Privatizimi i ARMO dhe Albpetrol është një nga temat që aktivisti i njohur amerikan Geri Kokalari e prek shpesh nē intervistat e tij. Disa herë përgjatë këtyre viteve të qeverisjes së majtë ai ēshtë ofruar të japë dëshmitë e tij në Prokurori dhe Gjyjata mbi këto afera nëse ato hetohen zyrtarisht, por kjo ende nuk ka ndodhur.
Intervistën e mëposhtme ai e ka dhënë në gazetën DITA në gushtin e 2013, pak pasi Rama kishte fituar zgjedhjet.
A ishte paracaktuar Taçi për të fituar tenderat e ARMO-s dhe Albpetrol, ndërsa Patton Boggs u soll aty sa për vitrinë? Geri Kokalari mendon që po. Ai risjell në vëmendje disa detaje nga dy privatizimet e sipërcituara: Taçi u fut në marrëveshjen e privatizimit fillestar të ARMO-s në 11 orët e fundit të procesit. Skema u tentua identike me Albpetrolin, kur, pasi të gjitha ofertat ishin bërë, Taçi zbriti aty nga askundi.
“Ka dy arsye pse mendoj që Berisha qëndron prapa këtyre skemave – thotë Kokalari dhe më pas shpjegon atë që ai i quan rastësi të çuditshme me sjelljen e Patton Boggs-it, Vetro-s dhe vizitat e Berishës pikërisht në Azerbajxhan.
Albeptrol u tentua të shitej te Taçi në shtator 2012 pak para zgjedhjeve që rrëzuan Berishën, ARMO u shit te azerët në 2013, paralel me rënien e Berishës nga pushteti. Intervista e mëposhtme është marrë pikërisht në atë kohë:
– Zoti Kokalari, së fundmi është njoftuar shitja e kompanisë ARMO të Rezart Taçit një kompanie azerbajxhanase. Si do ta komentoni këtë shitje, ndërkohë që kryeministri Berisha, i cili humbi 23 qershor, është ende në detyrë?
– Nuk duhet ndonjë mençuri e madhe për të kuptuar pse Taçi nxitoi ta shesë ARMO-n, ndërsa Berisha është ende në pushtet, sepse ata të dy bëjnë përpjekje të dëshpëruara për të mbrojtur interesat e tyre.
Sa për kujtesë, unë jam ndër ata që kam denoncuar se familja Berisha kishte një pozicion të fshehtë pronësie në ARMO dhe se Taçi kishte edhe aksionet pritëse për Berishën në Albpetrol, në qoftë se marrëveshja e privatizimit e 2012 do të bëhej realitet.
– Çfarë duhet të dijë më shumë opinioni publik shqiptar në lidhje me veprimtarinë e Taçit?
– Nga disa këndvështrime, duket qartazi se privatizimi i ARMO-s ishte i paligjshëm. Së pari, ARMO u mendua të jetë një privatizim strategjik i një aseti shtetëror, ndërsa nuk ka asnjë qeveri legjitime në botë që do të kishte lejuar të ndodhte një transferim në minutën e fundit siç ishte rasti i futjes së Taçit në marrëveshjen e ARMO-s në 11 orë.
Kjo ka shkelur kushtet e tenderit në nivele të ndryshme, për të mos përmendur faktin se Taçi nuk ishte financiarisht një ofertues i kualifikuar, siç tashmë është e njohur dhe sikurse Patton Boggs e ka zbuluar që në fillim.
Për më tepër, me aq sa di unë, Taçi nuk u bë i gjallë deri në kushtet e marrëveshjes, si dhe për kushtet, përfshirë kërkesën që ai të investojë disa qindra milionë dollarë pas përfundimit të blerjes dhe për shpenzime kapitale për modernizimin e objekteve. Ne tani e dimë se ai kurrë nuk i kishte fondet e duhura, kështu që kjo ishte një tjetër aspekt i mashtrimit.
Në vend të kësaj, që nga dita e parë ai filloi mjeljen e kompanisë si një lopë e majme dhe e shtriu biznesin në mënyrë të vazhdueshme në terren. Për këto shkelje dhe të tjera, unë besoj ARMO iu transferua ilegalisht Taçit. Dhe kjo është arsyeja pse privatizimi i ARMO-s duhet të shfuqizohet dhe Taçi duhet të zhvishet nga çdo gjë prej pasurive të mbetura, ndërsa blerësit e rinj të supozuar duhet të paralajmërohen se janë duke ecur në një fushë të minuar shumë të rrezikshme.
Dhe, edhe pse marrëveshja e Albpetrolit është anuluar – dhe unë jam krenar të them se kam pasur një rol në vënien në dukje të këtij mashtrimi – shqiptarët ende kanë nevojë të dinë se pse dhe se si të dy tenderat për ARMO-n dhe Albpetrol-in iu dhanë si shpërblim Taçit, ndërsa ka një ngjashmëri misterioze midis tyre.
Në të dyja këto marrëveshje, pasi të gjitha ofertat ishin bërë, Taçi zbriti aty nga askund, ndërsa Patton Boggs bënte sehir dhe e bekoi shitjen duke deklaruar se në atë proces pati transparencë të plotë. Por kjo më lë mua shumë dyshime, dhe unë ende pyes me habi se si ndodhi kjo?
Pse ARMO dhe financat e Taçit u përkeqësuan dhe, ndërsa Taçi ishte ngatërruar në një marrëveshje të dyshimtë ligjore me qeverinë e Azerbajxhanit, si mund rastiste që Patton Boggs ishte aq e bindur se Taçi ishte një ofertues i kualifikuar për Albpetrol?
Dhe kjo nuk do të thotë asgjë për faktin se kontrolli i Taçit nga ‘Rruga e Mëndafshtë’ e Vetro-s u njoftua pasi ata u shpërblyen me tenderin. Siç e kam thënë edhe më parë, unë mund të mendoj se janë dy arsye pse Berisha mendoi të qëndronte prapa këtyre skemave.
E para, ai mendon se Shqipëria është një vend i mbushur me budallenj, dhe së dyti, si një diktator i vërtetë, ai pati guximin të mendojë se mund të bëjë çfarëdo që dëshiron. Bazuar në mandatin që i është dhënë Ramës, ai është i detyruar t’i provojë popullit të Shqipërisë që Berisha ka qenë krejtësisht gabim në të dyja këto çështje.
– A është Taçi modeli se si duhet investuar në këtë vend?
– Modeli Taçi është modeli që Shqipëria duhet të vazhdojë të përdorë, në qoftë se shqiptarët janë të kënaqur duke u parë nga bota si një vend i prapambetur, i korruptuar, i sunduar nga gangsterët, ku koncepti i sundimit të ligjit nuk ka kuptim.
Por në qoftë se ata duan të krijojnë një bazë për investime të ligjshme në Shqipëri, ata duhet të fillojnë duke sulmuar në mënyrë agresive të gjitha krimet e qeverisë Berisha, si ARMO, Albpetrol, AEY, Gërdec, dhe 21 janari.
Ka nga ata që thonë se kjo nuk është e mundur të bëhet, sepse Shqipëria po përballet me probleme të mëdha ekonomike, ndërsa mund të ketë disa njerëz në qeverinë e re që të mos kenë dëshirë që këto krime të hetohen.
Unë e kuptoj se Shqipëria ka probleme serioze, jo pak prej të cilave janë ekonomike, por çështjet e ARMO-s, Albpetrolit dhe marrëveshje të tjera të korruptuara do të kenë pasoja të rëndësishme për të demonstruar se qeveria e re do të zbatojë sundimin e ligjit, dhe në proces, do t’u japë investitorëve të huaj besimin se Shqipëria mund të ofrojë transparencë, stabilitet dhe një sistem gjyqësor funksional që janë përbërësit thelbësorë në tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe legjitime.
Dhe pa këto lloj nvestimesh Shqipëria do të mbetet ajo që ka qenë nën Berishën: një republikë bananesh pa banane.
– Kryeministri në detyrë, Sali Berisha vazhdon të marrë vendime si qeveri fuqiplote, pra vazhdon të bëjë privatizime të pasurive publike, ndërkohe që i kane mbetur vetëm tri javë deri sa të marrë detyrën qeveria e dalë nga 23 qershori. A është normale kjo?
– Po, ajo është aq normale, për aq sa mund të presim nga një person me të meta mendore si Berisha.
– Si duhet të sillet qeveria e re me aferat korruptive që ju pëmendëy, ashtu si dhe me ato të Gërdecit dhe 21 janarit?
– Unë i kam shkruar Edi Ramës menjëherë pas zgjedhjeve ku i kam bërë disa sugjerime për qeverinë e tij të re, duke përfshirë se ai duhet të fillojë hetimet në ARMO dhe Albpetrol, si dhe për Gërdecin dhe 21 janarin.
Tani është koha për të që të veprojë, sepse shqiptarët kanë folur me zë të lartë dhe ata i kanë dhënë Ramës një mandat për t’i trajtuar fort këto probleme. Këto probleme nuk mund të anashkalohen apo të fshihen nën qilim, sikurse kam dëgjuar disa që po i bëjnë thirrje atij për të mos vepruar.
Edhe pse ekonomia mund të jetë një prioritet, kjo nuk do të thotë që çështjet e tjera të mos trajtohen. Edi Rama e di se të qenit Kryeministër nuk është një punë e lehtë dhe ai duhet të rritet duke u përballur me sfidat dhe të trajtojë probleme të shumta.
Siç kam bërë edhe në të kaluarën, unë do të jem i lumtur t’i ofroj shërbimet e mia vullnetarisht për të siguruar informacion në lidhje me ARMO-n, Albpetrol-in dhe AEY-n, të cilat mund të ndihmojnë në hetimet.
– Në ç’aspekte mund të ofrohet ky informacion dhe ky shërbim?
– Sepse fjala vjen Patton Boggs është marrë me marrëveshjet si me ARMO-n dhe Albpetrolin, dhe unë besoj se roli vendimtar në këto marrëveshje duhet gjithashtu të hetohet. Unë do të doja të di nëse marrëdhëniet e Patton Boggs me qeverinë e Azerbajxhanit janë faktor në këtë ekuacion.
Unë e thashë që në fillim se nuk mendoj që Patton Boggs ka pasur ekspertizë për të trajtuar privatizimet, por unë nuk mendoj se Berisha kujdesej për këtë, sepse ai kishte ide të tjera.
Sipas meje, unë besoj se Taçi për të fituar tenderat e ARMO-s dhe Albpetrol ishte paracaktuar nga Berisha, ndërsa Patton Boggs u soll aty sa për vitrinë. Kam deklaruar më herët se unë nuk besoj që Patton Boggs duhet të kishte qenë në atë rol, sepse unë nuk mendoj se ata kishin ekspertizën.
Mbi të gjitha, Patton Boggs ka deklaruar se garancia prej 85 milion euro ishte e vlefshme, por me vetëm disa thirrje telefonike unë kam krijuar bindjen se garancia e menduar ishte një mashtrim. Sikurse është thënë, unë nuk mendoj se Ekspertiza në privatizimin e aseteve të industrisë së energjisë ishte ndër kriteret kryesore për përzgjedhjen e Patton Boggs.
Kështu pra, si pjesë e hetimit të ARMO-s dhe Albpetrol, unë mendoj se duhet të hetohet gjithashtu edhe roli i Patton Boggs.
Është koha për të ndaluar dënglat dhe të bëhet ajo që duhet bërë, në mënyrë që Shqipëria të mund të bëhet një vendi i respektuar siç dhe e meriton të jetë.
– Faleminderit, Zoti Kokalari!