Ish-kandidati i PD për deputet, aktualisht anëtar i Kryesisë, Fitim Zekthi, ka përfunduar nën sulmin e portaleve të familjes Berisha, pse është pozicionuar në krah të Lulzim Bashës.
Ironia është se Zekthi, një mbështetës i flaktë i Berishës dhe PD për vite me radhë, kur kandidoi për deputet në Qarkun e Elbasanit u akuzua nga mediat pranë PS, ndërsa tani me të njëjtat akuza e sulmojnë mediat e Berishës.
“Fitim Zekthi, anëtari i Kryesisë së PD-së, është dënuar në nëntor të vitit 2003 për mashtrim.
Zekthi e ka pranuar edhe vetë publikisht, një fakt të tillë, ku ka dorëzuar formularin e dekriminalizmit, ku justifikohet se dënimi ndaj tij nuk është ekzekutuar.
Por, e vërteta qëndron ndryshe.
Sipas një dokumenti me numër 103 i datës 16.01.2003, Drejtoria e Policisë së Qarkut Elbasan, ka referuar në Prokurorinë e të njëjtit qark, materialet në ngarkim të shtetasit Fitim Zekthi, për veprën penale të mashtrimit, parashikuar nga neni 143 i Kodit Penal.
Dokumenti është i firmosur ngadDrejtori i Policisë së Elbasanit që në atë kohë ka qenë Niko Brahimaj.
Anëtari i kryesisë së PD, Fitim Zekthi është denoncuar me 16 Janar 2003, nga kushërira e tij, V. Zekthi për mashtrim.
Sipas Policisë, Zekthi e kishte mashtruar kushërirën duke i marrë një sasi të konsiderueshme parash, dhe një pasaportë personale.
“Kushërira V. Zekthi ka dashur të shkojë tek i fejuari i saj që ndodhet në Angli dhe për këtë ka biseduar me Fitimin, nëse mund ta ndihmonte për t’i nxjerrë një vizë të rregullt turistike për atje.
Fitimi i ka premtuar se do ta ndihmonte dhe i ka kërkuar pasaportën dhe certifikatën personale dhe herë pas herë ai i ka marrë edhe shuma të ndryshme kartmonedhash që shkojnë 1 250 dollarë amerikan dhe 700 000 mijë lekë të vjetra, duke e mashtruar me justifikimin se vizat po i vonon ambasada”, thuhet në procesverbalin e mbajtur nga oficeri i Policisë Gjyqësore, Bledar Çeliku.
Pas këtyre hapave, kushërira, denoncuesja, V. Zekthi e ka takuar edhe herë të tjera për t’i marrë pasasportën dhe lekët e dhëna, por Fitimi është justifikuar, duke e mashtruar në mënyra të ndryshme.
Fitim Zekthi në vitin 2003 është larguar nga Beleshi dhe është vendosur në Tiranë dhe nuk i ka dhënë adresë të saktë kushërirës.
Pra, ka marrë paratë dhe është zhdukur.
Ky denoncim ka kaluar më pas në duart e Prokurorit të rrethit Gjyqësor, Elbasan, Dritan Gripshi”, shkruajnë këto portale.
Tani këto fakte diheshin me kohë, pasi kanë dalë në mediat pranë PS. Vetëm se atëhere ata që e sulmojnë sot Zekthin, heshtnin dhe e mbronin atë.
Sot që ka dalë kundër Berishës, e sulmojnë me të njëtat akuza.
Dhe gjasat janë që do të vijojnë të nxjerrin të palarat e njëri-tjetrit.