Ngjarja e rëndë e ndodhur verën e kaluar, ku i riu Marvi Mihali humbi jetën për një karikues, tronditi mbarë opinionin publik. Në lidhje me këtë çështje, shoqja e viktimës ka dhënë dëshminë e saj në gjykatë.
Vajza me inicialet G. S., ka rrëfyer se para se të ndodhte ngjarja e rëndë, ajo dhe Marvi kishin qenë bashkë, kur më pas e kishte telefonuar Armendi dhe pas disa insistimeve nga ky i fundit, i ndjeri kishte shkuar për të sqaruar keqkuptimin bashkë me të.
Dëshmitarja është shprehur se në spital, Armendi ia ka pohuar se Marvin e ka vrarë Dejvi, ndërsa i ka thënë se ata ishin të armatosur me thikë dhe ishte larguar nga frika, raporton “Shekulli”.
Gjithashtu, dëshminë e tij ka dhënë edhe roja e kazinosë Besim Sokolaj që ndodhet pranë stadiumit “Dinamo”.
Ai ka thënë se nuk e kishte shumë të qartë situatën, por mbante mend se kishte tre persona që kishin ardhur dhe rreth 5 të tjerë që kishin dalë nga një lokal aty pranë.
Sokolaj ka deklaruar në gjykatë se e kishte parë përleshjen dhe nuk donte të rrezikonte vendin e punës duke ndërhyrë.
Prindërit e viktimës reaguan në gjykatë duke thënë se ndërhyrja e tij mund t’i kishte shpëtuar jetën të birit.