Marie Logoreci (23 Shtator 1920 – 19 Qershor 1988) (Nderi i Kombit) dhe (Artist i Popullit) ishte aktore shqiptare e teatrit dhe filmit. Pioniere e kinematografisë shqiptare.
Paraqitja për herë të parë në film ishte tek Skënderbeu , më pas në filmin e parë shqiptar me metrazh te shkurtër Fëmijët e saj, dhe me pas në filmin e parë shqiptar Tana etj. Me interpretimin e saj në skenë e ekran, ajo ngriti në art karaktere të ndryshme të nënave shqiptare, duke u kthyer vetë në simbol të Nënës shqiptare.
Maria e filloi aktivitetin e saj artistik që në shkollë, ku luante në teatrin e shkollës, vizatonte dhe këndonte. Në vitin 1945 ajo filloi të këndoje në Radio Tirana dhe në koncerte që jepeshin në qytete të Shqipërisë, si dhe shkoi turne jashtë shtetit si soliste e Korit të Përgjithshëm të Shtetit.
Në repertorin e saj ishin rreth 100 këngë. Në 1947 filloi punën në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar). Interpretimi i parë i saj në skenën e teatrit ishte Elmira në komedinë Tartufi të Molierit. Filmi i parë ku mori pjesë ishte bashkëpunimi sovjeto-shqiptar Skënderbeu.
Marie Çurçia lindi në Shkodër më 23 shtator 1920. I ati, Palok Çurçia, ishte zejtar, kurse e ëma Roza, shtëpiake. Të vogël, Marien e thirrën Tushi. Tushi bëri shkollën femërore të “Motrave Stigmatine”, një shkollë që përmbante në programin mësimor edhe lëndë fetare fakultative. Në këtë shkollë, si dhe më vonë në gjimnaz, filluan të duken prirjet e para.
Ajo vizaton bukur, këndon, dhe më vonë fillon ta shoqërojë veten me mandolinë ose kitarë, nuk i pëlqen matematika dhe lënda e besimit. Kënga e vizatimi ishin pasioni i moshës. Fatmirësisht ruhen rreth 20 vizatime të asaj kohe, në të cilat dëshmon një shpirt të butë e delikat dhe një raport fin me objektin që vizaton; dashuria, syri i mprehtë e vëzhgues, harmonia e ngjyrave dhe fantazia në vizatim të bëjnë të mendosh vetëm për talent.
Ne këtë moshë ajo për një kohë të shkurtër mësoi gjuhët italiane e malazeze, por ajo që ndikoi fuqimisht në shpirtin e saj dhe që la gjurmë përjetë ishte njohja që në vogëli me zakonet, traditat dhe eposin e veriut, nëpërmjet malësorëve që bujtnin në shtëpinë e të atit. Njohja, dhe më vonë studimi i këtyre zakoneve, mjedisit, folklorit e etnografisë u bë një pasion i ri për Tushin.
Mosha e rritur
Ajo u largua nga Shkodra në vitin 1937, në moshën 17 vjeçare, duke marrë me vete nga familja përveç frymës atdhetare, talentin, dashurinë për folklorin, mandolinën e saj dhe emrin e shkurtër Tushi që e shoqëroi gjatë gjithë jetës në familje e të afërm.
Maria u martua në Tiranë me Kolë Logorecin, i cili në atë kohë ishte kthyer nga Vjena, ku kishte mbaruar studimet e mesme e të larta për ekonomi, (shef i buxhetit të shtetit në atë kohë dhe djali i Mati Logorecit). Pranë “Miqve të muzikës” kishte ndjekur për pesë vjet mësimet për instrumentin e dashur të Vjenës, violinën. Ai ishte ekonomist shumë i zoti dhe brenda disa vjetësh u bë Shef i Buxhetit të Shtetit dhe mori titullin më të lartë të kohës në Shqipëri “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut”.
Kola ishte djali i madh i atdhetarit e gjuhëtarit Mati Logoreci (Mësues i Popullit), një nga figurat e njohura të shoqërisë së kohës. Ai rridhte nga familja e njohur e Logorecëve që përmendet që në vitin 1300 me emrin Logoreseos. Në shtëpinë e Logorecëve, Maria ra në kontakt me shoqërinë e kohës me bisedat e Matisë me Fishtën, Koliqin, Çabejn, Xhuvanin dhe me bisedat për Luigj Gurakuqin, e Mjedën (të cilin Matia e kishte djalë halle).
Në këtë mjedis pasioni i Maries gjeti terren që të zhvillohej dhe bota e saj shpirtërore e intelektuale u bë më e gjerë. Ajo filloi të mësojë nga i shoqi gjermanisht. Në pasionet e saj u fut edhe biçikleta. Bënte shëtitje duke shkuar me të shoqin me biçikleta shpesh në Durrës, por edhe deri në Shkodër.
Jeta artistike e Marie Logorecit nisi si këngëtare në Radio Tirana në vitin 1945 ku këndoi si soliste, drejtpërdrejt në mikrofon, në emisione 20 minutëshe, këngë popullore të Shkodrës, të Shqipërisë së mesme dhe këngë partizane. Ndërkohë ndoqi një kurs njëvjeçar për kanto që u hap pranë Liceut Artistik në Tiranë, me pedagoge Jorgjia Trujën (Artiste e Popullit). Filloi të këndojë gjithashtu në koncerte që jepeshin në kryeqytet në raste të ndryshme.
Në vitin 1947 merr pjesë si soliste në Korin e Përgjithshëm të Shtetit, me të cilin bëri turne edhe jashtë vendit.
Duke parë aftësinë interpretuese të Maries kur këndonte, i propozuan të punonte në Teatrin Popullor. Ky kalim ishte i vështirë edhe për Marien, dhe për mjedisin. Por familja e emancipuar dhe i shoqi Kola luajti një rol të madh, jo vetëm duke qenë dakord, por edhe duke e ndihmuar, duke e liruar nga shumë punë që ajo të ecte përpara, të zhvillonte talentin e saj. Kështu, në nëntor të vitit 1947 për Marien u hap perdja e jetës së vërtetë skenike, ajo tashmë ishte aktore e Teatrit Popullor.
Rruga e saj skenike kaloi me përpjekje, por me kënaqësinë e përmbushjes së pasionit dhe suksesit. Por kjo rrugë u pengua nga vështirësitë familjare, nga vd ekja e të shoqit Kolës dhe detyrimet që e vetme t’i plotësonte gjithçka të birit, që ai, në atë kohë të formimit të personalitetit e karakterit, të mos ndjente zbrazëtinë që normalisht shkakton mungesa e njërit nga prindërit.
Maria ishte shumë sistematike, gjithmonë e ngarkuar me punë, por gjente kohë që të merrej me kopshtin, me lulet e shumta, me pëllumbat, qentë e macet, të gatuante, të përgatitej për shfaqjen, të lexonte apo dëgjonte muzikë. Nuk thoshte kurrë “u lodha”. Gjithmonë e shihje t’i bënte gjërat shpejt, plot energji e temperament, sa dhe kur ecte, dukej sikur vraponte. Kishte një kujtesë që të mahniste, ajo mbante mend vargjet e legjendave tona, faqe të tëra nga Iliada e Odisea, siç mbante mend tekstet e shfaqjeve që ishin dhënë 30 vjet më parë.
Marie Logoreci ka mbetur në kujtesën e atyre që e kanë njohur, ashtu siç ka qenë, e qeshur, e thjeshtë, e sinqertë, e gjallë e plot jetë; një grua me njohuri të gjithanshme me të cilën kishe dëshirë të bisedoje për çdo gjë e të kërkoje një mendim, një këshillë.
Maria ishte në harmoni të plotë me temperamentin dhe specifikën e të gjitha tipareve të natyrës së saj, që kanë gjetur forcën e shprehjes, thellësinë psikologjike dhe pjekurinë artistike në artin e saj.
Me punën e saj krijuese Marie Logoreci na ka dhënë një galeri të pasur figurash që nuk harrohen për skalitjen me mjeshtri, për forcën shprehëse e realizmin. Gama e roleve të interpretuara nga Maria është e gjerë dhe e pasur në tipa e karaktere të afërt e të kundërt. Mjeshtëria interpretative dhe forca e saj emocionale janë shtrirë që nga anët më të ndritshme të shpirtit njerëzor deri në skajet më të errëta.
Kujtojmë Alisa Lengton, borgjezen kapriçoze, konservatore, tek “Rrënjët e thella”, Kristina Padera, hipokriten e djallëzuar, kreun e komplotistëve tek “Komploti i të dënuarve”, Gertruda, mbretëreshën që lufton me vetveten pa rrugëdalje te Hamleti, Fatimja, gruan e regjur me intrigat e oborrit, sa servile aq arrogante, te Halili dhe Hajria, Bernarda Alba, gruan e zezë me fuqi të ftohtë e tron ditëse.
ush e ka parë, dhe s’u emocionua e nuk fshiu një lot të fshehtë nga interpretimi i Maries në Loken te Toka jonë! Kështu, në veprat e Shekspirit, Molierit, Lorkës, etj., si dhe në veprat kombëtare të Kolë Jakovës, Ndrekë Lucës etj., numri i personazheve të interpretuara dhe numri i madh i figurave artistike të krijuara nga ajo, na japin në tërësi portretin e plotë të kësaj artisteje të shquar. Portreti i saj është veçanërisht shprehës, me tipare të qarta individuale, me ngjyrim të veçantë, me një harmoni të papërsëritshme të brendshme e të jashtme. Karakteri dramatik, ekspresiviteti i lëvizjeve dhe tipareve, temperamenti i flaktë, kanë gjetur shprehje të plotë në të gjithë qenien dhe në vokalin e saj. Ajo di t’i imponojë spektatorit figurën artistike me të gjitha mjetet e arsenalit të saj aktoresk, që nga pasuria intonative e zërit, deri te natyra dinamike e ekspresive e tipareve. Ajo ka arritur ta njohë deri në virtuozitet forcën akustike të zërit dhe veprimin e saj mbi spektatorin.
Puna e gjatë si aktore e bëri që t’i lindë interesi edhe ndaj regjisë. Aktiviteti i saj si regjisore është i suksesshëm, por modest e nuk zë vend me rëndësi në krijimtarinë e saj, por tregon për interesat e saj të gjera, shpirtin krijues që nuk e humbi gjallërinë as nga vitet.
Maria ishte edhe pioniere e kinematografisë shqiptare. Ajo ishte interpretuese në filmin e parë shqiptar me metrazh të shkurtër, në 12 filma të Kinostudios dhe Televizionit. Interpretimi i Marie Logorecit në film ruan deri në një farë mase tiparet e interpretimit skenik. Rolet e para në kinematografi sigurisht kanë pasur vështirësitë e veta, gjë që ajo e ka vënë në dukje duke folur për interpretimin e saj në film. Është e kuptueshme, se ishin hapat e para të kinematografisë sonë, aktorët e teatrit sillnin një farë teatraliteti në interpretim, megjithatë heroinat e krijuara nga Maria në film, janë figura të individualizuara, që ruajnë vlerën e tyre në historinë e filmit shqiptar në raport me kohën.
Maria mbeti një aktore e madhe e skenës. Ajo krijoi artin e saj. Duke qenë vrojtuese e mprehtë e jetës së popullit arriti të mbledhë polenin jetësor e ta hedhë në veprën e saj artistike duke i dhënë spektatorit shpirtin e njeriut. Gjuha e saj artistike është ekspresive dhe me kolor, mjetet skenike që ka aplikuar Maria, janë realizuar prej saj me mjeshtëri duke vënë vulën e vet të interpretimit, atë që ishte personale të Maria.
Rolet më të suksesshëm të saj janë: Xhesi te “Çështja ruse”, Alisa Lengton te “Rrënjë të thella”, Kristina Padera tek “Komploti i të dënuarve”, Fatimja te “Halili dhe Hajrija”, Aljona Patrovna te “Gjashtë dashnorët”, Lokja te Toka jonë, Ledi Milford te “Intrigë e dashuri”, Tringa te “Shtatë shaljanët”, Gertruda te Hamleti, Bernarda Alba te “Shtëpia e Bernarda Albës”, Tadrahova te “Morali i zonjës Dulska”, nëna Xhun te “Muri i madh pakapërcyeshëm”‘, Mara te “Përkolgjinajt”, plaka te “Çatia e të gjithëve”, nëna te Cuca e maleve, Gjela te “Përmbytja e madhe”, etj.
Marie Logoreci vdiq në Tiranë në vilën e saj nga një atak kardiak më 19 qershor 1988.
Marie Logoreci përveç urdhrave dhe medaljeve te ndryshme mban edhe titullin e larte Artiste e Popullit dhe Nderi i Kombit.
Filmografia
1953: Luftëtari i madh i Shqipërisë Skënderbeu(1953) – Kontesha
1957: Fëmijët e saj (1957) – Fatimeja
1958: Tana (1958) – Nëna e Stefanit
1963: Detyrë e posaçme (1963)
1954: Toka jonë (1964)
1966: Oshëtime në bregdet (1966) – Nëna
1969: Njësiti guerril (1969) – Nëna
1973: Operacioni Zjarri (1973)
1975: Gjenerali i ushtrisë së vd ekur (1975)
1978: Nga mesi i errësirës (1978)
1978: Dollia e dasmës sime (1978)
1979: Çeta e vogël (1979)
Në Skenë
1947: Tartufi – Elmira
1947: Çështja ruse – Xhesi
1948: Gishi para hundës – Mici
1948: Platon Kreçiot – Maria Kreçiot
1949: Rrënjë të thella – Alisa Lengton
1950: Komploti i të dënuarve – Kristina Padera
1950: Halili dhe Hajria – Fatimja
1950: Makar Dubrava – Olga Andrejevna
1951: Zëri i amerikës – Misis Kidd
1951: Janë plagët që flasin – Fatimja
1952: Revizori – Znj. Lukiç
1952: Gjashtë dashnorët – Aljona Patrovna
1953: Përmbysja – Sofia Petrovna
1954: Toka jonë – Loke
1955: Përleshja – Sofia
1955: Vajza e thinjur – teto Vana
1956: Armiqtë – Kleopatra Petrovna
1957: Intrigë e dashuri – Ledi Milford
1957: Orët e Kremlinit – Zabelina
1958: Shtatë shaljanet – Tringa
1960: Hamleti – Gertruda
1961: Shtëpia e Bernarda Albes – Bernarda Alba
1961: Ambicja – Bajamja
1962: Mbi gërmadhat – Musinea
1962: Morali i zonjës Dulska – Tadrahova
1962: Rrëshqitja – Fitneti
1963: Shtërngata – Lu Së Ping
1964: Xhaxha Vania – Maria Vojnickaja
1964: Lubov Jarovaja – Pavla Panova
1965: Roje nën llambat neon – Lin Nai Shua
1966: Muri i Madh – Nëna Xhun
1966: Përkolgjinajt – Mara
1967: Drita – Manushaqja – regjia: Marie Logoreci
1967: Cuca e maleve – Prenda
1968: Çatia e të gjithëve – Plaka
1972: Gjenerali i ushtrisë së vd ekur – Kontesha Xampa
1972: Një nuse për Stasin – Nëna
1974: Bashkë me agimin – Drandja
1975: Zonja nga qyteti – Nekia
1976: Lulet e shegës – Havaja
1977: Përmbytja e madhe – Gjela
Dekorime dhe Tituj Nderi
1961: Artiste e Merituar
1969: Titulli “Naim Frashëri”
1975: Artist i Popullit
2015: Nderi i Kombit