Nga Alfred Peza/
Dekretimi nga ana e Presidentit të Republikës, e propozimit për emërimin e Kryeministrit edhe në funksionin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, i dha fund një ngërçi të ri artificial. Një ngërç institucional, i cili “de jure” u krijua në emër të Kushtetutës, por që “de facto” u tregua dhe u kuptua publikisht, se ishte pjesë e një loje politike për interesa opozitare të ditës.
Përtej të gjitha analizave që janë thënë deri tani për këtë rast, për ta treguar më qartë dhe thjeshtë këtë lojë, mjafton që të analizojmë njoftimin e posaçëm të zëdhënësit të Presidencës.
Së pari, në këtë tekst të publikuar në faqen zyrtare të kreut të shtetit, thuhet fillimisht se “emërimi i Kryeministrit edhe në detyrën e ministrit është një rast i veçantë, që nuk parashikhet dhe as ndalohet nga Kushtetuta”. Dikush duhet ti rikujtojë këshilltarëve të Presidentit, parimin universal që zbatohet në të gjitha rastet, i njohur botërisht me përkufizimin: Ajo që NUK ndalohet, LEJOHET!
Pra, përderisa Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë NUK e ndalon qënien e Kryeministrit edhe si minister, siç thotë edhe vetë institucioni i Presidenciës për këtë rast, atëherë i gjithë diskutimi tjetër rreth kësaj çështje ka qenë thjeshtë dhe vetëm pjesë e lojës politike.
Së dyti, nëse këtë emërim të z. Rama në këtë funksion nuk e ndaloka Kushtetuta, përse atëherë z. Meta i cili ia kishte propozuar edhe vetë,- siç u tha gjatë takimit të tyre kokë më kokë pas refuzimit të emërimit në këtë funksion të Gent Cakës,- nuk e firmosi menjëherë dekretin. Në njoftimin e Presidencës sqarohet se ky propozim, u ka mbërritur nga Kryeministria në datën 14 janar. Ndërsa tre ditë më pas, u mblodh séanca e jashtëzakonshme e Parlamentit, për të votuar dekretet e emërimit të zv. Kryeministrit dhe minisitrave të tjerë të rinj.
Përse z. Meta nuk e dërgoi edhe këtë dekret të ri, në mënyrë që ai të votohej sëbashku me të tjerët? Çfarë kishte për të menduar kaq gjatë, për një rast kaq të qartë e kaq të pastër nga ana kushtetuese, siç e kanë pranuar edhe vetë? Apo séanca e dekreteve u zhvillua të mërkurën dhe ashtu si rastësisht Presidenti Meta dhe Kryetarja e LSI Kryemadhi, kishin parashikuar që të dilnin të enjten në mbrëmje nëpër emisionet e rëndësishme të debateve politike televizive, siç ndodhi?!
Së treti, në vijim të njoftimit të Presidencës, vërtetohet katërcipërisht nga vetë institucioni se e gjitha çfarë ndodhi, nuk kishte asgjë për tu menduar dhe për tu bërë “me qetësi, por pa dashuri”. Për aq kohë sa, thuhet se: “Presidenti i Republikës vlerësoi këtë propozim (të Kryeministrit, edhe si ministër i Jashtëm) në përputhje me frymën që përcjell Kushtetuta dhe jurispundenca e Gjykatës Kushtetuese”.
Së katërti, pas kësaj Presidenca bie totalisht me këmbët e veta brenda, për rastin e mosdekretimit më parë të Gent Cakës, kur thotë se: “…duke bërë një interpretim të zgjeruar dhe fillestar të dispozitave kushtetutese, si dhe duke mbajtur në konsideratë faktin që, ushtrimi i detyrës së Ministrit nga Kryeministri është një veprimtari shtetërore që shtrihet brenda sferës ekzekutive pjesë e kabintetit qeveritar, struktura e të cilit është në të drejtën e Kryeministrit për tu propozuar…” Kur e drejta e propozimit për ministrin e Jashtëm qënka “në të drejtën e Kryeministrit për tu propozuar”, atëherë përse nuk e dekretoi as herën e parë ministrin e Brendshëm Sandër Lleshi dhe as këtë radhë ministrin e Jashtëm Gent Caka, Presidenti i Republikës sonë?!
Kaq mjafton për të kuptuar, se e gjitha çfarë është luajtur në të dyja rastet e ngërçeve artificiale për dekretet nga ana e z. Meta, kanë qenë thjeshtë dhe vetëm për arësye politike dhe jo Kushtetuese. Një lojë kjo që e ka vendosur Presidentin e Republikës “de facto” jo në pozitën e kreut të shtetit, porn ë atë të kreut të supozuar të opozitës. Për të nxitur dhe krijuar në këtë mënyrë sëbashku me aktorë dhe faktorë të tjerë opozitarë, një krizë artificiale institucionale, në funksion të interesave të tyre politike kundër mazhorancës legjitime.
Kaq mjafton për të kuptuar se çështja Nr. 1 nesër, menjëherë sapo të riorganizohet Gjykata e re Kushtetuese, është pikërisht ajo e refuzimit të Presidentit të Republikës të emërimit për ministrat e rinj të Brendshëm e të Jashtëm dhe mosdekretimi i propozimit për shkarkimin e ministrit Ditmir Bushati. Zyra Nr. 1 e shtetit, e meriton këtë “avantazh” në këtë rast, sa ti jepet mundësia që të përballet e para me drejtësinë e re të Shqipërisë.
/alpenews.al