Gjykata e Vlorës ka vendosur sot masën ‘arrest në burg’ për Kasem Prijasi dhe Hysnije Hoxhallari të cilët akuzohen se kanë vrarë dhe më pas djegur në banesë nënë e bir Salkie e Olsi Hoxhollari, ngjarje e ndodhur më 21 janar në Vlorë.
Kasem Prijasi ka thënë se ka vrarë nënë e bir, pasi nuk takonte dot Hysnijen me të cilën kishte një lidhje jashtëmartesore. Ndërkohë nusja e shtëpisë, Hysnije Hoxhallari nuk e ka pranuar krimin dhe ja ka hedhur fajin të dashurit të saj.
“Vrasjen dhe zjarrëvënien e bëri Kasemi. Nuk tregova për vrasjen se i trembesha opinionit”- ka thënë ajo.
Ndërkohë edhe avokati i të pandehurës, Sokol Zotaj ka thënë se Hysnia nuk bashkëpunoi në krim.
“Hysnia nuk bashkëpunoi në krim. Ajo e mori vesh që Kasemi ishte autori, por s’tregoi nga frika e opinionit. Klienti im duhet të dënohet për ‘Moskallëzim krimi’ dhe jo për vrasje”- ka thënë avokati.
Ne foto: Kasem Prijasi dhe Hysnije Hoxhallari
Në foto: Viktimat, nenë e bir Salkie e Olsi Hoxhollari
Ngjarja:
Lidhja jashtëmartesore dyshohet se ka çuar në krimin e dyfishtë të ndërmarrë nga nusja e shtëpisë 32-vjecare në bashkëpunim me të dashurin e saj 26-vjecar ne lagjen ’24 maji’ ne Vlore.
Nënë e bir, janë goditur barbarisht gjatë kohës kur kanë qenë në gjumë dhe për të fshehur gjurmët autorët i kanë vënë flakën shtëpisë. Policia nisi hetimet pas shenjave që konstatuan në trupat e viktimave dhe dyshimeve se bëhej fjalë për vrasje dhe jo ngjarje aksidentale. Policia ka sekuestruar edhe një mjet prerës me të cilën dyshohet se u dhunuan e vranë nënë e bir.
Pas krimit, në dëshminë e saj para hetuesve të çështjes, gruaja e viktimës, nëna e një djali 3 vjeç, është shprehur se ka qenë me burrin dhe vjehrrën deri pak orë para ngjarjes dhe vetë ata i kanë kërkuar që të shkojë të vërë djalin e vogël për të fjetur.