Dy vjet më parë ndërroi jetë në SHBA, një nga më të mëdhenjtë e Teatrit dhe Kinematografisë Shqiptare,Pirro Mani.
I paharruar Artist.Regjisori Pirro Mani, Lindi në Tiranë, më 14 prill-(1932 -2021). Pasi mbaroi liceun artistik “Jordan Misja”, për aktor në Tiranë (1954), punoi ca kohë si punëtor, kreu shërbimin ushtarak në Gjirokastër, ku u aktivizua si aktor. Më pas vijoi studimet universitare për regjisure teatri në Institutin Shtetëror të Artit Teatror, Gitis (Gosudarstvjenij Institut TeatraInovo Iskusta), Moskë , në Bashkimin Sovjetik, deri në vitin 1959.
U dallua si një ndër studentet më të mirë të kursit. Luajti aty Edi Karbonen në dramën Pamje nga ura të Artur Milerit, vënë në teatrin Ucebnij të Moskës, pastaj rolin e Hozesë në filmin “Askush, kurrë nuk vdes”, 1959, me operatorët Viktor Gjika dhe Dhimitër Anagnosti. Pasi kreu studimet e larta, punoi si regjisor në teatrin “A.Z.Çajupi” të Korçës deri në vitin 1967 dhe nga ky vit deri në 1992 në Teatrin Popullor, ku për një kohe ishte edhe drejtor i tij (1988-1991).
Ka përgatitur shumë student për aktorë dhe regjisorë si pedagog i Mjeshtërisë së aktorit dhe regjisurës në Institutin e Lartë të Arteve, kurse në vitet 1974-1978 kreu, si pedagog i jashtëm, detyrën e shefit të katedrës së Regjisurës në atë institut. Të shumta kanë qenë shfaqjet e tij në Teatrin Kombëtar dhe teatror dramatikë të Shqipërisë, në Estradën e Tiranës, në Teatrin e Operës dhe Baletit, ku inskenoi disa opera të njohura nga repertori muzikor botëror e ai shqiptar .
Ndihmesa që ai dha për ngjitjen dhe afirmimin e dramës shqipe në skenë mbetet nga meritat kryesore. P.Mani solli qysh herët në teatrin “A.Z.Çajupi” të Korçës një frymë të re, që u përkap gjerazi më vonë nga teatri shqiptar përgjithësisht. Veçmas kjo ra në sy në ngulmimin e tij ndaj mënyrës realiste të lojës së aktorëve, vërtetësisë, kundër këngëzimeve, patetikës, emfazës, shfaqjeve të diletantizmit etj.
Po kështu, solli risi në njëmendësimin me mjete e forma ekspresive të mizanskenës, te dekoreve, aplikimin e guximshëm të konvencionit, nderfutjen e spikamave ekspresioniste, simbolike apo të parimeve konstruktiviste në trajtimin e rrafshit skenik, si p.sh. te dramat; “Pamje nga ura” (1961) e Artur Milerit, “Vdekja e Blanko Postnet” (1962) e Bernard Shout, “Këneta” (1964) sipas romanit të Fatmir Gjatës, “Hijet e natës” (1965) e Vedat Kokonës, “Rrethimi i bardhë” (1966) e Naum Priftit.
Ishte individualiteti më i shquar i regjisurës sonë në vitet ’60-’80. P.Mani spikati për intuitën të mprehtë dhe imagjinatën pjellore. Stili i tij u formësua me tej në Teatrin Kombëtar në vitet 1967-1992.
Me shfaqjet e shumta në këtë teater ai dalloi për vërtetësinë, ashpërsinë dhe konkretësinë e madhe në dhënien e konflikteve dhe tablove të jetës, që funksionalizoheshin rëndom si gjendje apo trysni psikike, herë të llojit satiriko-dramatik dhe herë të llojit tragjiko –heroik (përmendim pjesët: “Fytyra e dytë” ,1968, e Dritëro Agollit; “I pazëvendesueshmi”, 1974, e Qamil Buxhelit; “Përmbytja e madhe” ,1976, e Kolë Jakovës; “Monserati”, 1983, e Robles; “Prometeu”, 1984, e Viktor Eftimiut).
Veçori e P. Manit ishte edhe prirja për të ndërtuar kundërshti e kontraste të forta, me veprime e kahe të përcaktuara, ku ndihej prania e një qëllimi të ngulitur kryekreje, i cili shndërrohej, në fund, në metaforë (“Vajza pa prikë”, 1966, e Nikollaj Ostrovskit, në teatrin “A.Z.Çajupi” të Korçës dhe në Institutin e Lartë të Arteve,1971).
Ngulmimi për stilizimin klasicist të karaktereve, që vizatohen deri në hollësitë e tyre plastiko-ritmike, si dhe vendosja e veprimit në suazat e një mjedisi skenografik të konvencionalizuar, me një mizanskenë të tipit dinamik, ra në sy në trajtimin e çlirët të komedisë së Shekspirit “Nata e dymbëdhjetë” (më 1965, në teatrin “A.Z.Çajupi” të Korçës dhe, sidomos, më 1987 në Teatrin Kombëtar, ku ai aplikoi formën e vodevilit dhe të komedisë muzikore).
Krijimtaria regjisoriale e P. Manit ka rënë në sy, po ashtu, në trajtimin plot nerv e pasion të pjesëve me theksa politike të kohës, si “Cuca e maleve”, 1967, e Loni Papës; “Shënomëni” dhe mua, 1974, e Hamza Minarollit; “Komunistët”, 1981 dhe “Furrnalta”, 1976, të Ruzhdi Pulahës. Ai parapëlqente alternimin e gjendjeve emocionale, me kapërcime të papritura e bashkëjetesa të guximshme të seriozes me qesharaken, të tragjikes e dramatikes me grotesken e komiken, të heroikes dhe të madhërishmes me vulgaren dhe të ultën.
Një synim të tillë e realizoi veçanërisht me vënien në skenë të dramës së Bertold Brehtit, “Arturo Ui” (1971), një nga pjesët teatrore që u realizua enkas dhe me sukses parimet e njohura brehtiane të tjetërsimit, të distancimit, të karakterit rrëfyes të ndodhive, të prerjes së planeve interpretative, te grotesku, të prishjes së iluzionit skenik, të ndërprerjes së qëllimit të aksionit etj.
Në punën me aktorin P. Mani përdori gjerazi metodën e etydeve, çastet improvizuese dhe demonstrimin. Teknika teatrale në imazhin e tij fitonte funksione artistike. Duke pasur hobi arkitekturen, edhe për këtë arsye, mizanskenat e tij ndërtoheshin shpesh vertikalisht (drama “Bidermani dhe zjarrvënësi”,1976, e M. Fisherit).
Ishte mjeshtër i krijimit të skenave masive, i spektaklit madhështor, epiko-heroik, rëndom me theksa kombëtare e shenjime të anëve sublime të historisë së popullit shqiptar, porse brenda një forme realiste e të besueshme të të shprehurit artistik (pjesët: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur, 1972, dramatizimi i P. Manit sipas romanit me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë në Teatrin Kombëtar dhe më 1976 në Teatrin Krahinor të Prishtinës, Kosovë;
“Kush e solli Doruntinën” ,1988, dramatizimi i P. Mani sipas novelës me të njëjtin titull të I. Kadaresë, në Teatrin e Kombësive të Shkupit, Maqedoni; “Epoka para gjyqit”, 1976( drama e Ekrem Kryeziut etj.).
Në shumë shfaqje të tij, P. Mani u ka kushtuar kujdes vizatimit të personazheve kontradiktorë, dyfytyrëshe e të tjetërsuara; gjithashtu metimit për të krijuar “galeri” dhe “mozaik” figurash, karakteresh, në tonime tragjikomoke, shpesh groteske, me truke dhe efekte të qëllimta teatrore, si p.sh. “pikat” apo “goditjet” në fund të tablove, në episode të veçanta etj. I pajisur me cilësi aktoriale, ai luajti bukur rolin e Sali Protopapës në filmin “I teti në bronz” (1969), si dhe disa role të tjera në teater dhe film (Stavri Lara në filmin “Vitet e para”, 1966; babai në filmin “Larg barbarëve”, 1995, të regjisores franceze Liri Begeja). Në vitin 1999 iu dha titulli “Qytetar Nderi” i Korçës.
U largua nga Shqipëria në vitin 2000 dhe emigroi në SHBA, si nënshtetas amerikan. Mban titullin “Artist i Popullit”. Piro Mani ndërroi jetë në moshën 89-vjeçare në SHBA, ku jetonte prej gati dy dekadash me bashkëshorten Pavlina Mani dhe fëmijët e tyre.
I paharruar Regjisori Pirro Mani,per veprat e realizuara ne Teater dhe Film.