Izraeli ka reaguar ashpër pasi ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov pretendoi se lideri nazist, Adolf Hitler “kishte gjak hebre”.
Ai i bëri komentet në përpjekje për të justifikuar portretizimin e Ukrainës si “naziste” pavarësisht faktit se presidenti i saj është hebre.
Ministria e Jashtme e Izraelit thirri ambasadorin rus për “sqarim” ndërsa ai u kërkoi falje izraelitëve, raporton bbc.
Gjermania naziste vrau gjashtë milionë hebrenj në Holokaustin në Luftën e Dytë Botërore.
Lavrov i bëri këto komente gjatë një interviste për një televizion italian, disa ditë pasi Izraeli shënoi Ditën e Përkujtimit të Holokaustit, një nga rastet më solemne në kalendarin izraelit.
I pyetur se si Rusia mund të pretendojë se po lufton për të “denazifikuar” Ukrainën kur presidenti Volodymyr Zelensky është vetë hebre, Lavrov tha se “unë mund të gaboj, por Hitleri gjithashtu kishte gjak hebre. Njerëzit e mençur hebrenj thonë se antisemitët më të zjarrtë janë zakonisht çifutët”.
Deklarata e ministrit u prit me zemërim në të gjithë spektrin politik të Izraelit.
Kryeministri izraelit, Naftali Bennett tha se “gënjeshtra të tilla kanë për qëllim të fajësojnë vetë hebrenjtë për krimet e tmerrshme dhe kështu të lirojnë shtypësit e hebrenjve nga përgjegjësia e tyre”.
“Asnjë luftë sot nuk është Holokausti apo si Holokausti”, shtoi ai.
Ministri i Jashtëm izraelit, Yair Lapid gjithashtu reagoi me zemërim, duke i quajtur fjalët e Lavrovit “të pafalshme”.
Ndryshe, ka pasur dekada pretendimesh të paprovuara se gjyshi i paidentifikuar i Hitlerit ishte hebre, të nxitur nga një pohim i avokatit të Hitlerit, Hans Frank.
Në kujtimet e tij, botuar në vitin 1953, Frank tha se ishte udhëzuar nga Hitleri për të hetuar thashethemet se kishte prejardhje hebreje.
Frank tha se zbuloi prova se gjyshi i Hitlerit ishte vërtet hebre – edhe pse pretendimi, i cili ka fituar terren në mesin e teoricienëve të konspiracionit, është trajtuar me skepticizëm nga historianët e zakonshëm.