Afera korruptive për inceneratorin e Elbasanit do të nisë së shpejti gjykimin. Ditën e djeshme, Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) pranoi kërkesën e SPAK për të marrë të pandehur 10 persona dhe 2 biznese, mes tyre ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-Sekretarin e Përgjithshëm të kësaj ministrie, Alqi Bllakon si dhe biznesmenët Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja.
Nga ana tjetër, në seancën e ardhshme do të vendoset nëse 9 prej të akuzuarve do gjykohen me gjykim të shkurtuar, siç kanë kërkuar dhe e pandehura Etleva Kondi, që ka kërkuar gjykim të plotë.
SPAK i akuzon këtë grup personash për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.
Kujtojmë që javën e kaluar, SPAK nuk pranoi të rrëzonte akuzat ndaj Kokës dhe Bllakos për inceneratorin e Fierit. Kjo dosje pret përgjigje nga GJKKO, për të cilën akuzohen dhe Zoto, Mërtiri dhe Gugallja.
Emrat e 10 pandehurve dhe 2 bizneseve që do gjykohen
10 të pandehurit për djegësin e Elbasanit janë: biznesmenët, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri, Stela Gugallja; ish-ministri i Mjedidit, Lefter Koka; ish-Sekretari i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako; Pëllumb Abeshi, ish-kryetar i Komisionit për dhënien e inceneratorit dhe ish-drejtor i politikave në Ministrinë e Mjedisit; Bardhyl Çabiri, ish-anëtar i Komisionit nga Bashkia e Elbasanit; Etleva Kondi, ish-anëtare e Komisionit për dhënien e koncesionit; Jonida Zeqo, ish-anëtare e Komisionit për dhënien e koncesionit si dhe Serafin Papa, ish-anëtar i Komisionit. Po ashtu, edhe dy kompanitë “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. do të përfshihen në procesin gjyqësor.
Avokati Vishaj: Duhej të merreshin në pyetje ish-zyrtarë të MFE
Njëri prej avokatëve të 10 të pandehurve për inceneratorin e Elbasanit, Saimir Vishaj reagoi ashpër për mediat ndaj vendimit të djeshëm të GJKKO për të nisur procesin gjyqësor për djegësin e Elbasanit. Ai deklaroi se trupa gjykuese hodhi poshtë faktin se për këtë çështje, gjykata e Elbasanit ka dhënë më parë vendim.
Vishaj kritikoi faktin që asnjë prej zyrtarëve apo ish-zyrtarëve të Ministrisë së Financave, duke përfshirë dhe ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj, nuk është hetuar për këtë gjë. Ai akuzoi drejtësinë se ka shpëtuar këta titullarë shteti nga kjo çështje madhore.
“Çështja kaloi për gjykim dhe nuk u mor parasysh fakti që kjo është gjykuar një herë nga gjykata e Elbasanit. U kaluan për gjykim anëtarët e komisionit që bënë një draft-kontratë, ndërkohë që nga Ministria e Financave që duhet të ishin hetuar, mendoj se janë shpëtuar nga SPAK,” tha avokati Vishaj. Në 18 janar, në seancën paraprake të SPAK për inceneratorin e Elbasanit, Vishaj kërkoi që Arben Ahmetaj të merrej në pyetje për këtë dosje, në cilësinë e personit që ka dijeni.
SPAK mashtroi publikisht, tha se po e hetonte Arben Ahmetajn
Në 7 shkurt, SPAK pranoi se po hetonte ish-zv/kryeministrin dhe ish-zv/ministrin e Financave, Arben Ahmetaj, në përgjigje ndaj pyetjes së medias “Faxneës”. Por, dje u konfirmua se ish-nr.2 i qeverisë u shpëtua nga drejtësia dhe politika, pasi nuk do të merret i pandehur për këtë çështje.
Edhe pse pati sinjale të shumta se Ahmetaj mund të dorëzohej nga Rama në dorën e drejtësisë, pas shkarkimit nga detyra e zv/kryeministrit, zërave për largim nga Shqipëria dhe pretendimeve se do të kërkojë azil politik dhe qëndrimit mosbesues të Ramës ndaj ish-vartësit së tij, rasti i Ahmetajt provoi që drejtësia ende është e pafuqishmë për të sfiduar politikën.
SPAK shpëton Ahmetajn, Braho dhe Kuçi nuk u “bindën” nga provat në media
Por, në këtë mes, ish-zv/kryeministri është favorizuar dhe nga prokurorët e SPAK për çështjen e inceneratorit të Elbasanit, Klodian Braho dhe Eneid Kuçi. Ata kërkuan ndarjen e dosjes në 4 akte, duke mos kërkuar bashkimin e kësaj dosjeje me atë të Fierit. E njëjta alibi u përdor prej tyre sa herë që në media denoncoheshin provat që implikonin Ahmetajn me këtë dosje.
Edhe pse provat se Klodian Zoto paguante faturat e udhëtimeve, qëndrimeve në hotel jashtë Shqipërisë për Arben Ahmetajn dhe zyrtarë të tjerë të shtetit dolën në media, prokurorët Braho dhe Nakuçi nuk i kanë konsideruar si provë për të marrë ish-zv/kryeministrin të pandehur, edhe pse ata kërkuan sekuestrimin e kompjuterëve të biznesmenit të inceneratorëve Zoto, nga ku dolën këto prova.
Inceneratori i Elbasanit, 330 mln lekë u dhanë për punë të pakryera
Në procedurën e ndjekur për dhënien e konçensionit dhe lidhjen e kontratës me shoqërinë “Albtek Energy” sh.p.k, është ndjekur proçedura “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit”, procedurë kjo e cila nuk është një nga procedurat e parashikuara në ligj. Lidhur me këtë, Lefter Koka, Alqi Bllako, si dhe të pandehurit e tjerë, janë akuzuar se kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Gjithashtu nga kompania që ka përfituar koncesionin dhe shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit, janë pranuar fatura tatimore dhe kanë paguar detyrime financiare për punime që në të vërtete nuk janë kryer, në vlerën mbi 330 milionë lekë. Të pandehurit, Stela Gugallja, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri në bashkëpunim edhe me Lefter Kokën kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave.