Thellohen akoma dhe më tej përplasjet sa i takon Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Një ditë më parë gazeta tregoi se si kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe presidenti Ilir Meta ndajnë pikëpamje të ndryshme për këtë institucion, ndërkohë që në dritë kanë dalë informacione të tjera. Momentalisht KED është me 4 anëtarë, pasi 5 të tjerë u shkarkuan nga vetingu.
Ruçi i ka kërkuar disa herë Metës që të hedhë shortin për vendet vakante, por Meta e ka refuzuar. Gazeta ka siguruar informacione më të plota mbi debatin mes palëve dhe sinjalet janë se KED do qëndrojë e bllokuar deri në muajin dhjetor.
KED është organi kryesor që përzgjedh gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe duke qenë se kjo gjykatë është në ngërç, Ruçi i ka kërkuar Metës të ndërhyjë, pasi sipas tij KED nuk merr dot vendim, për faktin se shumica e anëtarëve janë djegur nga vetingu.
Nga 9 anëtarë, kanë ikur: Besnik Imeraj, Altina Xhoxhaj, Artan Broci, Rovena Gashi dhe Gentjan Trenova. Ndërkohë Fatjona Memçaj ka kaluar vetingun, ndërsa nuk kanë hyrë ende në proces Endon Dhimitri, Fatos Qato dhe Ahmet Jangulli.
Ligji e përcakton që shortin për anëtarët e KED e hedh presidenti dhe nëse ai refuzon, kjo e drejtë i kalon Kuvendit. Por Meta në argumentet e tij të fundit ka lënë të nënkuptohet se do e mbajë të bllokuar KED deri në dhjetor. Sipas Kushtetutës, anëtarët e KED zgjidhen me short një herë në vit çdo muaj dhjetor.
Ruçi ja ka bërë të ditur Metës se kjo është situatë e jashtëzakonshme dhe duhet hedhur shorti, por Meta ka dhënë dy argumente. Sipas tij, duhet të hyjin në lojë anëtarët zëvendësues, që është Vitore Tusha, të cilës i ka mbarur mandati si gjyqtare.
Sipas Metës, KED i ka 5 anëtarë dhe mund të marrë vendime. Po ashtu sipas tij, shorti hidhet vetëm në dhjetor. Por problemi qëndron te fakti se të 5 anëtarët duhet të jenë në një mendje, pasi në të kundërt nuk marrin asnjë vendim.