Për t’i veshur Lulzim Bashës kostumin e ri, atë të “pengut të Edi Ramës” dhe të “besëprerit që nuk duhej të kishte lindur”, Sali Berishës i duhet një argument i fortë, me të cilin të justifikojë kapjen e kreut të Partisë Demokratike nga Rilindja.
Pasionantëve të Foltores, u hidhen disa shpjegime për t’ua bërë më të kuptueshme tradhëtinë nga brenda. Thuhet për shembull që kauzat e opozitës, Bashës ia blenë me paratë e oligarkëve, madje çmimin e shitjes ia caktoi vetë Edi Rama.
Një tjetër teori që përsëritet në Foltore është se Basha fillimisht u vu nën presionin e dosjeve “Muzin” dhe “Toyota Auris” dhe me anë të këtyre u mor peng nga pushteti.
I gjendur nën rrebeshin e një mllefi të papërmbajtur të demokratëve që do të kalojnë 4 vite të tjera në opozitë, Lulzim Basha është kapur në befasi. Akuzat që dje ia lëshonin socialistët, sot po i dëgjon nga goja e Sali Berishës.
I tillë është implikimi në dosjen e 3.4 milion eurove të Toyota Yaris, që Basha e denoncoi në parlament dhe që sot Berisha po ia përdor si argument të kapjes nga Edi Rama.
Lapsi.al ka bërë një përmbledhje kronologjike të episodeve kryesore të historisë, ku bie në sy standarti i dyfishtë dhe manipulimet që bëhen nga Foltorja për këtë çështje. Por në anën tjetër, mbetet e paqartë se ku përfundoi hetimi për dekonspirimin e operacionit nga deklaratat e Bashës në Parlament?
21 qershor, Basha akuzon Ballën në parlament për paratë e drogës në makinat Toyota
Socialistët ishin duke qeshur me Lulzim Bashën, kur ky iu drejtua Taulant Ballës duke e treguar me gisht. “Njëri prej atyre që zgërdhihen më shumë (duke treguar me gisht nga Balla, që po qeshte bashke me kryeministrin Edi Rama) ka qenë në Gjermani para tre ditësh. Mbajeni mend këtë që po ju them! Dhe ka porositur një Toyota Yaris! Por ta kanë zbuluar Toyotën, o zgërdhimtar, bashkë me 1.5 milion euro të drogës brenda! Vazhdo qesh, do ta shikosh se çfarë do të tundet para hundës shumë shpejt”,– tha Basha.
24 qershor 2018, kapen në Durrës dy mjete Toyota Yaris me disa miliona euro të fshehura
Tre ditë pas fjalëve të Bashës, në Durrës u kapën dy makina Toyota Yaris me disa miliona euro brenda tyre. Ishte e qartë se bëhej fjalë për paralajmërimin që kishte bërë Lulzim Basha në parlament. 3 persona u arrestuan, dy shoferët dhe administratori i komapnisë që transportoi makinat. Fillimisht u tha në media se ishin 5 milion euro, pastaj zyrtarisht policia njoftoi për gjetjen e 3.4 milion eurove.
25 qershor 2018, Policia njofton se informacionin e mori nga nje agjensi vendase
Të nesërmen e kapjes së parave në Durrës, policia tha se e kishte marrë informacionin nga një agjensi vendase, disa orë pasi Lulzim Basha kishte folur në parlament. Në njoftim u la të kuptohej se informacioni kishte ardhur nga SHISH.
Ditën e enjte, 21 Qershor 2018, në mesditë, gjatë punimeve të Parlamentit në sallën e Kuvendit, është bërë publik fakti lidhur me një automjet tip “Toyota Yaris” me 1.5 milion euro, të zbuluar në Gjermani.
Po atë ditë, të enjten e kaluar, datë 21 Qershor 2018, një agjenci ligj zbatuese shqiptare në orën 17:00, ka njoftuar Policinë e Shtetit lidhur me një informacion për një ngarkesë me trajler që do të sillte disa mjete tip ‘Toyota’, e cila pritej të vinte nga Gjermania, e mes tyre një mjet me sasi eurosh të padeklaruara” thuhej në njofimin e policisë.
25 qershor, Berisha iu bashkua akuzave për Ballën si njeriu që priste eurot në Toyota Yaris
I ashpër u tregua edhe Sali Berisha me Taulant Ballën pas bllokimit të eurove në makinat Toyota në Durrës. Berisha shprehej se nuk e dinte burimin e informacionit të Lulzim Bashës, por nga reagimi i Ballës kuptohej se akuzat ishin të vërteta.
“Balla Yaris sot ra brenda me dy kembet. Ai, per te hedhur poshte pretendimin e mediave se Bashes informacionin ia kane dhene sherbimet e huaja, deklaroi heret ne mengjes se kete informacion Bashes nuk ia kane dhene sherbimet e huaja.
Me kete deklarate Balla indirekt pohonte se ai eshte pritesi i parave por ama Bashes informacionin nuk ia kane dhene sherbimet e huaja por sherbimi informativ kombetar, qe ne te vertet eshte dhe institucioni qe u njoftua nga sherbimet e huaja per parate dhe ai njoftoi policine.
Pra Balla e dine se ky eshte informacion sherbimesh, dhe Xhafa i ka rrefyer Balles se makinat u kapen sepse policine e njoftoi Sherbimi Informativ. Une nuk di se cili eshte burimi i informacionit por di, ashtu siç deklaroi Basha, se ujku eshte Balla, dhe kete e provon vet Balla duke bertitur se nuk ka rendesi ujku por gjurma” shkruante Berisha.
26 qershor 2018 , Berisha ironi me Ballën për Toyota Yaris
Përmes një fotomontazhi, Berisha nuke kurseu ironinë me akuzat që i bëheshin Taulant Ballës për pastrimin e parave duke shpërndarë një meme ku bashkë me dy fotot shkruhej; “Kërkon gjithë jetën qerosin me X6” si dhe “Shikon në rrugë katundarin me Toyota e 5 milionë euro në bagazh”.
27 qershor 2018 Balla kallëzon Lulzim Bashën për shpifje dhe nxjerrje të sekretit hetimor
Taulant Balla akuzoi në prokurori Lulzim Bashën për shpifje dhe për dekonspirim të operacionit të policisë, duke e quajtur të kundraligjshme publikimin e informacionit për paratë në Toyota Yaris.
“ligji e ndalon përhapjen e informacioneve hetimore, sekreteve hetimore apo çdo të dhënë tjetër me pasoja për hetimin, që sikurse rezulton, personat nën hetim janë zhdukur nga Shqipëria duke mos u bërë e mundur kapja e tyre” thuhej në padinë kundër Bashës. Në të vërtetë kushërinjtë Vladi, që ishin edhe organizatorët e sjelljes së parave në Shqipëri u arratisën dhe nuk u arrestuan nga policia.
29 qershor 2018 Prokuroria nis hetimet për dekonspirimin e aksionit, paralelisht gjyqit të Ballës për shpifje
Prokuroria nisi hetimin për dekonspirimin e operacionit të policisë, për shkak të deklaratave të Lulzim Bashës në parlament që njoftonte mbërritjen e eurove në mjetet Toyota Yaris. Dy kushërinjtë Vladi që kishin porositur makinat ishin arratisur, megjithëse njëri prej tyre duhet të priste makinat në portin e Durrësit sipas dëshmive. Dyshimet ishin se ai e kishte kuptuar se policia i kishte zbuluar paratë nga deklarata e Bashës në parlament.
29 qershor 2018 Noka akuzon Taulant Ballën për përfshirje në pastrimin e parave të drogës
Deputeti Flamur Noka akuzoi Taulant Ballën se është përfshirë në pastrimin e parave të drogës. Nga selia e PD-se Noka kërkoi shpjegime nga socialistët për rastin e milionave euro me Toyota Yaris.
“Rasti i 3.4 milionë eurove të drogës me Toyota Yaris është simboli i përfshirjes së maxhorancës së Edi Ramës në pastrimin e parave të drogës, duke nisur nga dy ministrat e brendshëm tek kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla” shkruante Noka në Facebook.
3 shtator 2018 Berisha thotë se një punonjës i SHISH u shkarkua nga detyra për çështjen e Toyota Yaris
Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha me anë të një statusi në Facebook tregoi se një prej drejtorëve të SHISH, Gentjan Lleshi u shkarkua nga detyra për shkak të denoncimit të Bashës për Toyota Yaris. Sipas Berishës, pretendimet ishin false.
“Sigurimi i Shtetit ne krye te SHISH shkarkon, me urdher te Rames nga detyra, pas nje procesi terrori te gjithanshem psikologjik dy mujor, kryetarin e deges te ketij institucioni Gentjan Leshaj me akuzen, absolutisht fallco, se njoftoi opoziten per Taulant Ballen si prites i 5 milion euro para droge me Toyota Yaris. Burime te brendshme bejne me dije se nuk ekziston asnje prove, fakt apo e dhene se Gentjan Lleshi ka komunikuar kurre me njeri per ate problem” shkruajti Berisha.
23 tetor 2018, Basha merret në pyetje në prokurori për dekonspirimin e operacionit
Prokuroria e mori në pyetje Lulzim Bashën pas nisjes së hetimeve për dekonspirimin e operacionit për kapjen e parave në mjetet Toyota Yaris. Pas daljes nga prokuroria, Lulzim Basha e zgjeroi gamën e akuzave duke përmendur edhe deputetë të tjerë socialistë përveç Ballës.
“Prokuroria ka kërkuar dëshminë time për hetimin që ka hapur në lidhje me nxjerrjen e sekretit shtetëror. Ky veprim dëshmon se deklaratat e mia publike për përfshirjen e Taulant Ballës janë të vërteta.
Në këtë aferë Usli Manja dhe Jurgis Çyrbja. Prokuroria ka përgjime zyrtare dhe prova për të kërkuar menjëherë arrestimin e Taulant Ballës. Ka prova dhe fakte për ta kërkuar dekada burg për Saimir Tahirin, Qazim Sejdinin, Vangjush Dakon, Damian Gjiknurin. Ka fakte dhe prova për ta zhdukur Fatmir Xhafajn nga politika” tha Basha.
21 janar 2019, Basha dënohet për shpifje ndaj Taulant Ballës
Lulzim Basha u dënua nga gjykata me 50 mijë lekë gjobë për shpifje kundër Taulant Ballës në Janar të 2019 nga gjykata e Tiranës. Sipas vendimit ai nuk mundi të provojë lidhjen e Ballës mes paratë në Toyota Yaris. Ndërkohë Prokuroria vazhdonte hetimet për dekonspirimin e operacionit.
19 korrik 2019, Basha u përgjigjet prokurorëve belgë për informacionin mbi Toyota Yaris
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha dha dëshminë e tij për rreth 90 minuta nga prokurorët belgë në lidhje me dosjen e “Toyota Yaris”, ku u kapën 3.4 milionë euro. Pas daljes nga prokuroria e Krimeve të Rënda, Basha tha se kishte dhënë akoma më shumë informacion se sa kishte deklaruar në publik.
“Dhashë sot informacione të plota për Toyota Yaris edhe më shumë se kam dhënë në publik. Taulant Balla duhet të ishte sot në pranga. Qeveria e Edi Ramës janë kthyer në shërbim të pastrimit të parave të drogës. Sot gjithçka po bëhet për pastrimin e parave të drogës. Dëshmia është dhe do të mbetet në kuadër të rregullave. Dhashë informacione të plota mbi çështjen duke i qëndruar asaj që kam dhënë në publik”, tha Basha.
Nëntor 2020, sfumohet akuza vetëm për mosdeklarim parash në kufi
Dosja e zhurmshme për 3.4 milion euro të Toyota Yaris ka përfunduar vetëm me akuzën e mosdeklarimit të të ardhurave në kufi, pas një shtetas gjerman, i dënuar më parë për mashtrim me emrin Karlo Rizzoti erdhi në Shqipëri dhe pranoi në prokurori se paratë ishin të tij. Akuza për të gjithë të arrestuarit është pushuar. Akuza fillestare për “pastrim parash në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” është rrëzuar.
27 mars 2021, në mediat pranë qeverisë akuza Bashës se ka lidhje me personat që sollën paratë me Toyota Yaris
Gjatë fushatës së zgjedhjeve të 25 Prillit, Lulzim Basha zhvilloi një takim në Laprakë në datën 27 Mars në një lokal. Në mediat pranë qeverisë u zbulua se lokali ishte i babait të një prej të akuzuarve për sjelljen në Shqipëri të 3.4 milion eurove me Toyota Yaris. Të njëjtën akuzë ia përsërit Berisha edhe sot nga Foltorja.
Sekuestrohen paratë, dënohet me 1 vit burg Ervis Vladi
Elvis Vladi është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 1 vit e 6 muaj burg për gjetjen e 3.4 milionë euro në Portin e Durrësit brenda “Toyota Yaris”. Për shkak të pranimit të gjykimit të shkurtuar, Vladi do të bëjë vetëm 1 vit burg. 3.4 mln euro që u kapën në portin e Durrësit i kalojnë shtetit sipas Gjykatës së Posaçme.
15 nëntor 2021, Rama provokon Bashën për dëshminë ndaj prokurorëve belgë
Teksa Kryeministri Rama ishte duke folur në kuvend, Gazmend Bardhi i fliste nga vendi duke i ndërprerë fjalimin. Në këtë moment, kryeministri Rama lëshon ndaj Bashës një thirrje provokuese duke rikthyer në vëmëndjen cështjen e Toyota Yaris.
“Orë ca është ky mo, orë pse nuk qetësohuni? Më lini të flas. Ka mundësi të mbaroj fjalën unë? Dilni këtu dhe nuk lini gjë pa folur ndërkohë që nuk na lini të flasim neve. Lulzim pse nuk shkon në gjykatën e Belgjikës për ‘Toyota Yaris’? Të kanë thirrur disa herë, pse nuk shkon?”, i është përgjigjur Rama.
Takimet e Foltores, Berisha akuza të forta për ndarjen e parave me Taulant Ballën
Në takimet e Foltores, Sali Berisha lëshon vazhdimisht akuza të forta ndaj Bashës, duke ricikluar momente të veçanta të historisë, implikime që më parë Bashës ia kishin bërë socialistët. Akuzat i nisi në Librazhd, kur tha se Basha kishte mbi kurriz dosjen “Muzin” dhe “Toyota Yaris”. Të forta ishin edhe akuzat që së fundi ia drejtoi ish bashkëpuntorit të tij të ngushtë në foltoren e Kurbinit.
“Po kaq e zezë për ty është dosja Toyota Yaris. Denoncoi në Parlament se do të vijnë 5 mln eurto, të ngarkuara në disa Toyota, do vijnë ditën e shtunë, në këtë këtë orë. I them nga e more vesh këtë? Se ishte gjë konkrete, Toyota Yaris, 5 mln euro, më mori një kamarier nëq telefon, më thotë.
I them bërë një gabim të madh, se u the atyre mos ejani se do t’ju arrestojnë. PO ndiqen me GPS, më tha. Mirëpo, megjithëse e morën vesh, ata erdhën ne Durrës, por 1.5 mln euro i përlanë të tjerët, i ndau me Taulantin, se ça ndodhi nuk u mor vesh.
Më vonë i thonë gazetarët se t’i Lul shkove dhe bëre fushatë te këta që kishin Toyota Yaris. Vijnë hetuesit belgë për të marrënë pyetje Lulzim Bashën, ai zhduket. I them duhet të shkosh se është shumë e dyshimtë kjo që ke bërë. Nuk shkoi. Tani duhet t’i them këtu se Toyotën e ndave me Taulantin ose klanin kriminal, por pa e zbardhur atë do kesh vështirësi të mëdha. Edi Rama është sot, nesër ikën, t’i do të përballesh me drejtësi për Toyota Yaris”, u shpreh Berisha.
Ndërkohë në media është përfolur edhe për thirrje të njëpasnjëshme që prokuroria belge ia ka dërguar Bashës në lidhje me dyshimet se ai dekonspiroi aksionin për kapjen e kushërinjve Vladi. Në anën tjetër nga hetimi që nisi prokuroria shqiptare për dekonspirimin e aksionit, nuk dihet nëse vazhdon apo jo.
E sigurtë është që Basha vetë nuk mundi të sqarojë asnjëherë publikisht ku dhe si u implikua Taulant Balla në këtë çështje, duke lënë hapësirë më pas për interpretime të ndryshme të deklaratës së tij në parlament. Amullia e krijuar më pas në procesin për dekonspirimin e operacionit në Shqipëri për Alfred Vladin dhe në Belgjikë për Ervis Vladin, po i lë shteg kundërshtarëve të tij politikë ta akuzojnë se është peng i një hetimi të mbetur përgjysëm/Lapsi.al