osmaniye escort
1xbet betist supertotobet
ladesbet
bahis siteleri casino siteleri
tesbih
deneme bonusu veren bahis siteleri
Ankara EscortKızılay EscortÇankaya EscortAnkara EscortEryaman EscortSincan EscortEtimesgut EscortElvankent EscortBatıkent Escort
antalya haber
deneme bonusu veren siteler
casibom giriş
istanbul escort istanbul escort bayan
izmir escort
canlı bahis siteleri
casibom
bahis siteleri
casibom
girne casino
ekrem abi starzbet
casibom giriş
Casibom

Historia e memaliotit që i shpëtoi jetën Enver Hoxhës!

Historia e memaliotit që i shpëtoi jetën Enver Hoxhës!

Një rrëfim i rrallë për këpucarin Baço Xhezo, shoku i fëmijërisë i ish-diktatorit

Nga Edmond Ismailati

E konsideroj fatkeqësi, nëse humbasim fakte, të cilat jo vetëm që duhen zbuluar por edhe t’u sillen lexuesit. Aq më shumë kur ende jetojnë edhe nga ai brez që kanë trashëguar dëshmi të tilla dhe i përcjellin ato të gjalla. Flitet për dy dëshmi ku nga brezat e më të moshuarve gjirokastritë, memaliotë, …etj, kanë qenë shumë të folura, por jo të njohura për median e shkruar dhe atë vizive.

Kjo ndodhte pasi në regjimin e kaluar, nuk mund të bëhej publike asgjë pa kaluar në shumë duar, aq më shumë kur përmendej emri i udhëheqësit të asaj kohe. Nëse s’gaboj, pasi kam qenë shumë i vogël, kam dëgjuar se rasti i vetëm është bërë i ditur po nga vetë Enver Hoxha, në një nga veprat në lidhje me kujtimet e tij (për këtë do të flasim më poshtë më me hollësi), ku shkruan për Baçon, një bashkëmoshatar të tij gjirokastrit që i ka shpëtuar jetën. Kjo histori u bë më shumë legjendë tek bashkëmoshatarët e mij memaliotë e sidomos kur shkonim dhe takonim Baçon, një këpucar që kishte këpucarinë e tij në godinën që ndodhej tek vendi i quajtur Gorica, shumë afër ish agjencisë së autobusëve të qytetit Memaliaj.

Baçua ishte bërë një ndër figurat më të njohura, pasi ishte në një moshë me Enver Hoxhën dhe janë rritur bashkë ngaqë ishin komshinj dhe banonin në një lagje. Mbas çlirimit të vendit, si shumë të tjerë, edhe Baçua iu drejtua vendbanimit Memaliaj për të siguruar një vend pune si këpucar duke nxjerr fitime të majme, ngaqë edhe të ardhurat e punëtorëve kanë qenë të mira, pasi punonin në minierë. Këpucarinë e kishte private dhe u shërbente jo vetëm memaliotëve, por edhe fshatarëve që vinin nga fshatrat përreth.

Mbaj mend kur shkoja tek këpucaria e Baços me gjyshin tim Demir Malka (nga ana e mamasë) dhe i lutesha që t’i thoshte Baços të më tregonte ndonjë histori me partizanë, por në të njëjtën kohë që ai më dëgjonte duke vënë buzën në gaz, nga njëra anë riparonte opingat ku i shoqëronte goditjet e kudhrës me çekiç dhe nga ana tjetër këndonte me një zë, sa për veten e tij, duke më lënë të kuptoja se nuk ma kishte ngenë. Kur e pyesja gjyshin që të më tregonte diçka rreth kësaj ngjarje, ma priste shkurt “Je i vogël.

Do ta mësosh më vonë. Lëre Baçon në punë të tij”. Ndoshta ka menduar se ka qenë tepër herët për të ma treguar dhe ka menduar se interpretimi im do të shoqërohej me ndonjë gabim dhe do hapnin probleme të tjera. Aty përballë këpucarisë së tij ku ndodheshin disa pemë Gorice të mbjella në rresht, nën hijen e tyre shikoje gjithmonë fshatarë që vinin e shisnin ndonjë kanistër me domate, vezë, fiq, ftonj apo vargje me qepë.

Si të vegjël që ishim, shkonim shpesh tek këta tregtarë të vegjël dhe blinim ndonjë kokërr ftua apo shegë nga kursimet tona. Aty gjenim shpesh Baçon që mbante veshur një futë të lëkurtë siç mbanin këpucarët në atë kohë dhe lëvizte sa në një fshatar tek tjetri duke qëndruar në gjunjë e në të njëjtën kohë duke dorovitur kokrrën e ftoit sa në një dorë në tjetrën, sa binte në pazarin që u kërkonte për t’i blerë. Aty dëgjonim të flitej shpesh për atë nga më të mëdhenjtë, si: “Ky është ai që është rritur bashkë me Enverin” apo “Kanë ngrënë në një kanaçe”, tjetri thoshte se “I ka shpëtuar jetën”, pak më tutje dikush e cilësonte edhe si vëlla me Enverin. Por këto i dëgjoje edhe në vende të tjera kur binte biseda.

Ajo që më ishte ngulitur mua, ishte rasti i shpëtimit të jetës së Enverit, ndoshta jo e qartë për mua, por më ishte ngulitur sikur e kishte fshehur brenda në një sënduk të madh dhe e kishte mbuluar me rroba që mos ta gjenin gjermanët. Këto mendime më kanë shoqëruar për shumë vite jo vetëm mua por edhe bashkëmoshatarë të tjerë. Këpucar Baçua bisedonte shpesh me moshatarët e tij dhe kur ishte në qejf, kishte raste që tregonte për kujtimet e tij që kishin lidhje edhe me Enver Hoxhën kur ishin komshinj dhe shokë fëmijërie.

Baçua u nda shumë shpejt nga jeta dhe kështu nuk pata fatin që të bisedoja kur isha në një moshë më të madhe, por asqë bëhej fjalë që të hapje ndonjë bisedë me ndonjë të moshuar gjirokastrit për të mësuar më shumë për të kaluarën e Baços me Enverin. Do të vinte kjo ditë e largët që të mësoja më shumë për këtë histori që qarkullonte si legjendë tek ne fëmijët e asaj kohe.

Ngaqë po kontaktoj me shumë të moshuar memaliotë për të grumbulluar më shumë informacione që kanë të bëjnë me memaliotët dhe qytetin Memaliaj, ndesha edhe këtë të Baços. Ishte biseda me bashkëqytetarin Eqerem Goga i cili rrjedh nga një ndër familjet e para në Memaliaj dhe babai i tij Riza Goga ka qenë këpucari i parë në Memaliaj i cili me iniciativën e tij formoi kooperativën e parë artizanale në këtë vendbanim. Pra repartin e parë të këpucarisë duke u bërë bashkë edhe me tre këpucarë të tjerë.

Edhe pse Baçua kishte këpucarinë e tij private e lidhte profesioni me xha Rizanë, e kështu ndihej më i lirshëm në shkëmbimin e bisedave. Eqerem Goga njihet nga të gjithë memaliotët si njeri që ka punuar një jetë në minierë nëpër fronte shumë të vështira, i sakrificës dhe kohët e fundit është vlerësuar me titullin “Qytetar nderi” i Memaliajt. Edhe pse familja e tij ka përjetuar persekutimin nga regjimi i kaluar, ai nuk nguron të rrëfehet. “Baçua ka qenë njeri i mirë, i folur dhe shikonte punën e tij. Një gjirokastrit me prejardhje egjiptiane siç i quajmë ne shqiptarët jevgjit, që punonte këpucar në qytetin Memaliaj qysh në fillimet e saj. Baçua me Enverin kanë qenë komshinj në Gjirokastër. Nëna e Enverit, Aneja, kur kishte lindur Enverin nuk kishte qumësht. I kishte ikur, dhe në atë kohë edhe nëna e Baços kishte lindur Baçon që ishin bashkëmoshatarë. Ashtu siç bënin të gjitha nënat në ato vite kur u ikte qumështi i gjirit mbas lindjes, edhe Aneja e çonte djalin e saj Enverin tek komshia e cila ishte nëna e Baços dhe i jepte gji edhe Enverit. Kështu të dy u rritën bashkë si shokë lagjeje që luanin në të njëjtin sokak por edhe si dy vëllezër që kishin pirë nga i njëjti gji. Më vonë, në kohën kur Enveri ishte udhëheqës i (LANÇ) Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, kishte shkuar ilegalisht për të parë nënën e tij, gjermanët kishin rënë në gjurmët e kësaj vizite dhe e kishin rrethuar lagjen e duke e kërkuar portë më portë në çdo familje.

Enveri kishte gjetur mundësinë që të hynte tek shtëpia e Baços. Baçua bashkë me nënën e tij, e fshehu atë në musandër duke e mbuluar me çfarë mbanin në brendësi të saj. Musandrat në atë kohë ishin një pjesë boshe në brendësi të murit që i përdornin si dollapë që mbanin rroba, dyshekë, jorganë, çarçafë, jastëkë e rroba të ndryshme. Pasi u strehua në thellësinë e Musandrës, ai i shpëtoi kërkimeve të pushtuesve nazistë. Dhe kjo ngjarje që i kishte shpëtuar jetën Enverit bëri shumë jehonë jo vetëm në ato vite, por jehona e saj vazhdonte edhe më vonë, sidomos në Memaliaj ku Baçua jetonte dhe punonte si opingar.

Për këtë gjest fisnik, Enveri nuk ja harronte kurrë. Ai e tregonte me vizitat e tij që i bënte Baços herë pas here në Memaliaj. Ato i bënte sa herë që shkonte në Gjirokastër për ndonjë fjalim, kthehej edhe në Memaiaj për të takuar Baçon, vëllanë dhe shokun e tij të vegjëlisë. Ai bënte opinga tek një repart i vogël që e kishte në një nga ambientet e godinës ku ka qenë edhe furra e vjetër e qytetit Memaliaj në ato vite. Çdo të diel ai merrte çantën e tij të punës dhe shkonte jo vetëm nëpër fshatrat përreth, por edhe më larg. Ishte bërë shumë i njohur jo vetëm për ato që përmenda më lart në lidhje me Enverin, por edhe si një usta dhe njeri i mirë që dallohej për nga shakatë dhe komunikimin e tij me të tjerët.

Një të diel kur kthehej nga puna që kishte bërë në një nga fshatrat përqark, Baçua përtonte që t’i binte nga Ura e Parë, dhe u hodh në lumë për ta kaluar me këmbë aty afër ish arganellës që përdorej për hedhjen e punëtorëve për në sektorë të parë, kthimin e tyre në Memaliaj, po ashtu edhe për transportin e qymyrgurit që e sillnin tek bunkeri për të bërë më vonë shpërndarjen e këtij minerali për nevojat e vendit tonë. Për fatin e keq të Baços, lumi Vjosë atë të diel sa vinte dhe fryhej nga prurjet e shumta që vinin nga ndonjë shi i madh që kish pas rënë në Përmet apo më në Jug, në territorin grek, nga ku Vjosa ka burimin dhe bënte rrugëtimin e saj.

Në vendin ku u hodh Baçua, behareve nuk kishte shumë ujë dhe të gjithë e kalonin me këmbë, ku uji edhe të vegjëlve u arrinte deri tek gjoksi. Por Baçua ngaqë ka qenë i lodhur nga puna dhe nga rruga që kishte bërë prej kthimit nga ndonjë fshat ku kishte shkuar për të punuar u gënjye nga ky vend dhe prurjet e ujit që ishin më të shumta se nga stina e beharit, e morën para dhe e gjetën të mbytur në një fshat që mendohet të jetë Ilirasi. Ky i fundit bashkë me atë të fshatit Qeserat që i përshkon lumi Vjosë, njihen si vendet ku dalin në të shumtën e rasteve të gjithë ata që mbyten në pjesën e sipërme për nga rrjedha e lumit”.

Ndër të tjera, miku im këtu në New York, ing. Besnik Fecanji më tregon: “Ky fakt pasqyrohet në librin e Enver Hoxhës me kujtime “Vite të vegjëlisë”. Aty Enveri përshkruan edhe rrethanat kur Aneja, e ëma, kur ai lindi, nuk kishte qumësht gjiri dhe atë e ka ushqyer komshia e vet e cila ishte jevgë. Enveri, duke e perifrazuar shkruan: “Në atë kohë kur linda, Aneja nuk kishte qumësht gjiri dhe mua më ka ushqyer komshija jonë që kishte edhe ajo një djalë të porsalindur. Prandaj unë jam pak ezmer se familja e asaj komshisë ishin evgjitë. Evgjitët, këtu në Gjirokastër e gjetkë janë njerëz të mirë e kanë si pasion e trashëgim punën e kovaçit dhe instrumentet e muzikës, kur luajnë nëpër dasma. Ashtu si shumë të tjerë edhe unë e kam ditur se origjina e tyre është nga Egjipti, por kjo përshtypje ka qenë e gabuar, se kur kam pyetur e jam konsultuar me ekspertë historianë, ata më kanë konfirmuar se origjina e tyre vjen nga India.”

Gjithashtu edhe legjenda urbane, të cilën e shtjellon z. Eqerem Goga por e përhapur edhe në Memaliaj se ai ka shpëtuar nga gjermanët kur ka hyrë “incognito” në Gjirokastër, në kohën e pushtimit nga nazistët gjerman, mbasi nuk ka asnjë fakt të dokumentuar as nga vetë Enveri, por as nga arkivat me dokumente të asaj kohe, apo më vonë dhe nuk përmendet nga asnjë historian.”

Ndërsa nga biseda me Fabena Qibinin mësoj të shprehet: “Edmond, nuk e di nëse e mban mend Baçon, kopracin simpatik që na rregullonte këpucët e lodhura? E kishte dyqanin tek Gorica, nga mbrapa furrës së vjetër të qytetit. Në stinën e vjeshtës, përballë dyqanit të tij, vinin fshatarët përreth që shisnin ftonj, shegë, vezë, …etj. Ustai simpatik Baço, si gjirokastrit që ishte…., sigurisht donte të kursente. Ç’farë bënte ai? I bënte komplimenta edhe fshatarit më kokëderr që s’ulej në çmim. Përdorte një shprehje të bukur, “Ti je flori 24 karat” … etj. Fshatarit i bëhej qejfi në kulm duke vënë buzën në gaz, ndërsa usta Baçua e mirrte ftoin veresie edhe pse e dinte që përballë tij kishte një tunxh. Në përgjigje të pyetjes tjetër që më bëre, në qytetin tonë të gjithë e dinin që usta Baçua kishte lidhje të afërta me familjen e Enver Hoxhës.

Thuhej që kur lindi Enveri, Aneja nëna e tij, nuk kishte sasi të mjaftueshëm qumështi për ta ushqyer dhe e çon tek nëna e usta Baços për t’i dhënë gji. Ajo kishte qumësht gjoksi, pasi në të njëjtën kohë ushqente edhe Baçon që sapo kishte lindur. Më vonë kurrë u rritën, ishte po vetë Baçua bashkë me nënën e tij që e strehojnë Enver Hoxhën në shtëpinë tyre, për mos të rënë në duart e gjermanëve që nuk lanë shtepi pa kontrolluar në atë lagje. Por pavarësisht nga kjo, ai ishte simpatik dhe shumë modest. E ke parasysh sikur të ishte nena e ndonjë egoisti, apo në vend të Baços, çfarë mund të bënte!?”.

Ndërsa bashkëqytetari ynë Skënder H. Hoxha sjell të tjera kujtime në lidhje me Baçon përgjatë rrëfimit të tij. “Baço gjirokastritin të gjithë e njihnin. Ishte simpatik, një meso burrë për nga shtati i tij, me një humor fin, pasi ja donte puna në profesionin që ushtronte. Edhe pse u lind e rrit në një qytet me shumë kulturë siç është Gjirokastra, ai preferoi të bëhej edhe memaliot pasi u vendos jo vetëm me punë por edhe të banonte në qytezën tonë që sa vinte e shtrihej më shumë dhe popullsia vinte në rritje. I pëlqente Memaliaj se nuk humbiste asnjë ditë pune dhe bënte shumë para. Kjo vinte pasi ai ishte i vetmi që kishte këpucarinë e tij private deri në momentin që ndërroi jete. Ky privilegj që iu bë Baços e kishte zanafillën gjetkë ku do të mundohem ta shpjegoj me aq sa mbaj mend. Ishin vitet ku në gjithë Shqipërinë kishte filluar kolektivizimi i tokave dhe shpronësimi i pronave private. Baçua me shkathtësinë dhe profesionin e tij si këpucar kishte arritur të zinte një dhomë nga mbrapa ndërtesës së gurtë, ku pjesa tjetër e saj ishte furra e bukës së Memaliajt. Enveri kishte për të ardhur në Memaliaj, për të vizituar këtë qytezë minatorësh. Ata të partisë i thonë edhe Baços të dilte ta takonte edhe ai. Ky propozim iu bë pasi të gjithë kishin dëgjuar për Baçon dhe e konsideronin si një vëlla të Enverit, ngaqë të dy kishin pirë qumësht nga i njëjti gji, kur kanë qenë foshnjë.

Tjetra që e bënte më të njohur dhe më të respektuar në ato kohëra, ishte se Baçua bashkë me nënën e tij i kanë shpëtuar jetën Enverit. Flitet përgjatë Luftës së Dytë Botërore kur Enver Hoxha ka qenë një nga themeluesit e Partisë Komuniste dhe udhëheqësi i Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, dhe kjo e detyronte atë të fshihej dhe të lëvizte ilegalisht. Kështu ndodhi edhe kur shkoi të takonte nënën e tij Anenë.

Ardhja e Enverit, në rrethana që nuk u mësuan kurrë, u kishte rënë në vesh gjermanëve që në atë kohë kishin nën kontroll edhe qytetin e Gjirokastrës. Acarimi i gjermanëve dhe zhurmat që bënin përgjatë kontrolleve të tyre nëpër shtëpitë e lagjes së Enverit e duke iu afruar shtëpisë së tij, e detyruan këtë të fundit që të fshihej tek shtëpia e Baços që ishin komshinj. Nëna e Baços e fshehu në një boshllëk muri ku mbanin rrobat, jorganët, velenxhat, ..etj që në ato vite i përdornin për dollap mbasi i mbyllnin me dyer prej druri. Këto ngjarje i dinin të tjerët, pasi jo vetëm gjirokastritët i kishin në bisedat e tyre kur binte fjala, por edhe nga vetë Baçua që i tregonte ndonjë memalioti kur ai e gjente veten të ndihej më mirë. Por Baçua nuk pranoi që t’i dilte përpara Enverit dhe atë ditë shkoi në ndonjë fshat përreth për të riparuar ndonjë opingë. Nuk e di psenë, por tek memaliotët u bë e kuptueshme më vonë. Me mbërritjen e Enverit në Memaliaj, ata të partisë, midis të tjerash i thanë që “Kemi edhe Baçon që ka këpucarinë për hesap të tij! Si t’ia bëjmë?”. Këto thuheshin me pak siklet tek Enveri, pasi bëhej fjalë për Baçon. Enveri u jep një përgjigje në favor të Baços, duke u thënë “Lëreni Baçon, mos u merrni me të” dhe ashtu u bë. Baçua vazhdonte avazin, lekë bënte por edhe këndonte shpesh përgjatë punës. Një nga këngët e tij që s’ja mësuam kurrë fjalët, pasi ja këpuste siç i vinte për momentin, por refrenin e kishte të njëjtë si “Baço ziu, Baço ziu”. Më kujtohen këto fragmente, pasi dukej sikur ndjente diçka nga afrimi i ditës së largimit të tij të parakohshëm dhe sikur po vajtonte për veten e tij, mbasi jetonte fillikat në Memaliaj dhe nuk kishte të tjerë mbrapa.

Më vonë më erdhi keq kur morëm vesh se Baçua ishte mbytur në lumin Vjosë, në një mbasdite kur kthehej nga puna që bënte edhe nëpër fshatrat përreth. Përtoi t’i binte nga Ura e Parë siç e njohin tepelenasit dhe zgjodhi rrugën më të shkurtër, të hidhej në lumë, duke harruar që nuk ishte më ai lumë i beharit. Vendi që nga memaliotët u pagëzua me toponimin “Shtegu i Baços” ndodhet midis, aty ku mbaron kufiri i bregut të lumit i quajtur Hakia dhe ku fillon Arganella, në afërsi të ish teleferikut të sektorit të parë të minierës së qymyrgurit që lidhte këtë të fundit me qytetin Memaliaj. Nga mënyra sesi e zgjodhi vetë Baçua fatkeqësinë e tij fatale, ka dalë edhe një fjalë e urtë “I re shkurt si Baçua”, “E bërë si Baçua” apo “Mos e bëj si Baçua”, të cilat përdoren edhe sot, por në momente të caktuar dhe në varësi të asaj që sjell biseda.

Nëse shikohet me interes që të përmend edhe një fakt tjetër në lidhje me vizitën e Enver Hoxhës në qytetin e Memaliajt, është se ai kishte kërkuar që të vizitonte ndonjë familje minatorësh. Për këtë, shokët e partisë caktuan familjen Braja e cila jo vetëm se ishte nga familjet e para dhe e minatorit Bilal Braja, por ishte e ardhur edhe nga Gjirokastra. Kjo familje ka patur një qen që e kishin pagëzuar me emrin Bobi dhe ishte qeni i parë në Memaliaj. Ishte një qen i fortë dhe i sertë me qime të bardhe dhe me pulla. Bobin e hoqën më përpara se kjo familje do të vizitohej nga Enver Hoxha. Aty Enveri takoi edhe fëmijët e vegjël të familjes Braja, Islamin dhe Mentoren. Ishin nxënës model dhe shembullorë në mësime dhe ata iu zotuan se do të mësonin gjuhën frënge, pasi edhe ish udhëheqësi i Partisë Komuniste këtë gjuhë të huaj fliste.

Kushdo që vizitohej nga udhëheqja në ato vite, do merrte ndonjë zotim dhe në kësisoj rastesh njerëzit e partisë në atë kohë do të mësonin se për çfarë do shpreheshe apo zotoheshe, ndryshe nuk do të fitonin simpatinë dhe besimin nga udhëheqja qendrore. Të njëjtën gjë do bënte edhe Baço ziu po të takohej në publik me Enverin dhe padyshim që do t’i thoshte “Edhe unë nuk do punoj më privat”. Këtë siklet për të dy, e parapriu Baçua dhe ja bëri më të lehte Enverit, duke mos i dalë përpara. Në këtë rast Baçua nuk ra as në kurthin e atyre të partisë që ndruheshin të detyronin Baçon se çfarë do fliste dhe menduan vetëm duke e këshilluar se do të bënte mire ta takonte.

Tjetra logjikë të çon se ata të partisë, duhet të gjenin një mënyrë për ta bërë të ditur tek udhëheqësi i tyre Enver Hoxha, pasi nuk mund të fshihej ky fakt nga raportimi i tyre”.

Një tjetër bashkëbisedim interesant ishte ajo me mësuesin e nderuar Thanas Hoda i cili shprehet: “Baçua punonte riparim këpucësh, afër agjencisë. Të gjithë e dinë që ai i ka shpëtuar jetën Enverit duke e fshehur në bimsin e shtëpisë së tij. Kur erdhi Enveri në Memaliaj, pyeti për Baçon, Belul Arapin i cili ishte drejtuesi kryesor i partisë së qytetit për atë kohë dhe një figurë e dashur me shumë popullaritet. “Mire është Baçua por nuk paguan taksat” i përgjigjet Beluli. Enveri menjëherë i përgjigjet Belulit duke i thënë: “Lëreni rehat Baçon! Ka punuar ai për aq gjë, atëherë kur kishim më shumë nevojë”.

Qysh atëherë nuk e ngacmoi njeri Baçon. Por Baçua kurrë nuk u mburr për sa kishte bërë. Dhe e nxirrte bukën me djersën e ballit duke punuar deri natën vonë duke riparuar këpucët e vjetra të qytetarëve dhe fshatarëve, në heshtje, atje tek këpucaria e tij që kishte tek agjencia, ku nga memaliotët njihej me toponimin Gorrica. Ishte i drejtë, punëtorë, i gjendur për të tjerët. Kur s’kishin para ua bënte gratis riparimin e këpucëve. Gjithmonë gazmor”. Mësuesi Thanas Hoda ka kaluar vegjëlinë në qytetin e gurtë të Gjirokastrës ku aty ka kryer edhe shkollën fillore. Ka patur shokë klase edhe Ismail Kadarenë të cilin në një nga botimet e tij kujton se në vitet e shkollës Ismailit i flisnin miqësisht edhe “Zaçe”.

Nga biseda me një tjetër memaliot, avokatin Xhafer Meçe mësoj të tjera fakte interesante të cilat pothuajse për të gjithë ata që e kanë njohur dhe dëgjuar për Baçon, nuk i kanë ditur. Ai shprehet si më poshtë: “Duke u nisur, se këdo që të pyesësh për Baçon do dëgjohen të ngjashme rrëfimet e tyre, mendova të sjell diçka të veçantë në lidhje me Baçon. Të gjithë e kanë njohur dhe dëgjuar vetëm me emrin e tij, por për mbiemrin dhe emrat e prindërve të tij, nuk i kam dëgjuar të përmenden nga ndonjë tepelenas. Baço këpucari i ardhur nga qyteti i Gjirokastrës e ka patur mbiemrin Xhezo.

Ndërsa nëna e tij që i ka dhënë Enverit qumësht nga gjiri i saj, quhet Rreke. Babai i tij quhej Çobo. Ai u mbyt në lumin Vjosë, në afërsi të Arganellës, në përpjekje për ta kaluar atë me këmbë, siç bënte për vite me rradhë kur kthehej mbaditeve nga puna që bënte nëpër fshatra. U mbytë në lumë ngaqë donte që t’i binte rrugës shkurt, dhe me këtë rast, në zonën e Memaliajt përdoret edhe sot shprehja, “Shkurt si Baçua”. Kjo përdoret për të ironizuar mendjelehtët që kërkojnë t’i bëjnë punët shpejt, por që e pësojnë si i shkreti Baço!

Të shumtë janë ata që rrëfejnë për Baço këpucarin dhe nëse i sjellim në këtë shkrim, janë të njëjtat mbresa që e kanë bërë atë gjithandej të njohur. Nuk mendoj se kam bërë ndonjë zbulim në këtë shkrim, por përgjatë përpjekjeve të shumta jo vetëm të miat por edhe të shumë bashkëqytetarëve memaliotë për të evidentuar dhe akumuluar sa më shumë fakte dhe informacione që lidhen me jetën, punën, arsimimin, kulturën, traditat e memaliotëve dhe qytetit Memaliaj ku kemi fatin më të mirë që ende jetojnë nga brezat që kanë hedhur themelet e para në ndërtimin e këtij qyteti, i shikoj me vlerë edhe evidentimet që kemi sjellë në këtë shkrim, duke mos i lënë në harresë ku vetvetiu deformohen dhe pafajësisht koha i përcjell si gojëdhëna. Pavarësisht nga vlera e gjurmëve që kanë lënë udhëheqësit e çdo regjimi, nuk duhet shmangur aspak prej hulumtimeve në gjetjen e fakteve që kanë lidhje me jetën e tyre private apo atë publike