Kryeministri Edi Rama ka mohuar që të jetë ndryshuar pronësia e shkollës “Sami Frashëri”, një akuzë që u ngrit sot nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.
Në një konferencë për shtyp, Rama akuzoi Kryemadhin për shpifje, ndërsa theksoi se shkolla po rindërtohet dhe se puna ka nisur.
“Është një betejë e përditshme për të mos lejuar që faktet të bëhen si avujt e rakisë presidenciale dhe për fat të keq jetojmë në një kohë, ku faktet janë viktimë e rrjeteve sociale, e volumit marramendës të informacionit të paverifikura, e shpërndarjes së qëllimshme të shpifjeve e gënjeshtrave dhe për fat të keq, Monika, Iliri, Saliu, janë absolutisht në vendin e duhur dhe në kohën duhur që të jetë kjo kohë për t’u lëshuar në një shfrim marramendës si ky që po e dëshmojnë çdo ditë, në funksion të çoroditjes së njerëzve.
Gënjeshtrat janë botërisht të provuara si më të shpejtat në arritjen e audiencës dhe më efikase në lënien mbresë te audienca më shumë se të vërtetat dhe kjo betejë është e vështirë.
Shkolla “Sami Frashëri” po rindërtohet, projekti është i shkëlqyer, puna aty ka nisur, dokumentet e pronës janë publikuar edhe sot nga kryetari i bashkisë. Monika thotë kap ça të kapësh, ta hajë kush ta hajë”, tha Rama.