Sali Berisha, në një konferencë për shtyp përpara gjyqit në Gjykatën e Apelit ndaj deputetit Ervin Salianji dhe gazetarit Jetmir Olldashi, tha se qytetarët duhet të reagojnë.
Berisha tha fillimisht se Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj duan dënimin e deputetit Salianji që t’i marrin atij mandatin.
Më tej, ai akuzoi direkt gjykatësit e përfshirë në këtë skandal, duke veçuar emrat e Artan Gjermenit dhe ‘Petra Sadushit’.
Në fund, Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të reagojnë ndaj këtij “gjyqi politik”, duke kërkuar edhe ndjekje penale për të gjithë autorët e këtij procesi, të cilin e quajti stalinist.
“Unë jam sot këtu para jush, për t’u bërë thirrje gazetarëve që të ndjekin këtë proces të turpshëm politik që ka fytyrën dhe vulën e mafias shtetërore shqiptare.
Jam këtu për t’u bërë thirrje të përndjekurve politikë që janë dënuar në diktaturë, që të ndjekin këtë gjyq si dëshmi e rikthimit të gjyqeve staliniste në Shqipëri nga Edi Rama.
Ju bëj thirrje mbarë qytetarëve, të reagojnë ndaj këtij procesi. Unë jam këtu për të kërkuar ndjekjen penale të Ardi Veliut, të ish-kryepolicit të Fierit, Nushit, të oficerëve të turpshëm, bashkëpunëtorë në trafiqe të SHISH, që manipulojnë dhe falsifikojnë provat. Ndjekjen penale të Artan Gjermenit, të ‘Petra Sadushit’, të Blerina Muçit, që zbatojnë vetëm urdhra politikë.
Çështjen e Salianjit PD do e bëjë çështje ndërkombëtare dhe nuk do pranojë rikthimin e gjyqeve politike staliniste,” tha Berisha.
Vetëm nuk e dimë ku do e çojë dosjen e Salianjit, në Paris si padinë kundër Blinken, apo në ndonjë gjykatë tjetër.