Mediat italiane kanë zbardhur detaje të reja në lidhje me arratisjen e tre personave në burgun italian. Raportohet se me sharrë hekuri prenë hekurat e dritares në qelinë e tyre.Pastaj me një çarçaf të përdorur si litar, u ulën në oborrin e burgut dhe vrapuan deri te muri rrethues.
Oficeri i policisë së burgut që vepronte si roje mundi të bllokonte vetëm dy prej tyre, ndërsa tjetri që ishte shqiptar arriti të ngjitej dhe të kapërcejë pengesën.Pasi arriti të kalonte murin rrethues ai arriti të zhdukej nëpër fusha duke humbur gjurmët.
Duket si një film aksion por gjithçka është e vërtetë dhe ka ndodhur në agimin e 8 qershorit, rreth orës 5 të mëngjesit, brenda burgut Santa Bona në Treviso dhe 3 shqiptarë janë protagonistë.
“I arratisuri është një kriminel i regjistruar që skuadra e lëvizshme e Trevisos arriti të kapte në ditët e para të shkurtit të kaluar: Ai është Edison Pula, një shtetas shqiptar 27 vjeç , i mbajtur në burg me një urdhër-arresti evropian për tentativë vrasje, grabitje, posedimi i lëndës plasëse dhe vepra të tjera që lidhen me trafikun e drogës”, shkruajnë mediet italiane.
27-vjeçari u ndalua teksa po bënte pazar në qendrën tregtare Emisfero di Silea në shoqërinë e një bashkatdhetari, Imer Masha.
Të dy fshiheshin në një vilë në Carbonera. Pikërisht nga këtu të dy, ndoshta me bashkëpunëtorë të tjerë, dyshohet se kanë kryer dhjetëra vjedhje mes Marca-s dhe zonës Belluno .
Pula ishte dënuar më parë për rreth pesëdhjetë vjedhje në Trentino dhe sipas hetuesve ai mund të ishte pjesë e komandës që më 14 nëntor kreu grabitjen në vilën e naftëtarit Giancarlo Miotto , dhe gruas së tij Irina.
Policia dhe karabinierët po e ndjekin në të gjithë Marca-n. Ka të ngjarë që 27-vjeçari të kërkojë një rrugë arratisjeje jashtë vendit , ndoshta për t’u kthyer në vendlindje, me bashkëpunimin e ndonjë bashkatdhetari: orët e ardhshme do të jenë vendimtare.