Kreu i Prokurorisë së Durrësit, e emëruar nga Arta Marku menjëherë pas ‘katapultimit’ si Kryeprokurore, në bashkëpunim me dy kolege, kandidate për SPAK, kanë kërkuar pushimin e çështjes në ngarkim të dy biznesmenëve që kanë realizuar ndërtime të paligjshme mbi rërë. Dy herë gjykata ka rrëzuar kërkesën për pushim, e cila ishte dhe në konflikt interesi. Anita Jella, në vend që të jetë subjekt hetimi nga SPAK, tenton të bëhet anëtare e këtij institucioni të drejtësisë së re, duke kompromentuar rëndë procesin
Anita Jella, drejtuesja e Prokurorisë së Durrësit e emëruar nga Arta Marku pas ardhjes së saj në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, mund të “blihet” shumë shtrenjtë nëse nuk ia njeh bëmat.
Një “vemje” e tillë në sistemin e drejtësisë, pavarësisht maskarallëqeve që ka bërë, në vend që të tërhiqet dhe të “tentojë” të ruajë të mirat materiale që i ka dhënë detyra si kryeprokurore e Durrësit, kërkon që të ngjitet më lart në karrierë, për të kapur vendin e anëtarit të SPAK.
Fiksimi i Anita Jellës për të arritur majat e drejtësisë së re, në vend që të jetë subjekt hetimi i saj për abuzimet që ka bërë në qytetin bregdetar, përmes pushimit të çështjeve në ngarkim të bizneseve ka mbushur bregdetin me ndërtime të paligjshme, kërkon SPAK-un.
Kjo situatë ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe të “Pamfleti.net” si përçues i zërit të tyre.
Teksa Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shtyu seancën dëgjimore me drejtuesen e Prokurorisë së Durrësit Anita Jella, me kërkesë të ONM, i cili ka dorëzuar të dhëna të reja në funksion të rivlerësimit të subjektit, ne po përpiqemi që t’i vijmë sadopak në ndihmë ndërkombëtarëve duke u dhënë disa prova.
Kryesuesja e trupës gjykuese të KPA, Xhensila Pine nuk e shpjegoi përmbajtjen e gjetjeve të ONM-së, por shtoi se trupi gjykues e kishte pranuar kërkesën e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe vendosi shtyrjen e seancës për Kryeprokuroren Jella.
Si ishte dhe si u bë, masakra e bregdetit, çështja që u mbyll nga Anita Jella
Si ishte dhe si u bë, masakra e bregdetit, çështja që u mbyll nga Anita Jella
Në krye të herës, po publikojmë pushimin e procedimit penal Nr.717, të vitit 2017 nga ana e Anita Jellës në bashkëpunim me prokuroret Alma Felaj dhe Enkeleda Xhengo, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të parashikuara në nenet 199/a dhe 248 të Kodit Penal, me argumentin se nuk parashikohet nga ligji si vepër penale dhe shuarjen e masave të sigurimit të caktuara ndaj shtetasve Arkenad Gripshi dhe Julian Gripshi.
Ky procedim ka nisur që më 2017 por prokurore Enkeleda Xhengo(Osmani) fillimisht nuk ka mundur ta mbyllë këtë procedim sepse është bërë publik nga ana e medias, që ngriti shqetësimin në atë kohë, për pushtimin e bregdetit të Durrësit nga ndërtimet e paligjshme.
Ky procedim ka të bëjë me zaptimin e rërës dhe detit shumë afër Urës së Dajlanit nga disa ndërtues të hotel “Royal”. Ndërtuesit janë Julian dhe Arkeand Gripshi, banues në Peqin, të cilët kanë bërë ndërtim pa leje me qëllim mbushjen e detit me rërë, për ta përdorur për interesat e hotelit.
Bëhet e ditur se në këtë ndërtim pa leje janë përfshirë dhe pronari i hotel “Palace”, i “mirënjohuri” Luan Bregasi si dhe dy pronarët e hoteleve në vijim.
Enkeleda Xhengo e ka mbyllur këtë çështje, me miratim dhe të Kryeprokurores Anita Jella sepse burri i kësaj të fundit, Erion Shqari, i cili është nga Peqini, ka marrë kontakt me Julian dhe Ari Gripshin, të cilët njihen me burrin e Jellës prej shumë kohësh.
Enkeleda Xhengo (Osmani) dhe Anita Jella e kanë pushuar disa herë këtë procedim por Gjykata Durrës nuk i ka pranuar veprimet. Në vendimin e datës 9 tetor 2018, Gjykata e Durrësit përmes gjyqtares Eda Kaja ka vendosur:
Pranimin pjesërisht të kërkesës së prokurores me objekt: pushimin e procedimit penal nr.717 vitit 2017 për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Shpërdorim i detyrës” të parashikuara nga nenet 199/a dhe 248 i K.Penal.
Pushimin e çështjes për personin nën hetim Arkenand Gripshi, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Shpërdorim i detyrës” të parashikuara nga nenet 199/a dhe 248 i K.Penal.
Shuarjen e masës “detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore” të vendosur me vendimin nr. 408 datë 28.07.2018 të Gjykatës së rrethit gjyqësor Durrës për shtetasin Arkenand Gripshi.
Kthimin e çështjes në bazë të nenit 329/3/b të K.Pr.Penale për hetime të mëtejshme për personin në hetim Julian Gripshi duke u hetuar në këto drejtime:
– Të hetohet lidhur me sipërfaqen totale të këtij ndërtimi që shtrihet përgjatë vijës bregdetare nga territori që përkon me ndërtimin që po bën subjekti “Kristi konstruksion” (personat nën hetim) deri tek hotel “Vivas” Durrës.
– Të hetohet kush e ka ndërtuar këtë ndërtim në vazhdim përgjatë gjithë vijës bregdetare dhe kush e ka lejuar.
– Të hetohet gjëndja faktike sot e këtij ndërtimi dhe koha kur është ndërtuar në të gjithë gjatësinë e tij.
– Të hetohet lidhur me faktin e mosprishjes së këtij ndërtimi nga organet kompetente.
– Të hetohet nëse ka lidhje midis personit nën hetim Julian Gripshi dhe ndërtuesve të tjerë të këtij ndërtimi në të gjithë sipërfaqen e tij.
Pra gjykata e Durrësit e ka kthyer çështjen për hetim të mëtejshëm duke rrëzuar kërkesën prokurorëve Jella dhe Xhengo për pushimin e kësaj çështjeje në ngarkim të Julian dhe Arkenand Gripshi, të dy të marrë të pandehur.
Me sa duket detyrimi i familjes së Anita Jellës ka qënë tepër i madh ndaj këtyre biznesmenëve që kanë mbushur bregdetin e Durrësit me ndërtime pa leje, pasi pikërisht tre muaj më vonë kanë paraqitur sërish kërkesë në gjykatën e Durrësit për pushimin e çështjes në ngarkim të tyre.
Në seancën e datës 29 janar 2019, gjykata e Durrësit nënvizon në vendimin e saj: Gjykata si administroi aktet e sjella nga prokuroria dhe si dëgjoi palët në diskutimet e fundit në të cilat u kërkua: Prokuroria: Pranimin e kërkesës sipas objektit; Mbrojtësin ligjor: Pushimin e procedimit penal për personat nën hetim Arkenad Gripshi dhe Julian Gripshi; në mungesë të kallëzuesve të veprës penale; si dhe shqyrtoi në tërësi aktet e ndodhura në dosje.
Pra pasi mori në shqyrtim kërkesën e prokurorëve Anita Jella dhe kolegeve të saj Enkeleda Xhengo(Osmani) dhe Alma Felaj, gjykata e Durrësit përmes gjyqtarit Paulin Çera, vendosi:
1.Pranimin pjesërisht të kërkesës së Prokurorisë.
Pushimin e hetimeve të procedimit penal në ngarkim të shtetasit Arkenad Gripshi, i dyshuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a i Kodit Penal.
Shuarjen e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” të vendosur me vendimin penal Nr. 408, datë 28.07.2018 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, ndaj shtetasit Arkenad Gripshi.
Kthimin e akteve të procedimit penal Nr. 717, të vitit 2017 Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës duke urdhëruar vijimin e hetimeve në ngarkim të personit nën hetim Julian Gripshi për veprën penale të “Ndërtim i paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a të Kodit Penal, si dhe vijimin e hetimeve për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga
neni 248 i Kodit Penal, ndaj punonjësve që kanë pasur për detyrë konstatimin, marrjen e masave administrative dhe prishjen e ndërtimit. Veprimet hetimore duhet të përfundohen brenda një afati prej tre muaj, afat i cili fillon nga e nesërmja e shpalljes së këtij vendimi.
Gjykata e Durrësit ka prerë “hovin” e Kryeprokurores së Durrësit Anita Jella, në këmbënguljen e përsëritur për të pushuar së më shpejt çështjen në ngarkim të dy miqve të burrit të saj.
Zvarritja e procesit gjyqësor me ndihmën e Anita Jellës ka bërë që vija bregdetare e Durrësit në tërë gjatësinë e saj jo vetëm që mbushet me ndërtime të paligjshme direkt dhe në rërë, duke shkatërruar ekosistemin, ndotur ambientin dhe detin për shkak të interteve dhe ujërave të zeza që derdhen direkt e në det, por i kanë mohuar qytetarëve të drejtën për të bërë plazh.
Janë pallate dhe hotele luksoze dhe me sipërfaqe të madhe bazamenti, shumëkatëshe e tërësisht në kundërshtim me ligjet urbanistike, ruajtjen e zonës bregdetare dhe ligjin.
Në ligjin për Menaxhimin e Integruar të Burimeve Ujore, lidhur me veprimtaritë në brigje ndalohet depozitimi i inerteve në bregdet dhe në tokat pronë private dhe shtetërore, përbri brigjeve të deteve, sepse duhet detyrimisht të lihet një sipërfaqe toke e lirë për përdorim publik, me gjerësi deri në 100 metra nga këto brigje.
Por në bregdetin e Durrësit përveçse po ndërtohen pallate 30 m larg bregut, lokalet po ndërtojnë platforma prej betoni mbi det, në Currila dhe Plazhin e Durrësit. Ashpërsimi i Kodit Penal me dënimin me burgim deri në 1 vit për ndërtimin pa leje në tokën në pronësi të pronarit e dënimin me burgim 1-5 vjet kur kjo bëhet në tokën publike ose shtetërore, duket se nuk i ka stepur bizneset për pasojat ligjore nga ndërtimi i paligjshëm në bregdet, kjo edhe për shkak të mos dënimit ende të asnjë prej shkelësve.
Aq më tepër që në krahun e tyre këta shkelës të ligjit kanë as më pak e as më shumë por vetë drejtuesen e Prokurorisë së Durrësit Anita Jella, bashkë me vartëset e saj Enkeleda Xhengo dhe Alma Felaj, të cilat jo vetëm nuk i çojnë prapa hekurave, por bëjnë kërkesë për pushimin e çështjes ndaj tyre.
Këto maskarallëqe jemi mësuar ti dëgjojmë dhe shohim si bëma të një drejtësie të vjetër dhe të korruptuar në ikje. Por kur sheh se Jella dhe Xhengo kërkojnë të jenë pjesë e SPAK, ndërsa Felaj kërkon të shpëtojë nga Vettingu, është e tepërt t’i durojmë sërish në kurriz prokurorë të tillë abuzues.
Eshtë një turp për institucionet e reja të drejtësisë dhe të Vettingut që të lejojnë “kapjen” e SPAK nga këta prokurorë abuzues, pasi do të kompromentohej rëndë tërë procesi i ngritjes së drejtësisë së re, për të cilën është investuar me ekspertizë dhe para, SHBA-BE./Pamfleti
Për të qënë koherent me qytetarët po botojmë vendimet e gjykatës së Durrësit:
2. Gjykata e Durrësit, vendimi i Gjyqtarës Eda KajaKliko këtu: 1. Vendimi i Gjykatës së Durrësit 1.11.2018 me gjyqtar Paulin Çera