Portieri i Manchester City, Arijanet Muriqi ka qenë protagonist mbrëmjen e së martës në Kupën e Anglisë, ku “Citizens” eliminuan Leicesterin pas “ruletës” së 11-metërshave.
Porteri i përfaqësueses së Kosovës priti dy penallti, e trajneri Guardiola e konsideroi zbulimin e këtij sezoni.
Portieri 20-vjeçar është në një fazë shumë të mirë të karrierës së tij, e kjo vihet re edhe në aktivizimin e tij në ndeshjen e fundit të Ligës së Kombeve, që përfaqësuesja e Kosovës luajti përballë Azerbajxhanit.
Ndërkohë, mbrëmjen e së martës ai u bë heroi i Manchester Cityt të Pep Guardiolës. Muriqi i dha mundësinë skuadrës kampione të Anglisë të presë biletën për në gjysmëfinalet e Kupës së Ligës angleze, duke bërë që Manchester City ta fitonte përballjen me shifrat 3-1 pas penalltive, pasi koha e rregullt e këtij takimi përfundoi në barazim 1-1, me gola të De Bruyne dhe Albrighton.
Ky aktivizim i Arijanet Muriqit në këtë ndeshje të rëndësishme të kupës vjen pasi prej kohësh është vlerësuar nga trajneri spanjoll Pep Guardiola. Pas dëmtimit të portierit të parë të skuadrës së Manchester Cityt, Claudio Bravo, Muriqi, edhe pse në moshë fare të re, ka kaluar si zgjedhja e dytë e Guardiolës pas Edersonit.
“Ne arritëm deri në finale sezonin e shkuar, prandaj do të luajmë edhe këtë vit. Tani jemi në gjysmëfinale dhe nuk e dimë si do të shkojë më tej. Ashtu si sezonin e fundit, ku i mrekullueshëm ishte Claudio Bravo, këtë sezon është Muriqi. Ai është i madh, ka shumë reflekse dhe mori vendimet e duhura. Kjo ndeshje ishte eksperiencë e madhe për të. Është i talentuar dhe i turpshëm. Meriton vetëm duartrokitje”, theksoi në përfundimin e ndeshjes, trajneri i Manchester Cityt.