Jam nga një fshat i Shkodrës. Pasi mbarova klasën e nëntë, prindërit nuk më lejuan të shkoja në të mesmen, me pretekstin se e kisha larg dhe vajza s’duhet të lëvizë vetëm, se është turp. Kjo më pezmatoi jashtë mase, por s’kisha çfarë të bëja, se i kisha prindër. Siç është bërë zakon në këto anë, vajzat fejoheshin në djep dhe martoheshin të reja e nga ky rregull s’kisha si të bëja përjashtim unë. Ndonëse 15 vjeçe, unë isha një vajzë e zhvilluar, simpatike, por edhe inteligjente, lexoja romane dhe libra artistikë sa më kishin zili edhe moshataret. Vija re se në shtëpinë tonë vinte shpesh daja, vëllai i nënës, dhe bisedonte me prindërit, pa praninë time. Nëna më tregoi se ai kërkonte t’më fejonte me një djalë nga një fshat tjetër, që ishte emigrant në Itali dhe daja kish thënë fjalët më të mira për të dhe familjen e tij. Djalin unë s’e njihja, por daja tha se do të vinte nga Italia të kërkonte dorën time. Daja më tha se ishte si artist dhe djalë tepër i edukuar. Daja na caktoi një datë kur ai do të vinte. Gjatë kësaj kohe, prindërit më bindën se duhet të fejohesha, se ishte rast shumë i mirë. Natyrisht, si e re, s’pata kurajo t’i kundërshtoja, por për të qenë e sinqertë, më pëlqente si rast, sepse do të shkoja në Itali. Nuk zgjati dhe, pas pak ditësh, daja erdhi së bashku me të. Tani do bisedoja edhe unë dhe do të shpallnim fejesën. Më propozuan të bisedoja në dhomë vetëm me të. Fillimisht, shkova në dhomë me nënën. Pas pak ajo më la vetëm dhe tani ishim vetëm ne të dy. Biseduam gjerë e gjatë për të ardhmen tonë dhe ai më premtoi dashuri të përjetshme. Ishte fjalëmbël, i matur dhe simpatik. Për të qenë e sinqertë, ai më bëri për vete plotësisht. Më puthi dorën dhe i premtuam njëri-tjetrit dashuri dhe besë. Ai më premtoi se sa të merrja pasaportën do të më merrte në Itali. Pas kësaj, shpallëm fejesën. Gjatë ditëve që qëndroi në Shqipëri u takuam disa herë. Pasi iku në Itali, më merrte në telefon thuajse dy herë në javë. Pas gjashtë muajsh, ne bëmë martesën, një dasmë të rrallë. Tash im burrë qëndroi me mua 20 ditë. 15 ditë i kaluam në Sarandë. Pas kësaj ai u largua për në Itali. Në familje ai i kishte prindërit, motrën e kishte të martuar dhe një vëlla rreth të 20-ave, të pamartuar. Pas largimit të burrit tim për në Itali fillova jetën në shtëpinë e prindërve të tij. Më donin dhe respektonin, ishin tepër të mirë. Kunati im sillej mirë dhe dukej se më respektonte. Një ditë më erdhi lajmi se e kisha nënën të sëmurë. U nisa së bashku me kunatin, vëllanë e tim shoqi. Rruga ishte shumë e gjatë, bëmë lloj-lloj muhabetesh dhe në mes të tjerave, ai më tha: “Lum vëllai im çfarë gruaje ka! Je si engjëll, yll, tepër e mirë!”. U stepa nga këto fjalë të tij e megjithatë e kalova me të qeshur e me një “faleminderit”, pa e zgjatur shumë, por me vete po mendoja çfarë ishin këto fjalë nga ana e tij. Mbërritëm dhe kunati im u kthye në familje. Unë ndenja për disa ditë, por mendja më rrinte te fjalët që më tha kunati. Mundohesha ta justifikoja, duke menduar “është i ri”, por ashtu si rrodhën ngjarjet, kuptova se ato fjalë paskan qenë të djallëzuara dhe me qëllime të largëta.
Qëndrova disa ditë dhe u ktheva në shtëpinë e burrit, më solli im atë. Vija re se kunati më shikonte dhe ofshante si të kishte një hall të madh. Shpesh, si pa qëllim, hynte në dhomën time. Disa herë më gjente duke ndërruar rrobat, “më fal” më thoshte dhe mbyllte derën e ikte si i zënë ngushtë. Shpesh, unë flija me vjehrrën në krevatin tim. Një natë, vjehrra shkoi te e bija. Në shtëpi ishte vjehrri dhe kunati. Pasi hëngrëm darkë, pamë televizor dhe ramë të flinim, secili në dhomën e tij. Me sa duket, ora ishte 1 e natës dhe unë isha në pikë të gjumit. Ishte kohë vjeshte dhe ashtu përgjumur pash që dikush më kishte hyrë në krevat dhe më puthte e më prekte në vende intime dhe filloi të më zhvishte. Isha si në ëndërr, s’e dija ku isha, ishim në errësirë. Rezistova dhe e pyeta “kush je ti?” se pandeha mos kishte ardhur im burrë (kishte raste që ai vinte natën nga Italia, por më lajmëronte përpara). Dëgjova të më thoshte: “Meri, jam kunati yt, të hëngsha zemrën, je drita ime, të dua”. Gati sa nuk vdiqa në vend. I thash: “S’ke turp? Ik, je vëllai i tim burri, si e bën këtë veprim?! Largohu se do t’u them prindërve tu”, por ai më mbylli gojën dhe më kërcënoi të mos flisja, përndryshe do të thoshte se i kisha kërkuar vetë të më vinte në krevat. Duke pasur frikë se ndoshta me të vërtetë e besonin, ndonëse rezistova, nuk bërtita. Kisha frikë se do bëhej problem dhe do më ngarkonin edhe mua me faj, s’e dija si do të rridhnin ngjarjet dhe, sado që rezistova, ai më zhveshi e më përdhunoi disa herë.
Dhe, këtë punë të pisët ai e vazhdoi sa herë në shtëpi nuk ishin vjehrrit, sado që i thosha se kjo ishte shumë e turpshme. Ai më kërcënonte duke më thënë se “do t’u them që më ke ardhur vetë në krevat. “Hesht, më thoshte, ndryshe e di vetë se ç’të gjen!”.
Ndonëse im burrë vinte një herë në 3-4 muaj, s’pata guximin t’i tregoja për poshtërsinë e të vëllait ndaj meje e ndaj tij dhe gjeta një mënyrë tjetër, ta bindja që të më merrte sa më parë me vete, sepse i thosha “nuk rri dot pa ty” dhe qaja. Ai më premtoi se sa të merrja pasaportën ne do të bënim bashkim familjar. Do të shkoja menjëherë të merrja pasaportën, por më duheshin edhe dy muaj që të plotësoja moshën. Me gjithë kundërshtimet e mia, kunati vazhdonte të më përdhunonte sa herë i krijohej mundësia, kur nuk ishin prindërit në shtëpi. Isha në pozitë të vështirë, s’dija si të veproja me atë njeri. Ai më kërcënonte se nëse nxirrja zë do më akuzonte se unë kisha shkuar me dëshirë në krevatin e tij.
Por, Zoti deshi, bëra moshën, bëra kartën e identitetit e pasaportën dhe shkova në Itali te im shoq…
Kështu, shpëtova prej atij tmerri të vërtetë, por që do të më ndjekë gjithë jetën pas. Thellë në shpirt jam e vrarë. Me burrë duhemi, më respekton dhe kam një harmoni të shkëlqyer. Tani jam edhe shtatzënë dhe pres një fëmijë, dhuratë nga Zoti. Megjithëse nuk isha fajtore, thellë në shpirt kam një plagë të madhe..