Ilir Meta është pritur nga ambsadorja amerikane Yuri Kim në cilësinë e ish ministrit të Jashtëm në harkun kohor 29 korrik, 2002 – 18 korrik, 2003.
Në një darkë të organizuar me gjithë ish ministrat e Jashtëm, Meta ka mbërritur i pari ku është përshëndetur me shefen e diplomacisë.
Një vit më parë, kreu i shtetit adresoi akuza të forta ndaj Shteteve të Bashkuara ku veç të tjerash solli edhe një skenar ekzekutimi pranë “Malit me Gropa”.
Gjithashtu në takim nuk kanë munguar Lulzim Basha, Ditmir Bushati, Tritan Shehu, Kastriot Islami, Olta Xhaçka, etj.
Sa i përket këtij eventi, ambasada amerikane njofton:
“Si pjesë e festimeve tona për 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, Ambasadorja Yuri Kim pati nderin të ftojë të gjithë Ministrat e Jashtëm të Shqipërisë që prej vitit 1991, për një darkë të veçantë në Shtëpinë Ryerson.
Ambasadorja Kim shprehu vlerësimin e thellë të Shteteve të Bashkuara për kontributet e dhëna nga secili prej Ministrave në zhvillimet dhe arritjet historike të Shqipërisë, përfshirë përparimin e tranzicionit nga komunizmi në demokraci, rrugëtimin e Shqipërisë në NATO dhe drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, kryesimin e OSBE-së dhe sigurimin e një vendi në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Mbi të gjitha, ajo falënderoi Ministrat për rolin e tyre në forcimin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, duke kujtuar se të gjithë ata – diplomatë amerikanë dhe shqiptarë – kanë fatin që të mund të ndërtojnë mbi punën e paraardhësve dhe detyrimin për të hedhur bazat për pasardhësit e tyre.
“Përgëzime për miqësinë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë! Gëzuar, edhe njëqind! Grupi ngriti gjithashtu edhe një dolli për të nderuar ata të cilët nuk mundën t’i bashkoheshin mbrëmjes, Muhamet Kapllani, Alfred Serreqi, Besnik Mustafaj dhe Gent Cakaj”, njofton Ambasada.
Çfarë deklaronte Meta:
Janë 100 ambasada të mbajnë vendin e tyre. Nëse SHBA kanë një problem me mua siç thotë ky qen bir qeni çuni i Kristaq Ramës, SHBA nëse kanë gjë me mu… Unë e di që nuk jam i pavdekshëm, nuk jam nga ata që mendojnë se jam i pavdekshëm, se kur ka vdekur dhe Skënderbeu, jo më Ilir Meta.
I kam thënë që nëse keni gjë me mua më lajmëroni nëse e keni se unë e di që ju më vrisni, më çoni te Mali me Gropa dhe më lëshoni një raketë që të mos dëmtoni njerëzit e tjerë. Takimin e parë ia kam thënë zonjë je këtu për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Amerikës dhe jo mes Serbisë dhe Amerikës.