“Artistit të Merituar” Roland Trebicka, u nda nga jeta në moshën 66-vjeçar më 6 Mars 2013. Aktori i mirënjohur nuk mundi t’i bënte më ballë sëmundjes së rëndë të kancerit, me të cilën luftonte guximshëm prej dy vitësh.
“Mjeshtri i Madh” do të sjellë gjithmonë buzëqeshjen tek publiku shqiptar me rolin e tij të mirënjohur të Jovan Bregut, në komedinë shqiptare të teatrit “Pallati 176”.
Ai u nda nga jeta në apartamentin e tij në Tiranë pranë të afërmve të tij. Sëmundja e kancerit në mushkëri filloi të jepte shenjat e para të saj në vitin 2011, kohë kur aktori merrej me dramën “Një tablo absurde”.
Trebicka u kurua fillimisht në një klinikë në Francë, por dëshira për të punuar dhe për t’u përballur me publikun shqiptar, e rikthyen atë sërish në skenën e teatrit.
Aktori, ishte larguar vetë nga spitali në Francë ku po merrte kurim, nga ku deklaroi për mediat se e kishte më të lehtë ta përballonte sëmundjen në Shqipëri. Duke mos u larguar nga skena e teatrit, Trebicka luajti për herë të fundit në veprën “Ëndrra e Ismail Qemalit” të vënë në skenë në vitin e fundit, nga Spiro Duni.
Gjatë periudhës së kurimit në Francë, për të u kujdes vajza e tij e cila ndodhej me banim në Paris, ndërsa dy muaj pas shtrimit të Trebickës në spital, qeveria shqiptare miratoi një fond për të financuar kurimin e aktorit.
Por ai u largua përfundimisht nga kjo botë pa arritur ta fitonte betejën dhe pa mundur të realizonte planet e së ardhmes, në art dhe familje në një kohë kur kushte shumë për të dhënë!