Interpol ka njoftuar se presidenti Meng Hongwei, i cili ishte zhdukur në fund të muajit shtator ka dhënë dorëheqje ndërsa presidenti i ri do të zgjidhet në Asamblenë e Përgjithshme që do të mbahet më 18-21 nëntor, transmeton Anadolu Agency.
Në një deklaratë në emër të Sekretariatit të Përgjithshëm të Interpolit thuhet se “Më 7 tetor Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit i cili ndodhet në Lyon të Francës, ka pranuar për të procesuar menjëherë vendimin e Meng Hongweit si presidentit i Interpolit”.
Më tej thuhet se sipas rregullave të Interpolit, deri në zgjedhjen e presidentit të ri, detyrën e presidentit e ka marrë pjesëtari më i moshuar i bordit ekzekutiv, koreano-jugori Kim Jong Yang. Po ashtu njoftohet se presidenti i ri do të zgjidhet në Asamblenë e përgjithshme që do të mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe në mes të datave 18-21 nëntor.
Ditë më parë ishte njoftuar se Meng është zhdukur dhe se kanë filluar hetimet në lidhje me rastin.
Meng para se të zgjidhej president i Interpolit kishte marrë detyra të rëndësishme në Partinë Komuniste të Kinës. Ai më 29 shtator ishte larguar nga Franca për të vizituar shtetin e tij, Kinën, ndërkaq që nga ajo kohë nuk ka informacion për të.
Ndërsa në një deklaratë të sotme nga Komisioni për Diciplinë dhe Auditim i Qendrës së Partisë Komuniste të Kinës thuhet se Meng, i cili është edhe zëvendës ministër i Sigurisë Publike të Kinës është marrë nën hetime për shkak të dyshimeve për shkelje të ligjeve. Meng në muajin nëntor të vitit 2016 ishte zgjedhur president i Interpolit.