Ambasada amerikane në Tiranë ka përciellë një mesash urimi për 28 hetuesit e sapoemëruar të BKH-së.
Në reagimin e saj ambasada bën me dije se SHBA mbështesin këta individë, ndërsa ata ndërmarrin fazat e tjera të trajnimit të tyre dhe ndihmojnë për të çuar përpara reformën në drejtësi
“Urime 28 hetuesve të sapoemëruar të BKH-së!
Këta individë janë testuar dhe janë duke u trajnuar. Shtetet e Bashkuara janë krenare që mbështesin këta individë, ndërsa ata ndërmarrin fazat e tjera të trajnimit të tyre dhe ndihmojnë për të çuar përpara reformën në drejtësi.
Ne i urojmë fat të mirë të gjithë atyre që kohët e fundit kanë dorëzuar aplikimet e tyre për të qenë pjesë e grupit të dytë të hetuesve të BKH-së.”- thuhet në njoftimin e ambasadës.
Ndërkohë edhe SPAK në një njoftim i uron suksese 28 hetuesve të BKH.
“SPAK dëshiron të urojë 28 kandidatët për hetues, të cilët përfunduan me sukses muajin e parë të trajnimit bazë dhe duke filluar nga java tjetër do të emërohen zyrtarisht si hetues të BKH-së.
Rrugëtimi i tyre filloi me procesin e përzgjedhjes gjatë muajit Tetor 2020 dhe ka përfshirë teste të logjikës së arsyetimit, testin fizik, hartimin e esesë, intervistën e strukturuar, si dhe një verifikim të gjerë të figurës.
Me përfundimin e kësaj faze të parë, ne presim me padurim që ata të vijojnë me sukses fazat e mëtejshme të trajnimit, të cilat do të përfshijnë:
“Trajnimin për Armët, Sigurinë dhe Aftësitë e Mbijetesës”; Trajnimin me Drejtorinë Italiane të Hetimit dhe Antimafias (DIA); si dhe Trajnimin me Byronë Federale të Hetimit SHBA-ve (FBI).
SPAK, gjithashtu ju uron sukseset më të mira të gjithë atyre shtetasve shqiptarë që kanë dorëzuar së fundi aplikimet e tyre për të qënë pjesë e grupit të dytë të hetuesve të BKH-së.”- mbyll njoftimin SPAK.