Nga Pëllumb Kulla
Jemi mbledhur këtu rreth teje, krah shoqes tënde të jetës, Pavlinës së mirë dhe fëmijëve tuaj të mrekullueshëm, për të të përcjellë drejt banesës tënde të fundit. E dimë fort mirë se me mendje, ty sot po të përcjell e tërë bota shqiptare. Është ajo gjithësi, e përhapur sot mbi tërë sipërfaqen e globit.
U bënë dy ditë që po ndahet me ty duke të qenë mirënjohëse dhe shpreh vlerësimet më të larta, për ato që i dhe, për ato që i le dhe të siguron se do të mbetesh i paharruar, në jetë të jetëve.
Ne, shokët dhe miqtë e tu, të ardhur nga të katër anët e kontinentit amerikan, ku na solli rrota e fatit, jemi këtu të të themi se qëkurse i mbylle ata sytë e tu të dashur, bota shqiptare e ndjeu thellë ikjen tënde. Mjetet e komunikimit shtypi dhe media të kushtuan dritë të ngrohtë mbi artin e lartë realist me të cilin trajtove veprat skenike të shquara të dramaturgjisë kombëtare që edhe kur vuanin nga politizimi i tepruar, t’i bëre të dashura, bile edhe të paharrueshme, siç mbeten karakteret Jonuz Bruga, Gjenerali, Bektashi me dy fytyra, Koz Dynjaja, dhe të tjerë…
Falë talentit dhe meritës tënde, por edhe fatit që të pat puthur në ballë, ti, o vullkan krijues, u gjende në shoqërinë e artistëve legjendarë si Kadriu, Naimi, Violeta, Pitarka, Stavri Shkurti, kolegët martirë, Spahivogli dhe Luarasi, të gjithë këta që po të presin në qiellin e përjetshëm.
Po në qiellin e përjetësisë ti do të gjesh mirënjohjen e gjenijve të letërsisë skenike, të Shekspirit, Brehtit, Milerit. Veprat e tyre, duke kapërcyer shumë pengesa, ti ua solle si ushqim shpirtëror artdashësve të uritur të teatrit. Do të mbetet i paharruar roli yt i shkëlqyer i Edi Karbones që mbahet nga “realizimet aktoriale më të mira të teatrit shqiptar në kullotat e dramaturgjisë botërore” (thënë nga Andrea Malo) e plot arritje të tjera në fushën e aktrimit. Duke qenë udhëheqës e frymëzues, regjisori shkrihet e fshihet pas
shkëlqimit të aktorëve që ai drejton dhe ata “padrejtësisht” marrin konkretësinë imazhin, pushtojnë vëmendjen e mijëra e mijëra spektatorëve, shumica e të cilëve nuk e dijnë, bile nuk e ndjejnë, nevojën ta dijnë pjesën e meritës së gjithanëshme të atij që i udhëhoqi, u dha frymë dhe i shtyu në lavdi. Por bashkëpunëtorët e tu, e dijnë se sa pjesë në famën dhe madhështinë e tyre, pat një regjisor si ty, Piro. Për aktorët, skenografët, kompozitorët e Korçës, Tiranës, Elbasanit, Prishtinës e Shkupit, Piro Mani ishte një rastësi fatlume që ata u magnetizuan nga talenti yt.
Personalisht do ta ruaj si një nga periudhat më të çmuara jashtëskenike, këtë amerikanen, teksa telefonikisht që nga Kolorado e pastaj kur u bëmë fqinjë në Nju Jork, shkëmbenim çdo javë edhe heraherës, çdo ditë mendimet mbi teatrin dhe jetën që patëm atje, në atdhe.
Ne binim dakord se historia e vendit tonë do mund të lexohej edhe nëpërmjet historisë së teatrit. Aty shfaqet qartë se si shtrëngimet dhe lëshimet në repertor, përkonin me dritëhijet në trurin e diktatorit të sëmurë nga paranoia. Historia dramatike e dramave të anulluara e atyre që fituan kurora dhe u shkurorëzuan, e spektakleve që u bënë shkak përleshjesh të kryekrerëve, drama që dhanë shkas për internime, transferime dhe burgime autorësh, regjisorësh e piktorësh; e dramave pa vlerë që përfituan e dolën në dritë nga këto lloj përleshjesh, teatri mund ta tregojë fare mirë, në gjuhën e vet, historinë e Shqipërisë në gjysmën e dytë të shekullit XX.
Ti kishe mendimin e urtë se edhe në dramën më të dobët e më skematiken, regjisori i mirë gjen pa tjetër një qoshkë të bukur frymëzuese, një motiv të paprekur, një karakter interesant. Gjen, me siguri, një gozhdë ku lidhet kënaqësia estetike, frymëzimi. Pastaj artisti e zhvesh frutin e ëmbël nga lëvozhga ideologjike dhe arrin ta shijojë. A nuk e frymëzon regjisorin, thoshe ti, një vajzë që u mëson grave shkrim e këndim?! Një partizan 19 vjeçar, që jep jetën duke luftuar e nuk e merr vesh kurrë më, se gjaku i tij u përdor për një skllavëri tjetër më të egër se okupimi?!
Ti, Piro, gërmoje me guxim dhe brutalitet marramendës. Unë e pranoja hapur zilinë që më shkaktoje me një vepër alegorike si “Arturo Ui” e Brehtit, ku bashkë me ty, o regjisor i madh, ndritën të tërë yjet e aktorëve të angazhuar në të. Arturo Ui ishte personifikimi i karrieristit mizor, i diktatorit të pandalshëm para asgjëje në ngjitjen e tij, i demagogut populist, që është moskokëçarës nëse e besojnë apo jo, në ato që thotë. Ne, në Shqipëri, e kishim një të tillë, që na e pat zënë diellin, dhe na e pat bërë ditën natë.
Por kishim dhe Brehtin që sikur ta paskesh njohur, na e pikturoi atë. Ti, krah Brehtit, solle Viktor Eftimiun me “Prometeun” në përballjen e tij me Zeusin: solle Qamil Buxhelin me “Të pazëvëndësueshmin” – puse alegorie, që kanë mbetur nga shfaqjet më të bukura, që të nderojnë ty dhe teatrin ku punove. Në kredot më të dashura estetike të Brehtit kanë qenë “pesë dredhitë për të thënë të vërtetën në diktaturë”. Ja, këto tri vepra, më shumë se të tjerat ta bënë të mundur të shfaqje edhe ti dhelpërinë tënde të bukur dhe të kënaqje ambiciet e tua artistike, kënaqësi që i shijuan të gjithë veç e veç, pa deklaruar, pa komentuar e pa bërë gëk! E tillë ishte koha.
Piro i dashur, e kemi diskutuar bashkarisht, kërkuar dhe gjetur, se përse artistët e skenës dhe ekranit zakonisht vajtohen në mënyrë mbarëpopullore në ikjet e tyre finale. Është një përparësi që kanë ata teksa mbushin miliona mbrëmje me gaz dhe ofshama familjare me të qeshura dhe përlotje. Ndihet si pabarazi tek shohim që ata bien në sy edhe më shumë se sa kur ndahet nga jeta fv një mjek apo shkencëtar i përmasave të mëdha. Shkenca apo mjekësia nuk janë dot lëndë e komenteve dhe diskutimeve nëpër familje. Artistët bëhen gati pjesë e familjes dhe kjo pabarazi është e kuptueshme dhe e përligjur.
Ndaj largimi yt u ndje aq shumë në këto ditë. Se artistët vdesin ndryshe. Ne ti na ke mbledhur këtu, por ne nuk të varrosim dot, Piro Mani. Ne po vemë në dhè vetëm shtatin tënd të munduar nga mosha dhe lëngimi.
Ti mbetesh përjetësisht me adhuruesit e tu e vazhdon t’i gëzosh t’i mësosh, t’u japësh gaz e buzëqeshje dhe t’i frymëzosh siç bëre tërë jetën tënde të ndritur.
I lehtë të qoftë dheu, Piro Mani!
Harrison, NY, 5 qershor 2021
Fjala e përcjelljes