Davide Pecorelli, 47-vjeçari italian i cili inskenoi vdekjen e tij në Shqipëri, është arrestuar nga policia në vendin fqinj.
Sipas mediave vendase, Pecorelli do të ekstradohet drejt Shqipërisë, pasi ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare.
Nga hetimet e Policisë së Shtetit të Perugias rezultoi se, në janar të vitit 2021, 47-vjeçari, për të shmangur borxhet financiare të kontraktuara në Itali, i kishte vënë flakën makinës së marrë me qira në Shqipëri.
Brenda automjetit u gjetën eshtrat e një personi, për të bërë më të besueshëm vdekjen e tij.
Më pas ai u gjet i gjallë më 17 janar 2021, në ishullin Montecristo (Itali).
Prokuroria mbylli hetimet 2 muaj më parë dhe e akuzon italianuin për 5 vepra penale: Akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Mashtrim” në bashkëpunim, neni 143/3-25 të Kodit Penal, për veprën penale të “Dhunimi i varreve” të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 118-25 i Kodit Penal, për veprën penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 301-25 të Kodit Penal, për veprën panele të “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 151/2-25 i Kodit Penal, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, neni 297 të Kodit Penal.