Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi dhe për përkatësinë e anëtarit të shtatë nga radhët e forcave politike parlamentare për Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) në kuadër të zgjedhjeve lokale të 14 majit.
Me short ditën e djeshme, anëtarët e KQZ miratuan që në zonat zgjedhore me numër çift, komisioneri të merret nga Partia Socialiste, ndërsa Partia Demokratike ka të drejtën për komisionerë të shtatë në zonat zgjedhore me numër tek.
Megjithatë, ende mbetet e pambyllurpërfundimisht çështja se nga cilit fraksion PD do të njihet e drejta për të patur komisionerë në zgjedhje. Momentalisht, ashtu siç e pranoi dhe dje për mediat kryekomisioneri i KQZ, Ilirjan Celibashi, grupimi i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj ka të drejtën formale të ketë komisionerë zgjedhorë, jo “Foltorja” e Sali Berishës.
Por, ai pranoi se mbetet e hapur se çështja e komisionerëve të PD mund të ndryshojë nëse Gjykata e Apelit të Tiranës vendos para zgjedhjeve se selia dhe vula e PD i përket Grupit të Rithemelimit të PD. Për sa i përket votimit elektronik, Celibashi pranoi se kjo metodë votimi mund të zbatohet në 1 ose 2 bashki.
Çështja e PD për komisionerët, Celibashi: E zgjidh gjykata, jo KQZ
Pas përfundimit të mbledhjes së KQZ, drejtuesi i saj Ilirjan Celibashi reagoi për herë të parë për debatin politik në PD se përse Berisha dhe “Foltorja” u lanë sërish pa komisionerë në zgjedhjet e 14 majit. Ai u përgjigj se KQZ ka ndjekur rrugën formale ligjore, ku rezulton se Lulzim Basha është ende kryetar i PD, edhe pse ka thuajse 1 vit qëështë dorëhequr (Regjistri i Partive Politike).
Celibashi e hoqi kompetencën nga vetja dhe anëtarëve të tjerë të KQZ për njohjen e legjitimitetit të drejtimit të PD duke ia ngarkuar përgjegjësinë Gjykatës së Apelit të Tiranës, ku po ndiqet çështja. Por, ai pranoi se po komunikon me avokatin e “Foltores” Ivi Kaso. Kreu i KQZ la të hapur mundësinë e ndryshimit të komisionerëve për PD në zgjedhje, nëse Berisha njihet nga drejtësia si kryetar legjitim i selisë blu. “Ne do të vlerësojmë legjitimitetin e atij që do të sjellë dokumentacion në KQZ.
Në kuptimin që është apo jo me tagër për të sjellë kërkesa të ndryshme. Sot është përfaqësues i PD, janë në fakt, dy emrat Logu dhe Sefa. Kemi komunikim institucional për emra, deri në momentin që ne flasim, kemi zotin Marash Logu dhe Indrit Sefa. Në kuadër të komunikimeve, kemi dhe me Ivi Kason dhe përfaqësues të tjerë.Do jenë këta nesër, pasnesër, nuk e them dot. Por, autorizimi që ata kanë është në përputhje me Kodin Zgjedhor. Ky legjitimitet është i verifikueshëm nga dokumentacioni që KQZ merr nga Gjykata e Tiranës. Kjo është një çështjes që nuk e vendos KQZ-ja se kush është organi që përfaqëson një parti politike. Ky konflikt nuk është në KQZ”, deklaroi Celibashi për PD.
Votimi elektronik në 14 maj, Celibashi: S’ka kohë, mund ta bëjmë për 1-2 bashki
Varianti për votimin elektronik në të gjithë vendin u hodh poshtë nga Celibashi, njësoj si PS. Ai pranoi se kjo metodë votimi mund të zbatohet në 1 ose 2 bashki, edhe pse KQZ ka kërkuar që të bëhet në më shumë se 6 bashki. Sipas tij, arsyeja e moszbatimit të plotë të votimit elektronik lidhet me kohën e shkurtër të mbetur deri në fillimin e zgjedhjeve. “Ne kemi bërë kërkesën për financim të projektit elektronik edhe për 6 bashki të tjera. Koha që kemi në dispozicion nuk na favorizon se jemi shumë vonë. Por mund të bëjmë më shumë se Vora. Do të preferonim që të kishim 1-2 bashki të mëdha, një mesatare. Po presim ende një përgjigje nga qeveria”, deklaroi kryetari i KQZ, Ilirjan Celibashi për votimin elektronik në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Si u ndanë komisionerët e KZAZ-ve?
Në 9 janar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi për ndarjen e komisionerëve të KZAZ-ve sipas pjesëmarrjes së partive politike në Parlament. Në bazë të Kodit Zgjedhor, një KZAZ me 7 anëtarë do ketë: 2 komisionerë për PS, 2 për PD, 1 për Partinë e Lirisë dhe 1 për PSD. Dje u vendos se si PS dhe PD do ndajnë mes tyre anëtarin e shtatë dhe kreun e KZAZ-ve.