Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është zbutur që pas takimit të fundit me ambasadoren amerikane Yuri Kim. Ditët e fundit po shohim një distancim të qartë të Metës me ish-kryeministrin Sali Berisha, ku gjatë verës të dy paralajmëruan se revoltat do të shpërthenin në shtator, por një gjë e tillë nuk ndodhi.
Takimi i Metës me amerikanët ka ndryshuar shumë gjëra. Pas atij takimi, revoltat nuk po përmenden më nga ish-presidenti, gjithashtu ai ditët e fundit ka bërë thirrje vetëm për protesta paqësore, të cilën e theksoi dhe tek takimi me Yuri Kim, por dhe në protestën e fundit të 12 nëntorit, ndryshe nga Berisha i cili bënte thirrje për kaos dhe dhunë derisa kryeministri Rama të nxirrej me dhunë nga zyra e tij. Edhe me protestën e 6 dhjetorit mesa duket, Ilir Meta kërkon të ndjekë të njëjtën linjë, por këtë herë është parë më shumë i distancuar.
Sinjalet nga Meta
Sinjalet e qarta janë dhënë ditën e djeshme në takimin mes Metës dhe Berishës. Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta i ka shkuar sërish ish-kryeministrit Sali Berisha në selinë e PD-së, ku kanë zhvilluar një takim që ka zgjatur rreth 30 minuta. Pas takimit kreu i Partisë së Lirisë është pyetur nëse do të marrë pjesë në protestën e 6 dhjetorit.
Meta u përgjigj:”Gjithmonë në protestë kemi qenë”. Ai nuk dha një përgjigje të qartë. Ndërsa në zbardhjen që Sali Berisha bën për takimin me Metën, nuk përmend në asnjë moment protestën e 6 dhjetorit. Berisha thotë se u diskutua gjerësisht për koordinimin e përpjekjeve tona të përbashkëta për mbrojtjen e interesave të qytetarëve shqiptarë nga regjimi i Edi Ramës. Po ashtu është diskutuar për bashkëpunimin elektoral, parlamentar dhe në të gjitha fushat ishin çështje për të cilat u diskutua me frymë të plotë mirëkuptimi.
“Së bashku me sekretarin e përgjithshëm të PD z. Flamur Noka, zhvilluam një takim me kryetarin e Partisë së Lirisë, ish Presidentin Ilir Meta dhe kryetarin e grupit parlamentar të kësaj partie, Dr. Petrit Vasili. Në këtë takim u diskutua gjerësisht për koordinimin e përpjekjeve tona të përbashkëta për mbrojtjen e interesave të qytetarëve shqiptarë nga regjimi i Edi Ramës. Bashkëpunimi elektoral, parlamentar dhe në të gjitha fushat ishin çështje për të cilat u diskutua me frymë të plotë mirëkuptimi”, shkroi dje Berisha në rrjetet sociale. Pra, qëllimi i takimit ishte protesta dhe Berisha nuk shkruan asnjë rresh për të, çka do të thotë se ndoshta palët nuk janë dhe aq të koordinuara.
Sali Berisha plan për dhunë
Mesa duket Ilir Meta i ka bërë llogaritë mirë lidhur me këtë protestë. Nën rreshta dje ai tregoi se nuk është dakord me lëvizjen e Sali Berishës, pasi dita kur kreu i Foltores do të protestojë, Tirana do të presë takimin më të rëndësishëm të Bashkimit Europian të mbajtur ndonjëherë në Ballkan. Protesta mund të degjenerojë në dhunë dhe Ilir Meta i ruhet shumë paraqitjes së figurës së tij para ndërkombëtarëve.
Takimi i Metës me Yuri Kim
Ilir Meta tregoi qartë se në luftën ndaj ndërkombëtarëve, Sali Berisha është i vetëm. Ish-presidenti u shpreh pak javë më parë se marrëdhëniet me SHBA-në i ka pasur gjithmonë të mira dhe sipas tij nuk kanë qenë krisur asnjëherë. “Marrëdhëniet e mia e kam thënë, kanë qenë dhe mbeten gjithnjë shumë të mira. Po me ambasadoren? Besoj se janë mjaft korrekte dhe të hapura”, tha Meta, ndryshe nga Sali Berisha që është zotuar se nuk do t’i shkojë ambasadores amerikane Yuri Kim nëse i kërkon takim. /Elmas Bogdani