Avokati njohur, Idajet Beqiri ka hedhur akuza të forta në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha.Ky i fundit këtë 29 Nëntor që lamë pas, sulmoi në mënyrë të ashpër Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, ndërsa shkoi deri aty sa i akuzoi partizanët sa kanë kryer genocid në Shqipëri dhe luftë vëllavrasëse në vitet 1941-9944. Por sa i takon kësaj deklarate, gazeta “SOT” bisedoi me avokat Beqirin, i cili shprehu bindjen se Berisha i ka duart e lyera me gjak, ndërkohë që sipas tij, LANÇ është makthi më i madh i kryefoltoristit. Nga ana tjetër, zoti Beqiri është kthyer pas në kohë, teksa gjatë intervistës së tij për gazetën “SOT”, tregon edhe se çfarë i tha Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhejms Bejker në Shqipëri më 22 qershor të vitit 1991 Elez Biberajt kur pa Sali Berishën në podium.
Por nuk ndalet me kaq, pasi juristi dhe politikani i njohur, Idajet Beqiri zbulon për herë të parë për gazetën “SOT” se Sali Berisha dhe i ati i tij kanë strehuar në shtëpinë e tyre në Viçidol të Tropojës babain e kasapit serb që kreu maskara e krime në Kosovë, Radovan Karaxhiçi, madje bën me dije se kreu i “Foltores” ka qenë dëshmitar okular në vdekjen krahut të majtë të Enver Hoxhës, Hysni Kapos.
-Zoti Beqiri, Sali Berisha provokoi për 29-Nëntorin, luftën partizane e cilësoi vëllavrasëse, ndërsa hodhi akuza partizanëve për gjenocid dhe krime. Si ju duket kjo deklarate e forte dhe a kane kryer partizanet lufte “vëlla vrasëse”?
Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare e popullit shqiptar është gjëja më madhore, më e mençur, më heroike, më dobiprurëse që ka bërë Shqipëria dhe populli shqiptar gjatë gjithë historisë së kombit tonë. Lufta e Dytë Botërore për nga pasojat që solli, ishte fatkeqësia më e madhe që i solli botës 62 milion të vrarë, prej të cilëve 6 milion ishin hebrenj. Boshti Berlin-Romë-Tokio, duke përqafuar ideologjinë më çnjerëzore fashiste, ju vërsul të gjithë botës me një luftë të paprovokuar pushtuese, skllavëruese për më të dobëtit, genocidiste, raciale, fetare, kolonialiste, e cila, nëse nuk do të ndalej dhe nuk do të përballohej me rezistencë dhe me mundjen e tyre, bota e sotme do të kishte një konfigurim tjetër.
Me dhjetra, qindra kombësi të ndryshme nuk do të ekzistonin sot, popullsia e botës do të pakësohej me afro 80 përqind më pak, mbi 170 shtete të botës nuk do të ekzistonin sot etj, etj. Duke e njohur këtë rrezik, bota e përgjegjshme, e qytetëruar, e Lirisë, e Pavarësisë dhe e Humanitetit Njerëzor, e përfaqësuar nga Uashington Londër-Paris- Moskë- Pekin, u pozicionuan qartë, fortë, me guxim dhe me trimëri të pashoqe, me sakrifica sublime të paimagjinueshme, kundër bishave nazifashiste. Merita e boshtit progresiv, të qytetërimit perëndimor, të humanizmit njerëzor Uashington- Londër- Paris- Moskë- Pekin ishte ndërgjegjësimi dhe përgjegjësimi i shumicës së vendeve të botës për rrezikshmërinë e pushtimit nazi-fashist dhe dëmet katastrofale që do të vinin nga ky pushtim, për rrjedhojë shumë vende, kombe dhe shtete të botës ju bashkuan këtij boshti të qytetërimit perëndimor botëror.
Për fatin e madh të kombit shqiptar, falë inteligjencës dhe mençurisë së shumë shqiptarëve atdhetarë brenda Shqipërisë, por kryesisht intelektualëve atdhetarë dhe studentëve shqiptarë që jetonin, punonin dhe studionin në Francë, Itali, SHBA, Belgjikë etj, etj, pasi e nuhatën rrezikun nazi-fashist edhe për Shqipërinë, pasi dëgjuan dhe mësuan shumë prej vendeve perëndimore ku studionin dhe punonin rreth bishës çnjerëzore fashiste, u kthyen në Shqipëri dhe së bashku me intelektualët dhe dyert e mëdha atdhetare shqiptare, formuan Partinë Komuniste të Shqipërisë, si antipodin kundër fashizmit, me qëllimin e bashkimit të të gjithë shqiptarëve pa dallime feje, krahine, ideje, etnie, race kundër pushtimit nazi-fashist.
Në sajë të veprimeve të mençura, të guximshme, largpamëse të bijve dhe bijave më të mira të kombit shqiptar, Shqipëria jonë u rreshtua përkrahë boshtit progresiv perëndimor antifashist botëror, duke bërë një organizim perfekt të forcave të armatosura në vend. Shqipëria është i vetmi vend në botë që për numër popullsie, mobilizoi dhe rreshtoi në Ushtrinë Antifashiste Nacional Çlirimtare 70 mijë partizanë, ose 1 partizan për 14 banorë. Shqipëria është i vetmi vend në Luftën e Dytë Botërore që u çlirua nga nazifashistët vetëm me forcat e veta.
Shqipëria është i vetmi vend në Boshtin Antifashist Botëror që tregoi emancipimin e paimagjinueshëm të femrës, pasi në Ushtrinë Antifashiste Nacional Çlirimtare dolën partizane dhe luftuan si heroina mbi 6 mijë vajza dhe gra. Shqipëria bëri sakrificat më të mëdha në Luftën e Dytë Botërore, sepse për këtë luftë dhanë jetën dhe derdhën gjakun e tyre 28 mijë dëshmor, shifra nga më të lartat në raport me numrin e popullsisë në të gjitha vendet e tjera të boshtit Antifashiste. Janë këto arsyet pse Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare i bënë krenare Shqipërinë dhe shqiptarët. Kjo është fitorja më e madhe e kombit shqiptar, fitorja mbi gjithë fitoret e tjera, sikurse ishin edhe Lufta e Vlorës e 1920 kundër Perandorisë Italiane, apo Lufta e Skënderbeut, e Gjergj Aranitasit kundër Perandorisë Otomane e të tjerat me radhë.
Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare ishte nga më të pastërtat antifashiste, nga më të pastërtat kombëtare, nga më të pastërtat çlirimtare.Ushtria Antifashiste Nacional Çlirimtare i priti gjatë dhe punoi e veproi me urtësi, me gjakftohtësi, me durim, me zakon dhe me traditë të mirë shqiptare ndaj forcave ballisto-zogiste, të cilat u pozicionuan keqas dhe mbrapsht në luftën kundër nazi-fashistëve.Forcat e keqpozicionuara ballisto-zogiste nuk u provokuan, nuk u shantazhuan, nuk u anatemuan nga forcat partizane, deri në momentin që ato u bashkuan haptazi si kolaboracionist në qeveritë kuislinge dhe në ushtritë pushtuese fashiste dhe naziste.
Kur këto forca balliste dhe zogiste u bënë një me ushtritë pushtuese nazi-fashist, kur këta udhëhiqnin forcat nazifashiste për të bërë masakra mbi popullin shqiptar, kur digjnin dhe përvëlonin fshatra dhe qytete me shqiptarë brenda tyre, kur filluan të vrisnin e masakronin këshilltarët antifashist të zgjedhur nga populli, atëherë u konsideruan me të drejtë njëlloj si pushtuesit.
Ata ballisto-zogiste, bashkëpunëtorë të nazifashizmit, nuk u vranë se ishin shqiptarë, por u vranë sepse në luftën kundër nazifashizmit nuk u luftua me “snajper”, me qëllim që të mos shkonin plumbat te shqiptarët e pakët bashkëpunëtorë të fashizmit që luftonin në të njëjtën llogore me ta! Ndaj 29-Nëntori, dita e Çlirimit të Shqipërisë nga nazifashistët dhe bashkëpunëtorët e tyre, është dita më e bukur, më e lavdishme, më gëzim plote, pas 28 nëntorit, Shpalljes së Pavarësisë, për Shqipërinë dhe për shqiptarët dhe meriton çdo vit të festohet me madhështi.
-Pse Sali Berisha e urren kaq shumë LANÇ dhe 29 nëntorin 1944, sa deklarohet më keq edhe se një fashist i zi dhe kolaboracionist?!
Ka arsye madhore. “Kërcen Prifti nga belaja”, – thotë populli ynë… A ka patur në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare viktima nga të dyja kampet?As që diskutohet. Por kjo nuk ka asnjë lidhje me të ashtuquajturën “luftë civile”, e cila nuk ka ekzistuar në Shqipëri dhe është “shpikja” djallëzore e ballisto-zogistëve të vjetër dhe të rinj, të cilët meqenëse u pozicionuan në kahun e kundërt të turpit, duan të justifikojnë këtë turp që nuk mund të ç’bëhet, sepse historia është e pamëshirshme, nuk të fal!
-Sali Berisha duket i vetëm në betejën e tij kundër 29 nëntorit, e cila për shqiptarët është një dite e shenjte dhe dita kur vendi është çliruar nga okupatori nazi-fashist.Edhe ambasada e SHBA ka uruar këtë 29 nëntor, ditën e Çlirimit, duke vlerësuar luften partizane dhe vleresuar rreshtim e Shqiperise krah aleateve.Pse Berisha ka kete urrejtje për LANÇ?
LANÇ e renditi Shqipërinë përkrahë SHBA dhe Britanisë së Madhe.Ky është momenti më i madh fatlum për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Renditja e Shqipërisë dhe e shqiptarëvenë krahun e duhur historik në sprovën më të madhe botërore, siç ishte Lufta e Dytë Botërore, guximi i tyre, trimëria e tyre, orientimi i tyre, besnikëria e tyre, posaçërisht ndaj aleatit më të madh dhe më të çmuar të SHBA, n’a ka dhënë pozitivitete të jashtëzakonshme.SHBA n’a i ka respektuar cilësitë tona, ndaj n’a ka mbështetur dhe na mbështet.Kryepozitiviteti i kombit shqiptar të shekullit 21 është shteti i Kosovës, çlirimi i saj nga pushtuesit serb.
Sali Berisha ka përfaqësuar dhe përfaqëson antishqiptarizmin qysh në rininë e hershme të tij dhe në vazhdim. Historia dhe karakteri i tij me plotë vese, njëra prej të cilave egua skizofrenike për të patur pushtet edhe në varr, e ka bërë atë të lig dhe dëmsjellës ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sali Berisha ka probleme të mëdha dhe shumë të rënda me historinë e Shqipërisë.Ai nuk e ka bërë dhe ende nuk e bënë transparencën e plotë të jetës së vet.
I janë evidentuar shumë gjëra të rënda nga jeta e tij. Nëse nuk do të ishte doktori misterioz i bllokut komunist, nëse nuk do të ishte një anëtar i PPSH i dyshimtë dhe i pamerituar për kohën, por që u përfshi në mënyrën më misterioze brenda radhëve të komunistëve të PPSH së Enver Hoxhës, nëse nuk do të ishte “protagonistë” në vdekjen e Hysni Kapos, krahut të majtë të Enver Hoxhës, nëse nuk do të ishte kreu i PD-së, ish President i Republikës, ish Kryeministër etj, gjithçka që është evidentuar për jetën e tij, mund të mos evidentoheshin! Dhe Sali Berisha të jetonte jetën e tij, si çdo qytetar tjetër në këtë vend. Por një njeri që i kërkon popullit votat për t’a qeverisur dhe udhëhequr, ka në të njëjtën kohë detyrimin moral, politik, ligjor dhe kombëtar të bëjë transparencën e jetës së tij.
Kemi një Sali Berisha të dyzuar, dyfytyrësh. Kur bëri biografinë e tij për t’u pranuar në PPSH e Enver Hoxhës, shkroi se familja e tij ishte e lidhur ngushtë me LANÇ, se shtëpia e tij ishte spital partizan, se nëna e tij Sheqere dhe babai Ram, u kishin shërbyer partizanëve etj. Sot nuk e njeh LANÇ, nuk e njeh 29-Nëntorin, e konsideron LANÇ si “luftë vëllavrasëse”, si “luftë civile”, si “gjëmën” më të rëndë të Shqipërisë!
Përse vallë? Në shtypin shqiptar, por edhe të huaj, bashkëpunëtorë të afërt disa vjeçar të Sali Berishës, kanë publikuar se në vitin 1943, në shtëpinë e Prindërve të Sali Berishës është strehuar prej shumë ditësh një udhëheqës çetnik, si ballisto-zogistët tanë, armik i betuar kundër partizanëve të Jugosllavisë së Titos, me emrin Vuk Karaxhiçi.
Pas çlirimit të Jugosllavisë Titua e burgosi Vuk Karaxhiçin si kriminel lufte dhe autor të vrasjes së disa partizanëve. Ky Vuk Karaxhiçi është i ati i kriminalit të luftës Radovan Karaxhiçi.Sali Berisha e ka për detyrë t’i sqaroj shqiptarët për këtë fakt.Çfarë të vërteta ka në këtë ngjarje historike?!Sali Berisha ka lindur në 1 korrik 1944. Në rrethana misterioz dhe të pazbardhura prej tij, e ka ndërruar ditëlindjen në 15 tetor 1944! Pse e ka bërë këtë gjë?Me çfarë lidhet kjo gjë?
Dëshmitari okular Izet Haxhia, ish badigardi kryesor i Sali Berishës, ka deklaruar se kur erdhi Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhejms Bejker në Shqipëri më 22 qershor të vitit 1991, kur e pa Sali Berishën në podiumin e mitingut në Tiranë, pyeti Elez Biberaj: “Ne Radovan Karaxhiçin e lam në Beograd, kur paska mbërritur para nesh në Tiranë”?! “Jo, jo, i ka thënë Elez Biberaj Sekretarit Amerikan Bejker, ky është shefi i opozitës në Shqipëri, Sali Berisha, i cili i ngjan shumë Radovan Karaxhiçit…! Shqiptarët në kushte të tilla, kur mungon transparenca për jetën e tij, ka të drejtën me pashë të thotë se në këtë ndryshim drastik për LANÇ, nga një dashuri pa kufi për të kur u pranua anëtar i PPSH, në një urrejtje kaq të madhe sot, e kanë të drejtën me pashë të thonë me ironi që “gjaku nuk u bëhet ujë” dhe Sali Berisha paska ngjarë nga “kali”, jo nga “pela”!
-Pse PD nuk e njeh 29 nentorin sipas jush?
PD-ja ecën pas “berihait”, domethënë nuk “ja prish” Sali Berishës! Për rrjedhojë bëhen qesharak dhe të vegjël në numur, humbës të përhershëm në të gjitha llojet e zgjedhjeve, edhe sepse populli shqiptar është antifashist në numurin e konsiderueshëm të popullsisë.
Nga ana tjetër, duket që nuk e meritojnë të vinë në pushtet sepse janë primitivë, nuk respektojnë institucionet dhe ligjet e shtetit.Përderisa organi më i lartë ligjvënës i shtetit, Kuvendi i Shqipërisë ka sanksionuar me ligj që 29 nëntori është festa kombëtare zyrtare e Çlirimit të Shqipërisë nga Nazifashistët, cilido shqiptar e respekton dhe e nderon 29-Nëntorin.
-Po ballistet dhe zogistet kane dhene kontribut ne çlirimin e vendit?
Ballisto-zogistët në fillimet e luftës antifashiste patën një organizim me forca të pakëta, por shpresdhënëse. Grupime konkrete të udhëhequra nga nacionalistë me emër jo të keq për kohën, zbrazën edhe pushkë kundër pushtuesve italianë. Madje ka patur dhe aksione të përbashkëta të tyre me njësitet partizane. Më pas, kur e panë që lufta donte “këllqe”, kur e panë që ishin minorancë, me moshën mesatare të atyre që mobilizuan mbi 45-50 vjeç, në një kohë që mosha mesatare e 70 mijë partizanëve ishte më pak se 25 vjeç, kur “i ranë lapsit” dhe u bindën që kurrë nuk mund të bënin “vezën” e partizanëve dhe të vinin në pushtet, “i zbathën brekët” dhe u bashkuan me pushtuesit për të keqen e Shqipërisë dhe të vet tyren…