Ishte 8 gusht 1991 kur anija tregtare Vlora, e ardhur nga Durrësi dhe që mbante rreth 20 mijë shqiptarë që iknin nga vendi i tyre, u shfaq në portin e Barit. Fotografia e molit lindor të kryeqytetit puljez, me një “pllakë njerëzore” të përbërë nga burra, gra dhe fëmijë që presin të dinë fatin e tyre, tridhjetë vjet më vonë mbetet një nga imazhet më ikonike të fenomeneve migruese midis dy brigjeve të Detit Adriatik.
Anija e rrëmbyer
“Vlora” ishte një anije tregtare që mbante flamurin shqiptar me emrin e qytetit të Vlorës, në jug -perëndim të vendit. Më 7 gusht 1991, duke u kthyer nga Kuba me një ngarkesë sheqeri të papërpunuar dhe parafinuar, ajo u sulmua gjatë operacioneve të zbarkimit në Durrës.
20 mijë personat që hipën në anije, e detyruan komandantin Halim Milaqi të nisej për në Itali. Destinacioni i parë ishte qyteti i Brindizit, por sapo arriti, nënprefekti Bruno Pezzuto, e bindi kapitenin të lundronte në Bari. Koha e udhëtimit midis dy qyteteve u përdor për të paralajmëruar policinë dhe për të organizuar qendrat e pritjes.
Anija “Vlora”, mbërrin nga Durrësi në Itali, gati pa karburant, mundohet të hedhë spirancën në Brindizi, por nuk pranohet dhe drejtohet për në Bari.
Në bord ka edhe njerëz të armatosur, përveç emigrantëve në arrati nga 45 vjet regjimi komunist, tanimë i shkërmoqur, ka dhe gra e fëmijë.
Komandanti Halim Milaqi, ka rrëfyer për mediat italiane se anija e tij kishte mbërritur në port nga Kuba plot me sheqer dhe shkarkimi i saj nuk kishte përfunduar akoma, kur e pa që po afrohej një det njerëzish.
Atëherë jep urdhër që të fillojë lundrimi, por disa persona, që kanë arritur të hipin, i vënë një thikë në fyt dhe e detyrojnë të kthehet prapa për të marrë të gjithë ata njerëz.
Eksodi në stadiumin “Vittoria” dhe riatdhesimi
Pas mbërritjes në kryeqytetin puljez, duke pasur parasysh pamundësinë e menaxhimit të operacioneve të pritjes në port, emigrantët u vendosën përkohësisht në stadiumin “Vittoria”.
Pas rreth 48 orësh, shumica e tyre u riatdhesuan nga autoritetet italiane, duke u mashtruar: u organizuan aeroplanë dhe tragete të cilët, sipas informacionit të shpërndarë tek shqiptarët, do t’i kishin dërguar në qytete të ndryshme italiane.
Sipas disa vlerësimeve të përafërta të kohës, rreth dy mijë njerëz arritën të shpëtojnë dhe të shmangin dëbimin, duke gjetur strehë në hapësirat e gjelbra të qytetit ose në shtëpitë e banorëve.
Sa janë në bord?
Gazetat e 9 gusht 1991 shkrujnë për 11 000 persona, ndërsa në kronikat e sotme flitet për 20.000. Një gjë është e sigurt, ishte një morì mbresëlënëse njerëzish, e shumë prej tyre ishin kapur edhe në shtizën e flamurit. Fotografitë e Luca Turi dhe Vittorio Arcieri janë tronditëse dhe kanë përjetësuar edhe njerëz që, pas mbërritjes në port, janë hedhur në ujë nga anija.
Përplasje mes policisë dhe emigrantëve
Më të rinjtë shkulin pllakat e shkallëve dhe hedhin gurë kundër policisë. Përleshje të ashpra zgjatën tre ditë, më të dhunshmet qenë ato të së dielës, më 11 gusht, me 40 të plagosur mes policisë dhe një numër i pacaktuar mes protestuesve. Shqiptarëve u jepet ushqimi dhe uji nga qielli, më thasë të hedhur nga helikopterët. Janë skena Apokalipsi.
Ndërkohë organizohet operacioni më i madh i riatdhesimit në historinë e Italisë, ku shqiptarëve iu tha se do të dërgoheshin në qytete të ndryshme.
Festimet për përvjetorin e tridhjetë
Lidhja që bashkon dy popujt është më e gjallë se kurrë, pavarësisht viteve të kaluara, aq sa nxiti Rajonin e Pulias dhe Shqipërinë të organizojnë një sërë ngjarjesh për të përkujtuar zbarkimin. Më 23 korrik, një përkujtimore e jashtëzakonshme u festua në Bazilikën e San Nicolas, ndërsa nga 5 deri më 8 gusht, qyteti i Durrësit do të presë një ekspozitë të ngritur nga fotografja Eva Meksi.
E lindur në Shqipëri, Eva ishte vetëm 24 vjeçe kur hipi në “Dolce nave” drejt Italisë, ku ka jetuar që atëherë, duke punuar si përkthyese dhe ndërmjetëse kulturore.
Fjalët e kryebashkiakut dhe veprat binjake
Kur 20 mijë shqiptarët iu afruan brigjeve italiane, kryetari i atëhershëm i Barit, Enrico Dalfino, i priste në port, i cili përballë atij “përqendrimi” të njerëzimit, tha: “Ata janë njerëz, njerëz të dëshpëruar. Ata nuk mund të kthehen prapa, ne jemi shpresa e tyre e vetme”.
Fjalë që mbetën të gdhendura në zemrat e njerëzve të Barit, në atë masë saqë në vitin 2019, artistja Jasmine Pignatelli, i shndërroi ato në veprën homonime “Ata janë njerëz”.
Katërmbëdhjetë rreshta dhe po aq pika, të riprodhuara në fasadën e një ndërtese në rrethin San Girolamo, të cilat fiksojnë tërheqjen e kryebashkiakut në mur, të përkthyera në kodin Mors.
Për të përkujtuar 30-vjetorin e zbarkimit të shqiptarëve në Itali, artistja ka krijuar një instalacion binjak në Durrës. “Ky është përfundimi i punës sime: një zë i vetëm që kalon detin dhe që në atë kohë dukej një pengesë e pakapërcyeshme”.
Varfëria dhe hiri i regjimit komunist
Ai i anijes tregtare “Vlora”, ishte episodi më i famshëm, por sigurisht jo i vetmi. Regjimi komunist shqiptar e kishte izoluar vendin nga bota perëndimore, duke shkaktuar rritjen e shkallës së krimit dhe gjenerimin e varfërisë së shfrenuar. Pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha në vitin 1985, situata nuk u përmirësua, dhe kështu, falë ndikimit të TV italiane, sinjali i të cilit arriti edhe përtej Adriatikut, duke filluar nga vitet nëntëdhjetë, njerëzit e parë vendosën të kalojnë detin në kërkim të një të ardhmeje më të mirë.
Një fenomen dhjetëvjeçar
Në shkurt 1991, dhjetëra qytetarë shqiptarë filluan të zbarkojnë në portin e Brindizit. Eksodi i parë masiv në qytet ndodhi rreth 7 marsit të të njëjtit vit. Vlerësimet flasin për rreth 30 mijë njerëz brenda pak ditësh, më shumë se një e treta e të gjithë popullsisë së Brindizit. Zbarkimet në mënyrë progresive u ulën vetëm në fund të dekadës.
Shumë prej tyre, ndryshe nga emigrantët e anijes “Vlora”, arritën të qëndrojnë në Itali, falë edhe një marrëveshjeje të nënshkruar midis Romës dhe Tiranës për të lehtësuar emigracionin shqiptar në Itali.