Helena na e përcolli një tjetër të vërtetë që mund të ketë kosto për të. Është një e vërtetë e një vlerësimi për Shqipërinë dhe sot, të flasësh mirë për Shqipërinë, vendin, mund të bëhesh papritur objektiv sulmesh nga më të pamëshirshmet.
Mund të marrë përsipër koston e sulmit të atyre që bërtasin çdo mbrëmje që Shqipëria nuk bën, nuk bëhet e nuk do të bëhet, por më shumë se të atyre, të të tjerëve që pa bërtitur, kanë punuar e punojnë që Shqipëria të shkatërrohet, të mos përmirësohet, të qëndrojë përherë e ndrydhur, kokëulur. Se cilët janë, ndoshta, të shkruhet, këtë herë, do të ishte e tepërt.
E pyetur nga mediat “nëse e ndjekin situatën politike në Shqipëri tani që jetojnë në Tiranë, nëse janë pesimistë, optimistë, të sigurtë këtu?”, Helena përcjell një dëshmi që ka peshë:
“Absolutisht e sigurtë! Për mua këtë optimizëm ma ka dhënë përherë Ismaili, sepse gjatë gjithë kohës më thotë se Shqipëria po jeton vitet më të mira të saj. Edhe pse i numëroj gjërat që nuk shkojnë si… po kjo, po kjo? Pavarësisht nga këto, ai ka ngulur gjithnjë këmbë për këtë, që jemi në kohën më të mirë, asnjëherë Shqipëria nuk ka qenë në një pozicion kaq të favorshëm ndaj botës”.
A është revolucionare sot të pranosh përmirësimin, sigurinë, pozicionin e favorshëm të vendit tënd? Duke ndjekur, pësuar dhe konstatuar agresivitetin e kundërshtarëve të këtij realiteti, besoj se po. Pohimi i kësaj të vërtete është guxim, është një revolucion. Një revolucion i qetë, por ama, revolucion.