratit votuan. Ata pak njerëz që votuan u dhanë një fitore politikanëve shqiptarë. Ky është rreziku i bojkotimit të zgjedhjeve nga serbët. Partitë shqiptare morën shumicën e votave, por nuk morën as për së afërmi mbështetjen e shumicës së popullit. Zoti Kurti vendosi të sillet sikur të kishte avantazh në këtë proces.
Zëri i Amerikës: Çfarë e shihni si arsye kryesore për këtë?
Michael Kirby: Në dukje, zoti Kurti qëndron pas nxitjes së tensioneve. Ai duket i painteresuar për të bërë ndonjë lëshim qoftë ndaj pakicës serbe brenda Kosovës, qoftë ndaj qeverisë së zotit Vuçiç në Beograd. Linja e ashpër e zotit Kurti është mirëpritur nga mbështetësit e tij; përballja me Beogradin nxit përkrahje në Kosovë.
Por zoti Vuçiç nuk është i pakënaqur kur sheh veprimet e zotit Kurti. Kundërshtimi i qeverisë në Prishtinë gjithmonë nxit përkrahjen e mbështetësve të zotit Vuçiç brenda Serbisë. Zoti Vuçiç ka nevojë për ndihmë pikërisht tani. Pas vrasjeve masive të njëpasnjëshme në Serbi, zoti Vuçiç është nën presion të madh të brendshëm pasi me dhjetëra mijëra serbë në mbarë vendin kanë dalë në rrugë duke kërkuar veprim kundër bandave dhe banditëve që kanë pllakosur Serbinë për vite me radhë.
Shumë prej këtyre banditëve, përveç aktivitetit të tyre kriminal, i kanë dhënë zotit Vuçiç përkrahje për të frikësuar armiqtë. Demonstruesit kanë kërkuar gjithashtu t’i jepet fund mbulimit me lavdi të kriminelëve në televizionin privat serb, “TV Pink” dhe media të tjera të kontrolluara nga Vuçiç. Prandaj, veprimet e zotit Kurti i kanë ofruar zotit Vuçiç një mundësi të artë për t’i larguar njerëzit nga hallet e tij të brendshme duke u mbështetur tek serbët në Kosovë dhe shqiptarëve të pabesë në veri të Kosovës dhe në Prishtinë.
Ta dini mirë, mirëqenia e popullatës së zonave me shumicë serbe në veri të Kosovës nuk është faktor kryesor në të menduarit e as të zotit Kurti dhe as të zotit Vuçiç.
Zëri i Amerikës: Si e komentoni qëndrimin e qeverisë së Kosovës dhe faktin që dy kryetarë komunash nga partia e Kurtit nuk morën pjesë në takimin me ambasadorin amerikan?
Michael Kirby: Zoti Kurti është nën presion të madh për të arritur një marrëveshje me Beogradin. Unë besoj se ai dëshiron t’i tregojë Uashingtonit dhe Brukselit se gëzon mbështetje të fortë të brendshme për mosndryshimin e qëndrimeve të tij. Bojkoti i kryetarëve të komunave duhet parë në këtë këndvështrim.
Zëri i Amerikës: Si do të ndikojnë këto tensione në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë?
Michael Kirby: Kjo do të ngadalësojë dialogun. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve që po shkaktojnë tensione mes Kosovës dhe Serbisë do t’i mundësonte Serbisë të ecte përpara në qëllimin e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Serbia dhe Kosova duhet të bëjnë ndryshime të brendshme, të cilat janë të nevojshme për procesin e anëtarësimit e tyre në Bashkimit Evropian. Reformat do të krijonin kushtet për rritje ekonomike dhe begati për qytetarët e të dyja vendeve.
Themelimi i një Asociacioni të Komunave Serbe tani është çështje kyçe në procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE. Duke e zhvendosur fokusin nga asociacioni tek kryetarët e komunave, zoti Kurti shpreson të shtyjë ditën kur ai duhet të merret me çështjen e asociacionit.
Ai mund të jetë i suksesshëm në aspektin afatshkurtër. Por antagonizmi njëkohësisht i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara mund të ketë pasoja afatgjata. Kosova ka nevojë për ndihmën zhvillimore që i ofron Amerika dhe Evropa. Duke patur parasysh atë që po ndodh në Ukrainë, as Bashkimi Evropian dhe as Shtetet e Bashkuara nuk kanë durim institucional për t’u marrë pafundësisht me manovrat e pasinqerta të Prishtinës dhe Beogradit.
Të gjithë kemi qenë dëshmitarë të krizës amerikane të tavanit të borxhit. Mbështetja për t’i dhënë gjithnjë e më shumë para Kosovës mund të zbehet, nëse zoti Kurti e tepron me veprimet e tij. Njerëzit e tij (populli i Kosovës) kanë nevojë për ndihmën tonë.
Zëri i Amerikës: Sipas mendimit tuaj, cila duhet të jetë zgjidhja e këtij problemi?
Michael Kirby: Si Serbia ashtu edhe Kosova duhet të ecin përpara me themelimin e asociacionit. Jam i sigurt se Bashkimi Evropian ka shembuj të mjaftueshëm të asociacioneve të një lloji të ngjashëm për pakicat brenda një shteti anëtar, që mund të përdoren për ta themeluar asociacionin e komunave me shumicë serbe. Gjithashtu duhet gjetur një mjet ligjor për të patur kryetarë komunash në komunat me shumicë serbe, të cilët gëzojnë mbështetjen e një segmenti të madh të popullatës lokale./VOA