Kryetari i FRPD-së, Belind Këlliçi i është kundërpërgjigjur akuzave të kryedemokratit Lulzim Basha se i është bashkuar Foltores së Berishës pasi iu prek interesi personal.
Ai hodhi poshtë këto akuza, duke deklaruar se përfituesi më i madh nga Partia Demokratike është vetëm Lulzim Basha. “Përjashtimet në PD mendoj se nuk i shërbejnë as Bashës dhe as PD. Mendoj se Lulzim Basha është përfituesi më i madh i Partisë Demokratike.
Basha ka qëndruar 10 vite në pushtet, 3 herë ministër e dy vjet si kryetar bashkie, nuk mundet që Basha të sulmojë atë që ka qenë produkt i qeverisjes. Për mendimin tim ka qenë qeverisja më e mirë në këto 100 vjet.
Nuk mund të vendoset shenja e barazisë mes Edi Ramës dhe Sali Berishës dhe për këtë nuk jam dakord. PD po shkon drejt humnerës dhe nëse nuk vepron një herë mirë duhet të flasim për të vërtetat.”, tha Këlliçi.
Ndërsa paralajmëroi se më këto qëndrime dhe përçarja PD po shkon drejt humnerës dhe për këtë duhet të shmangur dhe kërkohet bashkimi i PD-së.
Këlliçi u shpreh se vendimi i PD-së për zgjedhjet në FRPD është nul nuk do të njihet dhe se do jetë vetë forumi që do të realizojë zgjedhjet për kryetarin. “Nuk jemi forumi i shkuma party, ndaj zgjedhjet do t’i bëjë vetë FRPD. Nuk e njohim fare vendimin e Bashës, nuk ka më asnjë vlerë. Nuk ka asnjë nen në statut që i jep të drejtë kryetarit të PD-së të ndërhyjë në zgjedhjet e FRPD”, tha Këlliçi.
Ai mohoi se ka pasur ftesë nga Berisha, por i është bashkangjitur Foltores pasi pjesa më e madhe e rinisë është aty, duke paralajmëruar dhe ish-kryeministrin.
“Unë jam me shumicën, rinia që me ka zgjedhur deputet është aty. Nuk jam ftuar nga Berisha, ka qenë një vendim i imi personal për të marrë pjesë. Kam pasur një bisedë të gjatë me të. Berisha është paralajmëruar që të mos keqpërdorë foltoren e rinisë, atij i është dhënë mundësi në këtë moment që rrallë ndonjë politikani i ka ardhur për të krijuar një hapësirë për politikën e mendimit ndryshe”, tha Këlliçi në emisionin Breaking.