Gazetarja e RTK-së, Ardita Sylejmani, ka ndërruar jetë në Budapest të Hungarisë. Gazetarja me prejardhje nga Gjilani dyshohet se ka humbur jetën gjatë procesit të lindjes.
Dyshimet e para janë se ajo ka pasur komplikime shëndetësore ndërsa përkundër përpjekjeve të mjekëve, nuk ka arritur të mbijetojë.
Gazetarja Sylejmani është bashkëshorte e Shpend Bllacës, të punësuarit në stafin diplomatik të Republikës së Kosovës në kryeqytetin hungarez.
Ajo ka lënë pas vetes tre fëmijë, përfshirë edhe vajzën e sapolindur.
Me këtë rast Drejtori Gjeneral i RTK-së Ngadhënjim Kastrati ka lëshuar një telegram ngushëllimi, në të cilin thuhet:
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të koleges, gazetares së dhomës së lajmeve Ardita Sylejmani – Bllaca.
Ardita dha një kontribut të madh në RTK gjatë tërë kohës sa ka punuar në dhomën e lajmeve. Prandaj, humbja e saj është humbje e madhe për Radio Televizionin e Kosovës.
Përkushtimi në punë në secilën detyrë që iu është besuar, si dhe dashuria për profesionin, bëjnë që Ardita Sylejmani – Bllaca të mbetet në kujtesën e familjarëve, miqve dhe kolegëve.
Familja Sylejmani, familja Bllaca si dhe kolege te RTK-se dhe me gjere pranoni ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen e saj nga jeta.