Juristi dhe aktivistit i njohur, Romeo Kara është shprehur i bindur gjatë një interviste për gazetën “SOT” se Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) do të shkaktojë terror për pushtetarët dhe politikanët e lartë të korruptuar, veçanërisht ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, të cilët janë dy prej figurave më të akuzuara si të përshirë në afera korruptive dhe kriminale. Ai ka komentuar dhe dosjet që prite të shkaktojnë “tërmet” politik në Shqipëri, teksa sipas tij, i rrezikuar kryesor për t’u prangosur është Ilir Meta, për shkak se ky i fundit i ka llogaritë e hapur me drejtësinë sa i takon dosjes “CEZ-DIA”.
Madje juristi dhe aktivistit i njohur, Romeo Kara shkon deri atje sa theksoi se gjithë kupola e Partisë së Lirisë rrezikon të arrestohet në lidhje me aferën e lobimeve të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që ka treguara se ku i ka investuar Meta një pjesë të parave që u ka grabitur shqiptarëve. Nga ana tjetër, zoti Kara thotë se edhe Berisha pritet të ketë të njëjtin fati si Meta, pasi darët e drejtësisë do të bien edhe mbi të, për shkak se ish-kryeministri dhe familjarë të tij janë përfshirë në shumë afera korruptive dhe kriminale.
-Zoti Kara, si ju duket lëvizja e SPAK, e cila tashmë po godet korrupsionin në nivel të lartë, sikundër është rasti i ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili tashmë rrezikon burgun, pasi Prokuroria Speciale kërkon arrestimin e tij, ndërkohë që është shpallur në kërkim ndërkombëtar?
Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit duhet inkurajuar për çdo hap që bën në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ashtu siç duhet kritikuar, që kjo luftë të mos ngelet thjesht një retorike, arrestim apo tentative, por të arrijë rezultate konkrete për dënimin e pushtetarëve të korruptuar dhe rikthimin e pasurive të vjedhura këtij populli. Ky është një hap premtues, por jo përfundimtar, ku era e ndëshkimit ligjor të përhapet ashtu siç duhet, pasi deri më tani, pak ka ndryshuar mentaliteti dhe qasja ndaj pronës publike. Është fakt pozitiv që në rastin Ahmetaj, mazhoranca nuk u bë mburojë, por votoi për t’i hapur rrugë arrestimit të tij.
Jemi në rrugën e krijimit të precedentit ku do të votohet pro ndaj çdo kërkesë të SPAK-ut në raste të tjera të ngjashme. Mendoj se duhen bërë ndryshimet e duhura në Kodin e Procedurës Penale dhe Ligjin për Kuvendin ku të parashikohet që: në momentin që SPAK-ku i drejtohet Kuvendit për heqje imuniteti dhe lejimin e arrestimit në atë moment, automatikisht deputetit për të cilin kërkohet heqja e imunitetit t’i bllokohet pasaporta për udhëtimin jashtë vendit. Nuk mund të lejojmë vazhdimin e precedentit Ahmetaj, kur deputetët kanë kohën e mjaftueshme për të çarë ferrën, kur kërkesa e SPAK-ut për heqje imuniteti paraqitet para Kuvendit.
– A ka ardhur koha që SPAK të godasë edhe djathtas, pasi shohim që shumë zyrtarë të korruptuar po livadhis në lëmin e politikës pa ju hyri gjemb në këmbë? Dy prej tyre janë Ilir Meta dhe Sali Berisha, të cilët janë dy ndër politikanët më të akuzuar si të përfshirë në pastrim parash, afera korruptive dhe kriminale.
Mendoj se SPAK-u ka qenë i komplekësuar deri me tani pre të goditur dy kryetekorruptuarit më të mëdhenj të këtij vendi, Sali Berishën dhe Ilir Metën. Shpata e drejtësisë duhet të binte me kohe mbi ta dhe çdo vonesë ka qenë drejtësi e mohuar. Nuk besoj se SPAK-u ka një justifikim të pranueshëm lidhur për sa me sipër. SPAK-u nuk ka pasur deri me tani kurajon dhe integritetin për t’u përballur me këtë sfidë, e cila është sfida e vërtetë e tij. Përse po ndodh kjo? Qartësisht e majta i ka hapur rrugë çdo hetimi korrupsioni ne radhët e saj, duke mos krijuar një çadër mbrojtëse politike, ndërsa Berisha dhe Meta kërcënojnë tërë kohën për përdorimin e pasuesve të tyre në revolta dhe destabilizim politik nëse SPAK-u tenton të afrohet tek ta. Sidoqoftë, rruga për tek Berisha dhe Meta kalon edhe nga Ahmetaj. Të gjitha rrugët të çojnë në Romë në këtë rast, ose në Burgjejovice do të thoshte Jarosllav Hasheku.
-Po me dosjen CEZ-DIA çfarë po ndodh dhe a rrezikohet kreu i PL, Ilir Meta?
Besoj se hetimi është duke u plotësuar, por, jam i sigurtë se, është mjaftueshëm i tillë, për t’i komunikuar akuzën Ilir Metës edhe tani. Jam mëse i sigurtë se, Ilir Meta do të përgjigjet përpara drejtësisë për aferën DIA-CEZ. Edhe ai vetë e di mirë këtë gjë, por thjesht i jep gajret vetes me retorikën e tij qesharake, kur mundohet të luajë rolin e një dashnori të drejtësisë.
-Gjithashtu Meta akuzohet se është përfshirë në grabitjen e floririt të Krrabës. Keni një koment?
Nuk e njoh në detaje dosjen në fjalë, por, kam një perceptim të sakte për qeverisjen e tij. Ajo ka qenë një kapje e shtetit me qëllim të vjedhjen e pasurive publike, një garë kush të vidhte me shumë, nje stafetë e vërtetë ku hajduti pasonte hajdutin dhe ku ndershmërisë nuk i gjendej as nami e as nishani.
-Po hetimet për aferën e lobimeve në SHBA të LSI, ku janë përfshirë ish-kupola e kësaj partie si ju duket?
Po vërtetohet katërcipërisht ajo që kemi thënë, se me paratë që na kane vjedhur po financojnë mbajtjen e vetes në pushtet, duke lobuar edhe për të na hedhur hi syve me fotot e turpit të përtej oqeanit. Investigimet po provojnë se kemi të bëjmë me financime të paligjshme, të padeklaruara, nëpërmjet kompanive offshore dhe pastrim parash. Nëse drejtësia do të flasë siç duhet, për partisë bandë të Ilir Metës duhet ngritur një burg i veçantë.