Partia Socialiste ka komentuar censurën mediatike ndaj vendimit të Gjykatës së Floridës për djalin e ish kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha.
Përmes kreut të grupit parlamentar Taulant Balla, PS ka kërkuar që televizionet dhe mediat online të mos heshtin për këtë vendim duke mos e pasqyruar.
“Do i bëja një apel medias që të mos mbyllë ekranet për vendimin e Gjykatës së Floridës, i cili është një mësim edhe për drejtësinë shqiptare se si duhet rihetuar dhe rigjykuar çështja e Gërdecit.
Nëse Shkëlzen Berisha pretendon se është i pafajshëm, t’i lerë fjalët por të jetë i disponueshëm për t’u hetuar dhe gjykuar ashtu sic e meritojnë ata që mbajnë përgjegjësinë për vrasjen e 26 shqiptarëve të pafajshëm që ishin marrë në punë ata që e kishin ngritur atë fabrikë vdekje”, shprehet Taulant Balla.
Ndërkohë, duke komentuar vendimin e gjykatës ai shprehet:
“Nuk ka asnjë dyshim, që kushdo që ka lexuar vendimin e gjykatës së Floridës, mendon se është një model se si duhet të fuksionojë Drejtësia.
Kjo është një qasje që duhet të ketë edhe drejtësia e re shqiptare mbi çështjen e Gërdecit ku u vranë 26 shqiptarë dhe u plagosën qindra të tjerë nga një krim shtetëror të organizuar nga kryeministri i asaj kohe dhe falangat familjare dhe në qeverisje.
E kam lexuar me kujdes vendimin e gjykatës së Floridës pasi e kam ndjekur historinë rrënqethëse të Gërdecit.
Ajo që bie në sy në atë vendim, është fakti që në Shqipëri drejtësia është marrë veç me peshqit e vegjël dhe jo me ata që e organizuan krimin shtetëror të Gërdecit, e krijuan, e mbështetën dhe përfituan financiarisht nga fabrika e vdekjes”, u shpreh Balla.