Kryeministri Edi Rama ka komentuar hetimet e SPAK ndaj kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
Kreu i qeverisë u shpreh se kryebashkiakut Veliaj po i cenohet jeta e tij familjare nga gjyqi publik që po i bëhet.
“Përkohësisht di që Erion Veliajt i cenohet jeta e tij familjare nga gjyqi publik i bërë jo nga institucioni përkatës, por nga të gjithë ata që janë angazhuar në atë gjyq. I cenohet dinjiteti nga prokurorë dhe gjykatës të ulët nëpër klube mediatike, apo të fshehur pas ekraneve të portaleve. Këtë e di me siguri.
Ndërsa sa i përket pjesës tjetër nuk bën përjashtim askush nga ajo që kam thënë në fillim, nuk bëj komente për çështje që i takojnë institucioneve të drejtësisë. Deri sot është qëndrimi im, mund të komentoj vendime të formës së prerë për një shpifës, që për mua ka qenë një nga vendimet më të drejta.
Linçimi publik i kryetarit të bashkisë është i neveritshëm, kërkimi i gijotinës për të është skandaloz”, tha Rama.