Gazetari Adriatik Doçi ka treguar arsyet se përse po hesht Ilir Meta ndaj akuzave që janë ngritur ndaj Arben Ahmetajt.
Doçi thotë se pas arrestimit të Ahmetajt, radhën do ta ketë Ilir Meta, ndërsa tregon edhe provat që ka SPAK kundër ish-presidentit dhe kreut të Partisë së Lirisë.
“Sot Ilir Meta po hesht se pse po përgatit mbrojtjen e tij nga SPAK-u nesër. Ai ka 4 dosje penale në SPAK, dosjet më serioze janë lobimi, shërbimet estetike dhe çështja CEZ-DIA. Në çështjen e fundit janë prova, dëshmi që faktojnë Ilir Metën si pronarin e kompanisë DIA me CEZ.
Dhe siç përdori Arben Ahmetaj bizneset për inceneratorët, Ilir Meta përdori Kastriot Ismailajn për marrëveshjen CEZ-DIA, ku prokuroria ka konfirmuar të paktën 5 milionë euro vjedhje. Vojsava Ismailaj ka deklaruar raporte shumë të forta dhe tregon se si Ilir Meta i kërkonte lekët herë pas here, si dhe hyrje-daljet që kishin dhe lidhjet me çiftin Meta-Kryemadhi.
Kjo është një nga dosjet qe do ketë zhvillime së shpejti. Dosja tjetër është me lobimet në SHBA, të cilat janë konfirmuar. Nëse do ketë një ndërhyrje nga Ilir Meta është shumë e vështirë nga prokurorët e SPAK-ut për të mbyllur sytë përpara këtyre provave. Por nuk besoj që ka gjyqtarë që t’i mbyllin këto dosje”, tha Doçi në “Shqip”.