Gjin Gjoni, gjyqtari i Gjykatës së Apelit në Tiranë ka sqaruar në Prokurori edhe blerjen e një vile me vlerë 700 mijë Euro në vitin 2012, periudhë në të cilën ka blerë edhe një dyqan me vlërë 150 mijë euro, bashkë me bashkëshorten Elona Çaushi.
Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit shprehet ndër të tjera se anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Kolegjit Zgjedhor ka bërë deklarim të rremë për blerjen e kësaj pasurie të paluajtshme, ndërsa kjo dhe disa pasuri të tjera, sipas ILDKPKI, kanë burim jo të ligjshëm.
Sipas ”Shqiptarja.com”, Gjin Gjoni pretendon para prokurorit se, së bashku me bashkëshorten kanë realizuar kontratën për blerjen e vilës në Farkë, por shton se nuk ka paguar këstet, për shkak të pamundësisë, duke anuluar më pas kontratën, me pretendimin se nuk i ka pëlqyer çmimi.
Dosja e ILDKP për ligjshmërinë e pasurisë së Gjin Gjonit, e siguruar ekskluzivisht nga Shqiptarja.com, mban datën 23.02.2014, ndërsa është referuar tek Adriatik Llalla, asokohe kryeprokuror. Sipas ILDKP, çifti Gjin Gjoni dhe Elona Çaushi e kanë blerë rezidencën në vitin 2012. Po gjatë këtij viti, ata deklarojnë blerjen e një dyqani me vlerë 150 mijë euro, 67 180 euro llogari në Strasburg si dhe 30 000 000 lekë tërheqje dividenti nga shoqëria ‘ADFD’. Për të justifikuar burimin e këtyre pasurive, ILDKP pretendon se Gjin Gjoni dhe Elona Çaushi kanë falsifikuar një kontratë shitjesh aksionesh në një kompani me vlerë 300 mijë euro, kur sipas ILDKP, realisht aksionet janë shitur për 70 000 lekë.
Në vitin 2012 kanë deklaruar: 150 000 euro blerje dyqani me sipërfaqe 77 m2 në Tiranë. 700 000 euro kontratë sipërmarrjeje për ndërtimin e një vile rezidenciale, deklaruar se nuk kanë kryer asnjë pagesë, por sipas kushteve të kontratës së sipërmarrjes, të firmosur nga Gjin Gjoni dhe Elona Çaushi, thuhet se kësti i parë prej 90 000 euro dhe shuma 3 498 euro për impiantin e vaditjes, janë paguar në momentin e nënshkrimit të kontratës, brenda muajit prill 2012. 67 180 euro llogari në Strasburg. 30 000 000 lekë tërheqje dividenti nga shoqëria ‘ADFD’. Për të justifikuar me burime financiare pasuritë e deklaruara, shtetasja Elona Çaushi në procesverbalin e mbajtur në ILDKPKI ka sqaruar se në vitin 2007 ka shitur 70 % të aksioneve të kapitalit të shoqërisë ‘ADFD’, shoqërisë ‘Gerb. Heinemann Albanien Gmbh’, në vlerë 300 000 euro duke paraqitur kontratën me Nr 384 kol, të datës 20.03.2007. Sipas dokumentacionit origjinal që vërteton të njëjtën shitje, e administruar nga përgjigja e QKR, e njëjta kontratë me Nr 384 kol, të datës 20.03.2007, rezulton me vlerë shitje 70 000 lekë.
Kontrata e falsifikuar
Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive thotë se kjo kontratë është e falsifikuar, çka për rrjedhojë i bën të rreme deklaratat e pasurisë të Gjin Gjonit dhe Elona Çaushit. “Shuma 70 000 lekë specifikohet edhe në kërkesën e bërë nga shtetasja Elona Çaushi drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për shitjen e kuotave të lartpërmendura, si dhe në vendimin e kësaj gjykate. Kjo do të thotë që kontrata e paraqitur në ILDKPKI është e falsifikuar dhe si rrjedhojë deklaratat e pasurisë bëhen të rreme dhe shuma e mësipërme 300 000 euro nuk mund të shërbejnë si burim i ligjshëm asetesh.
Thellimi i dyshimeve
Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka konstatuar se shoqëria ‘ADFD’, në vitin 2007, pikërisht kur janë shitur aksionet, rezulton me humbje në vlerën mbi 45 000 000 lekë, fakt që shkon në favor të dyshimeve të fiktivitetit të veprimeve financiare të deklaruara në ILDKPKI nga Gjin Gjoni dhe Elona Çaushi.
Vihet re se shoqëria ‘ADFD’, në vitet 2003, 2004, 2005 dhe 2008 ka rezultuar me fitim në total prej 2 790 121 lekë, ndërsa në vitet e tjera me humbje, sidomos në vitin 2007, humbje në vlerën mbi 45 000 000 lekë, vit në të cilin ka pretenduar shitjen e 70 % të kuotave të kapitalit në shumën prej 300 000 euro, fakt që shkon në favor të dyshimeve të fiktivitetit të veprimeve financiare të deklaruara në ILDKPKI.
Kontrata
ILDKPKI thotë se kontrata për shitjen e 70 % të aksioneve për 300 000 euro është e falsifikuar, çka për rrjedhojë i bën të rreme deklaratat e pasurisë të Gjin Gjonit dhe Elona Çaushit.
Gjin Gjoni dhe Elona Çaushi kanë deklaruar:
Viti 2010
14 000 euro nga shitja e makinës
62 000 euro makinë në bashkëpronësi me Elona Çaushin, likuiduar 25 000 euro.
Elona Çaushi deklaron:
240 320 euro pasuri të paluajtshme
180 000 USD pasuri të paluajtshme
298 000 huadhënie shtetasit Ëerner Mehlber
100 000 euro huadhënie ‘ADFD’
90 000 llogari kursimi në Strasburg
Viti 2011
53 200 000 lekë blerje apartamenti në Tiranë.
180 USD + 140 00 euro nga shitja e apartamentit dhe zgjidhja e kontratës së porosisë.
56 100 euro kthim huaje nga shoqëria ‘ADFD’
30 000 euro principal + 13 896 euro interesa nga Ëerner Mehlber
50 000 euro principal + 16 000 euro interesa nga Werner Mehlber
Viti 2012
150 000 euro blerje dyqani me sipërfaqe 77 m2 në Tiranë
700 000 euro kontratë sipërmarrjeje për ndërtimin e një vile rezidenciale
67 180 euro llogari në Strasburg.
30 000 000 lekë tërheqje dividenti nga shoqëria ‘ADFD
18 konstatimet e ILDKPKI për pasurinë e Gjin Gjonit
1- Falsifikim i kontratës Nr. 384 rep., Nr. 139 kol, të dt. 20.03.2007, për shitjen e 70% të kuotave të aksioneve të kapitalit të shoqërisë “ADFD” sh.p.k, të hartuar me dy vlera të ndryshme, 70.000 lekë dhe 300.000 Euro, deklarim i rremë dhe mungesë burimesh financiare për shumat e mësipërme.
2- Deklarim i rremë në lidhje me burimin e krijimit të aseteve të deklaruara për shumën 300.000 Euro, paraqitja e dokumenteve të falsifikuara dhe burim jo i ligjshëm.
3- Falsifikim i kontratave të huasë të dt. 17.09.2007 në shumën 160.000 Euro, me afat 5 vjet, interes 5% (kthimi deri në Prill 2012) dhe të dt. 22.04.2008 në shumën 138.888 Euro, me afat 5 vjet, interes 5% (kthimi deri në Prill 2013).
4- Deklarim i rremë dhe burim financiar jo i ligjshëm për kontratat e huasë dhënë shtetasit Ëerner Mehlber në shumën totale 298.888 Euro (160.000 Euro + 138.888 Euro).
5- Falsifikim të deklaratave No. 2604 Reg. dhe No. 2605 Reg. të datës 21.05.2010 për kthimin e shumës së huasë prej 60.000 Euro + 24.012 Euro interesa dhe 30.000 Euro + 13.896 Euro interesa nga shtetasi Ëerner Mehlber, pra gjithsej 127.908 Euro, pasi nga sistemi TIMS i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nuk rezulton që ky shtetas të ketë qenë në territorin e Republikës së Shqipërisë në këto data.
6- Deklarim i rremë dhe burim financiar jo i ligjshëm për deklaratat për kthimin e huasë nga shtetasi Ëerner Mehlber në shumën totale 90.000 Euro principal (60.000 Euro + 30.000 Euro), dhe 37.908 Euro interesa (24.012 Euro + 13.896 Euro), gjithsej 127.908 Euro.
7- Deklarim i rremë në lidhje me kontratën e sipërmarrjes Nr. 1416 Rep, Nr.167 Kol, dt. 24.04.2012 të vilës rezidenciale në Farkë, tip “Champagne”, në shumën 700.000 Euro.
8- Fshehje në vitin 2010 e aktivitetit si person fizik “Bar” me NIPT L01616024T, i bashkëshortes.
9- Fshehje në vitin 2012 e aktivitetit të shoqërisë “ALBCOS – Albanian Cosmetics” me NIPT L21309006C, ku shtetasja Elona Shpëtim Çaushi figuron të jetë administratore dhe ortake zotëruese e 100% të kuotave të kapitalit.
10- Fshehje në vitin 2012 e aktivitetit të shoqërisë “Prestige Group” me NIPT L21309007K, ku shtetasja Elona Shpëtim Çaushi figuron të jetë ortake zotëruese e 100% të kuotave.
11- Fshehje në vitin 2010 i aktivitetit të shoqërisë “Terra Toscana Alimantari” me NIPT L02214025H, ku subjekti dhe bashkëshortja Elona Çaushi janë ortakë me nga 50% të kuotave të kapitalit.
12- Deklarim i rremë dhe burim jo i ligjshëm i shumës prej 14.000 Euro të përfituara nga shitja e automjetit të deklaruar në pronësi të vëllait.
13- Falsifikim dokumentesh dhe deklarim i rremë në lidhje me burimin e blerjes me kredi të automjetit tip Benz me vlerë 62.000 Euro në vitin 2010, pasi rezulton se në dt. 0.04.2010 nga ana e subjektit i është likuiduar shoqërisë “Auto Star Albania” vlera totale e automjetit, ndërsa kontrata e kredisë me Landeslease sha. është lidhur në dt. 23.04.2010, pra tre ditë më vonë.
14- Burim financiar jo i ligjshëm, i dyshimtë dhe pa dokumentacion ligjor justifikues për kontratat e blerjes të apartamentit në Tiranë me vlerë gjithsej 53.200.000 lekë, viti 2011.
15- Burim financiar jo i ligjshëm, i dyshimtë dhe pa dokumentacion ligjor justifikues për kontratat e sipërmarrjes për apartamentet në Tiranë me vlerë gjithsej 176.080 Euro, viti 2008, të cilat më pas janë zgjidhur si kontrata dhe shuma 140.000 Euro është deklaruar si burim krijimi asetesh.
16- Burim financiar jo i ligjshëm, i dyshimtë dhe pa dokumentacion justifikues ligjor për apartamentin me vlerë 180.000 usd, viti 2010, i cili më pas deklarohet i shitur dhe shuma e mësipërme deklaruar si burim krijimi asetesh.
17- Burim financiar i dyshimtë për shpenzimet e padeklaruara për 109 dhe 127 hyrje–daljet nga territori i Republikës së Shqipërisë, përkatësisht i subjektit Gjin Gjoni dhe bashkëshortes së tij, shpenzime të cilat nga të dhënat paraprake dyshohet të jenë rreth 250.000 Euro.
18- Burim financiar i dyshimtë për të gjitha pasuritë e deklaruara në deklaratat e interesave private të subjektit Gjin Gjoni dhe bashkëshortes së tij Elona Çaushi.