Hyjnë në fuqi ndryshimet në 10 ligjet bazë të reformës në drejtësi. Parlamenti javë më parë ndryshoi ligjet kryesore të reformës, por presidenti nuk i dekretoi dhe ato u kthyen për rishqyrtim.
Dy javë më parë dekretet u rrëzuan dhe ligjet u botuan në Fletoren Zyrtare, çka do të thotë se nga sot ato quhen të hyra në fuqi. Me hyrjen në fuqi të tyre do të kemi zhvillime interesante në shumë prej institucioneve të drejtësisë. Kuvendi ka bërë ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, përmes të cilave Prokuroria e Posaçme orientohet që të godasë korrupsionin në nivel të lartë.
SPAK nuk do të merret më me policët që korruptohen me 500 lekë, por kompetencë e saj do të jenë të gjitha rastet kur niveli i korrupsionit është mbi 50 mijë lekë, ndërkohë që në rastet e tenderave do të hetohen ato raste kur dëmi është mbi 800 mijë lekë.
“Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, deri në vlerën deri në 50,000 Lekë ose ekuivalencën në monedhë të huaj, personit që ushtron funksionin publik, për vete ose për persona të tjerë për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën ose funksionin e tij, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në 1 vit.
Po kjo vepër, kur përfitimi i parregullt i personit që ushtron funksionin publik, për vete ose për persona të tjerë, është mbi vlerën 50,000 lekë, ose ekuivalencën në monedhë të huaj, dënohet me burgim nga 1 deri në 3 vjet”, thuhet aty. Pra me ndryshimet e reja, ka dy zhvillime, së pari ka rritje të dënimit për raste kur kemi të bëjmë me korrupsion mbi 50 mijë lekë.
Nga ana tjetër kompetencë e SPAK do të jetë vetëm paragrafi i fundit, pra për rastet mbi këtë shifër. Një tjetër nen i ndryshuar sa u takon kompetencave të SPAK është Neni 245/1- Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Në kompetencat e SPAK do të jenë vetëm paragrafët 2 dhe 4 të cilat me ndërhyrjet e reja parashikojnë:
1-Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt… kur përfitimi i parregullt, është mbi vlerën 50,000 lek, ose ekuivalencën në monedhë të huaj, dënohet me burgim nga 1 deri në 3 vjet. 2- Kërkimi, marrja ose pranimi, drejtpërdrejt ose tërthorazi,… kur përfitimi i parregullt, është mbi vlerën 50,000 lek, ose ekuivalencën në monedhë të huaj, dënohet me burgim nga 2 deri ne 4 vjet. Por duhet theksuar se kompetencat bazë të SPAK janë çdo akuzë ndaj presidentit, kryeministrit, ministrave, deputetëve dhe ish-funksionarëve të mësipërm.
Zhbllokimi i Kushtetueses
Një ndër ndryshimet më të rëndësishme ka të bëjë me ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit ka 6 anëtarë me mandat të plotë, ndërsa Vitore Tusha është në detyrë sepse i ka mbaruar mandati. Kushtetuesja duhet të ketë 9 anëtarë dhe 3 të fundit i zgjedh Gjykata e Lartë me votim.
Sipas përcaktimeve aktuale, duhet që kur të bëhet votimi të jenë ¾ e anëtarëve të kësaj gjykate që i bie rreth 14 anëtarë nga 19 që ka në total. Por me ndryshimet në ligj është vendosur që të zbresë ky kufizim në ½, pra me 9 apo 10 anëtarë mund të merret vendim. Gjykata e Lartë i ka 3 anëtarë dhe 7 të tjerë janë në proces emërimi.
Sipas draftit të dërguar në Parlament, në nenin 86, pas pikës 4, shtohet pika 5, me përmbajtje si më poshtë: “Deri në emërimin e të paktën tre të katërtat e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, por në çdo rast, jo më vonë se data 31.12.2023, mbledhja e posaçme e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, sipas pikës 3, të nenit 7 /9, të këtij ligji, është e vlefshme nëse marrin pjesë të paktën gjysma e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë”. Një tjetër përcaktim ka të bëjë me punësimin e anëtarëve të Kushtetueses pasi largohen.