Ilir Meta, deklaroi gjatë një interviste televizive këtë fundjavë se largimi i kryeministrit Edi Rama nga pushteti do të bëhet sipas ‘formulës’ së njëjtë që ndodhi dhe rrëzimi i Millosheviçit në Serbi.
Kreu i PL theksoi se ndryshimi do të vijë përmes binomit zgjedhje dhe protesta. Kjo pasi sipas tij, Shqipëria drejtohet nga një bandë që nuk ka respekt për ligjet e vendit dhe qytetarët dhe se largimi i saj nuk mund të ndodh vetëm përmes votës, por nevojiten edhe protestat e fuqishme. “Sot qeverisë në mënyrë arrogante një bandë që nuk ka respekt për ligjin, kushtetutën apo qytetarët. Dhe që e ka shndërruar opozitën në një armike pasi do të asgjësojë llogaridhënien, të kapin gjykatat dhe të jenë zotër të vendit.
Unë kam treguar si ka ikur Millosheviçi, u bënë zgjedhje, por u bënë dhe protesta për të ikur. Protesta dhe zgjedhje, kjo është një formulë e pashmangshme kur kemi të bëjmë me njerëz që kanë humbur çdo lloj përgjegjshmërie ndaj vendit, kombit dhe shtetit dhe kur janë në kushtet e pengmarrjes nga faktorë të brendshëm apo të jashtëm me qëllim dëmtimin e interesave kombëtare dhe që e kanë të pamundur një rotacion paqësor”, deklaroi ai. Më tej kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka folur në lidhje me agresionin ndaj kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë protestës së opozitës më 6 Dhjetor, teksa ka thënë se ishte një veprim i strukturuar kriminal dhe shtetëror.
Sipas tij , agresori i Berishës ka qenë shumë i vetëdijshëm dhe i përgjegjshëm pasi ka studiuar gjithë hapat e veprimit që ka kryer, ndërsa theksoi se ky provokim u bë për të nxjerrë opozitën si destruktive dhe për të acaruar protestuesit. Nuk do doja të flisja për atë moment pasi askush nuk është ndjerë aspak mirë, padyshim që edhe unë nuk kisha si të ndihesha mirë.
Në rastin konkret kemi të bëjmë me një veprim të strukturuar kriminal dhe shtetëror. Një person që ka qenë shumë i vetëdijshëm dhe i përgatitur për këtë akt, ai ka studiuar gjithë vendosjen dhe veprimin. Ajo që është e rëndësishme është që u ruajt kontrolli nga vetë Berisha për ta mbajtur këtë moment si një moment të izoluar dhe për të evituar që personi përgjegjës të mos kishte pasoja dhe për të mos ndikuar te qytetarët.
Ky provokim u bë për të nxjerrë opozitën si destruktive dhe personin si një viktimë. Nuk është ky thelbi, thelbi është që ka pasur një makinë të tërë propagandistike për të justifikuar këtë akt dhe për ta paraqitur atë krejt ndryshe nga si ndodhi.
Koha e fjalëve ka mbaruar, gjërat janë të qarta, jemi përballë një regjimi mafioz. Është i njëjti shtet që organizoi këtë agresion ndaj pluralizmit politik dhe opozitës, është e njëjta dorë që vrau Klodian Rashën, e njëjta që falsifikoi deklaratën e policisë duke i shtuar viktimës së policisë së rilindjes gjoja dhe një pistoletë.
Do vijojmë rrugën e protestave, por ka shumë rëndësi që të jemi shumë të organizuar se sa kemi qenë deri tani në procesin e zgjedhjeve dhe aksionin opozitar dhe mbrojtjen e votës. Protesta ka pasur, ka dhe do të ketë”, nënvizoi Meta.