Këshilli i Lartë Gjyqësor ka hedhur ditën e djeshme në ambientet e “Polit të Drejtësisë” shortin për zgjedhjen e anëtarëve për në Kolegjin Zgjedhor. Bëhet fjalë për 8 gjyqtarë, nga 16 që garonin për këto detyra, të cilët do të shqyrtojnë mosmarrëveshjet që do të lindin gjatë zgjedhjeve të 25 prillit.
Përzgjedhja e gjyqtarëve u bë përmes një shorti që u hodh pasditen e djeshme në prani të përfaqësuesve të partive politike, por edhe mediave dhe shoqërive civile. Kushti që gjyqtarët duhet të plotësojnë për të qenë anëtarë kolegji është kalimi i vettingut në të dyja shkallët, shkalla e parë KPK dhe atë të Kolegjit të Apelimit. Deri më tani, kanë kaluar vettingun me vendim të formës së prerë 32 gjyqtarë.
Nga këta, për efekt të ligjit dhjetë përjashtohen sepse janë gjyqtarë të GJKKO dhe nuk e lejon ligji, ndërsa gjashtë prej tyre janë gjyqtarë të KLGJ. Emrat të cilët u përzgjodhën nga hedhja e shortit janë Sokol Ibi, Manjola Xhaxho, Edlira Petri, Emona Muçi, Asim Vokshi, Gentian Medja, Esmeralda Çeka dhe Alma Kolgjoka. Por mes 16 emrave që plotësonin kushtet për të qenë pjesë e Kolegjit Zgjedhor ishte edhe Ardian Dvorani, i cili tashmë është pjesë e Gjykatës Administrative të Apelit. Por shorti nuk përzgjodhi as emrin e Ardian Dvoranit, i cili nëse do të ishte fitues do duhej të betohej tek Presidenti i Republikës Ilir Meta, që e ka paditur për çështjen e Gjykatës Kushtetuese.
Ja kush janë gjyqtarët e zgjedhur
Kreu i Gjykatës Administrative të Korçës, Sokol Ibi ishte emri i parë që u zgjodh për të qenë pjesë e Kolegjit Zgjedhor. Ibi ka kaluar me sukses vetingun në shkallën e parë dhe për të nuk pati asnjë ankimim në KPA çka solli konfirmimin në detyrë. Sokol Ibi ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2007 dhe pas disa vitesh pune si gjyqtar në Pogradec, ai u dekretua gjyqtar në Gjykatën Administrative të Korçës në vitin 2013. Ibi e drejton këtë gjykatë prej vitit 2015.
Emri i dytë që u zgjodh nga shorti ishte gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Manjola Xhaxho, e cila pasi iu nënshtrua filtrave të vetingut, arriti ta kalonte atë më sukses duke u konfirmuar në detyrë për të vijuar ushtrimin e detyrës në sistemin e drejtësisë. Manjola Xhaxho e ka filluar karrierën në gjyqësor në vitin 2002 si gjyqtare në Gjykatën e Tiranës, pozicion të cilin e mban edhe sot. Ajo ka ushtruar për tre vjet edhe detyrën e këshilltares ligjore në Gjykatë të Lartë. Xhaxho ka mbaruar shkollën e Magjistraturës si dhe ka kryer studimet Master për të drejtat ndërkombëtare të njeriut në Universitetin e Lundit në Suedi.
ka kryer gjithashtu një sërë kualifikimesh profesionale si dhe është përfshirë në rolin e ekspertes në disa projekte mbi Kodin Penal dhe drejtësinë për të miturit. Gjyqtarja e Apelit Tiranë, Edlira Petri ishte emri i radhës, i cili u zgjodh nga shorti. Petri ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002 dhe është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Beratit. Në vitin 2007, Petri u emërua në Gjykatën e Apelit të Shkodrës, ndërsa në vitin 2010 u transferua në Gjykatën e Apelit të Tiranës, detyrë të cilën e kryen edhe aktualisht. Në janar 2020, Petri u zgjodh gjyqtare e medias në Gjykatën e Apelit të Tiranës.
Edhe gjyqtari i Apelit Tiranë, Asim Vokshi do të jetë pjesë e trupës së Kolegjit Zgjedhor. Ky i fundit, ka mbaruar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2006 dhe ka filluar të punojë si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Në vitin 2016, Vokshi është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë. Paralelisht me funksionin si gjyqtar, Asim Vokshi është angazhuar edhe në mësimdhënie si lektor në fakultetin e Drejtësisë dhe në Shkollën e Magjistraturës. Në vitet 2012-2013, Vokshi ka kryer studime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si pjesë e programit Fullbright.
Ja 8 emrat që u zgjodhën
· Sokol Ibi
· Manjola Xhaxho
· Edlira Petri
· Emona Muçi
· Asim Vokshi
· Gentian Medja
· Esmeralda Çeka
· Alma Kolgjoka
Ja emrat që ngelën jashtë
· Ardian Dvorani
· Klodiana Mema (Veizi)
· Margarita Buhali
· Artur Kalaja
· Enton Dhimitri
· Eriol Roshi
. Ornela Naqellari
· Rexhep Bektheshi